Gjirokastër- Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar në Gjirokastër ditën e sotme (19 janar), deri tani me 17 persona të arrestuar.
Mes tyre edhe një doganier, teksa 2 efektivë të Policisë Kufitare Kakavijë që u kapën me lëndë narkotike dhe shuma të konsiderueshme monetare, pjesë e rrjetit të goditur, u pezulluan nga AMP.
Burime zyrtare bënë me dije për Report Tv dhe Shqiptarja.com se është goditur një grup i mirëorganizuar që shpërndante kanabis e kokainë, edhe me ndihmën e efektivëve të pezulluar nga AMP.
Gjithashtu ka edhe shumë persona të shoqëruar dhe në proces verifikimi. Operacioni është koduar “Andromeda”.
“Operacioni, si rezultat i një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda proaktive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSH nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër”, bëhet me dije në njoftimin zyrtar.
Gjatë fazës së tretë u ekzekutuan masat e sigurisë për 12 shtetas, 10 prej tyre me masë sigurie “arrest në burg” ndërsa 2 me masë sigurie "arrest në shtëpi", pjesëtarë të një grupi kriminal të implikuar në shitjen e lëndëve narkotike, në qytetin e Gjirokastrës.
Ndërkohë që 5 të tjerë ishin arrestuar në datat 25 tetor dhe 13 nëntor 2024, teksa bashkëpunonin me 12 të ndaluarit ditën e sotme, të organizuar si grup, si dhe që janë të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, kryesisht në Gjirokastër.
Të arrestuarit janë H. H., 38 vjeç, D. O., 38 vjeç, K. G., 26 vjeç, B. C., 42 vjeç, R. Gj., 33 vjeç, dhe E. T., 35 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale "prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim. I. K., 49 vjeç, E. D., 22 vjeç, E. Ç., 36 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale "prodhimi dhe shitja e narkotikëve"; si dhe Th. K., 41 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale "ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".
Gjithashtu, u ekzekutuan masat e sigurisë "arrest në shtëpi", për shtetasit E. N., 25 vjeç dhe M. F., 23 vjeç, të dy banues në Gjirokastër, për veprën penale "kontrabanda me mallra të tjera", kryer në bashkëpunim.
“Në bashkëpunim me AMP, u ekzekutuan masat e sigurisë "pezullim i ushtrimit të një funksioni apo shërbimi publik", për shtetasit L. K., 32 vjeç dhe O. B., 29 vjeçe, të dy banues në Gjirokastër, me detyrë punonjës policie në PKK Kakavijë, për veprën penale "shpërdorimi i detyrës", kryer në bashkëpunim. Gjatë kontrolleve të ushtruara për të gjetur provat materiale me qëllim të dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme vlerash monetare, lëndë narkotike Cannabis dhe Kokainë, municion luftarak, celularë, automjete, dokumente të falsifikuara, mallra kontrabandë etj.”, theksohet në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.