Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake bllokuan një kantier ndërtimi me objekte 2-3 katëshe në zonën e Farkës në Tiranë, që kishte tejkaluar totalisht lejen zhvillimore.

Aksioni u ndoq nga afër nga Ministrja e Brendshme, Albania Koçiu, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sula, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe Drejtoresha e IMT-së, Dallëndyshe Bici.

Zyrtarët apeluan që edhe qytetarët të jenë të kujdesshëm kur blejnë prona, duke verifikuar statusin ligjor të tyre, dhe paralajmëruan masa administrative e penale për ndërtuesit, mbikëqyrësit, inspektorët e me radhë, që kanë shkelur kushtet e lejeve

Ministrja Koçiu theksoi se ky operacion është pjesë e një procesi më të gjerë që ka nisur prej muajsh për lirimin e hapësirave publike dhe do të pasohet nga një aksion kombëtar kundër ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin. Sipas saj, të gjitha masat po zbatohen mbi bazën e paketës së fundit ligjore, e cila forcon mekanizmat e kontrollit të territorit dhe sanksionet ndaj çdo abuzimi.

“Dua të theksoj që gjithë ky aksion vjen në vazhdën e paketës së masave ligjore të hyrë në fuqi në fillim të muajit tetor, të cilat kanë për synim të garantojnë e zbatojnë masa e sanksione konkrete. Këtu kam një thirrje për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të blejnë një pronë, që duhet të bëjnë shumë kujdes në verifikimin e statusit ligjor të saj dhe të lajmërojnë organet kompetente për çdo parregullsi apo situatë abuzive me pronën. Ky është një aksion që do të vazhdojë deri ditën e fundit për të garantuar ligjshmërinë dhe për të mbrojtur gjithë territorin e vendit nga çdo lloj abuzimi me pronën publike,” theksoi Ministrja e Punëve të Brendshme.

Aksioni synon të vendosë rend dhe rregull në territor, të mbrojë pronën publike dhe të garantojë zhvillim të qëndrueshëm.

“Askush që ka një leje ndërtimi apo del përtej lejes së ndërtimit nuk do të lejohet të përfitojë asnjë metër katror më tej se leja e dhënë. Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që ndërtojnë apo shesin objekte që nuk do ta kenë të mundur të përfitojnë asnjë metër katror të zaptuar padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme,” shtoi Ministrja.

Ilir Proda, vuri në dukje se “ky është një rast ku ne kemi konstatuar një paligjshmëri dhe tejkalim të lejes së ndërtimit dhe Policia e Shtetit do të kryejë të gjithë veprimet në bazë të ligjit për të proceduar personat që kanë abuzuar me këto leje, qofshin këta edhe zyrtarë të shtetit, si dhe do të mbështesë për sigurinë e këtyre operacioneve të gjithë inspektoratet që do të veprojnë në terren”.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj bëri me dije se “si në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera në zonën e Farkës, Lundrës, zona në të cilat kemi konstatuar si bashki e Tiranës, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, shikojmë që ndërtuesit kanë tejkaluar lejet e ndërtimit. Ne si bashki e Tiranës e kemi të qartë kur janë tejkaluar volumet e ndërtimit, kanë dalë jashtë lejeve të ndërtimit, nuk kanë respektuar ligjin.”

Kryeinspektorja e IKMT Dallëndyshe Bici, bëri një apel për ndërtuesit dhe personat e përfshirë në këtë veprimtari që të jenë korrektë në zbatimi e ligjit.

“Dua të bëj një thirrje për të gjithë sipërmarrësit, mbikëqyrësit e punimeve, arkitektët që të jenë të kujdesshëm për zbatimin korrekt të të gjitha masave tekniko-ligjore në fushën e ndërtimit,” u shpreh Bici.