Orges Shijaku rrëfen operacionin e babait të tij Sali Shijakut, mbi kokën e Enver Hoxhës.

Amarcord, koleksioni i rrallë i Mirgen Shambllit nga Korça mbi prodhimet dhe enët e baltës shqiptare.

Esencë Arkivë, flet gazetarja dhe studiuesja Juli Krisafi, Enver Hoxha mes  Stalinit, Hrushovit dhe Titos.

Data 26 Dhjetor 1918, rëndësia e Kongresit të Durrësit.

Esencë, çdo të premte ora 21:00 me Eljan Taninin në Report Tv.

Pjesa e parë, Esencë

Sonte në Esencë sjellim një rrëfim të rrallë, intim dhe tronditës për artin, frikën dhe pushtetin. Në studio ishte Orges Shijaku, djali i piktorit të madh Sali Shijaku, një prej emrave më të rëndësishëm të artit shqiptar.

Një histori që na çon pas në vitet 70-80, në kohën e rizhvillimit të Sheshit Skënderbej, aty ku arti dhe politika u përplasën ballë për ballë. Një monument që nisi si Monumenti i Lirisë, por përfundoi si Monumenti i Enver Hoxhës. Një vepër e ndërtuar mes frikës, sekretit dhe presionit absolut shtetëror.

Eljan Tanini: -Orges, kush ishte Sali Shijaku përtej artistit që njohim nga librat?

Orges Shijaku: -Përtej artistit, baba ishte një njeri që jetonte edhe me ankth. Artistët pamorë ishin gjithmonë në frikë të madhe. Populli ishte në vështirësi të plota dhe arti ishte i detyruar t’i shërbente sistemit. Në vitet 70, kur nisi rizhvillimi i Sheshit Skënderbej, baba po merrej me Monumentin e Lirisë. Ishte menduar si një vepër 30 metra e lartë, me simbole kombëtare. Komisioni e pëlqeu, madje edhe vetë Enver Hoxha. Monumenti ishte rreth 12 metra i lartë, i derdhur në bronz vendas dhe u ndërtua në sekret të plotë, nën vëzhgimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Edhe Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia e ndiqnin nga afër procesin. Një natë, pas një tërmeti, koka e monumentit u spostua. Sali Shijaku e hoqi dhe e rindërtoi brenda natës, sepse të nesërmen pritej ardhja e qeverisë. Ai thoshte gjithmonë se koka ishte pjesa më e rëndësishme e monumentit.

Monumenti u inaugurua, por pati jetë të shkurtër. Me lëvizjen e Dhjetorit ’90 u rrëzua sistemi dhe bashkë me të edhe monumenti. Sali Shijaku ishte aty kur u shemb, i heshtur përballë veprës që nuk mund ta shihte si thjesht një simbol politik. Sot, nga ajo histori mbetet kujtesa dhe rrëfimi, një dëshmi e artit të krijuar nën diktaturë.

Pjesa e dytë, Amarcord shkon në Korçë te kolksionionisti më i veçantë

Mes mureve që mbajnë histori, koleksionisti Mirgen Shamblli ka ngritur një koleksion të rrallë qeramike shqiptare: enë balte, porcelanë dhe fajanca nga Korça, Tirana e Vlora, objekte që sot nuk prodhohen më. Të mbledhura me përkushtim, shpesh nga tregu i zi, këto punime unike përfshijnë tavllat e Albturist, filxhanë me logon e Hotel “Tiranës”, pjata “Made in Albania”, vazo lulesh dhe mbajtëse kafeje me motive ilire, por edhe portrete rilindasish e figura kafshësh prej balte nga vitet 50–60. Çfarë mbetet sot nga ky koleksion? Jo thjeshtë objekte, por dëshmi kulture një histori e prodhimit shqiptar e ruajtur në baltë.

Pjesa e tretë, Esencë Arkiv

Në Esencë Arkiv gazetarja dhe studiuesja Juli Krisafi e vendos Enver Hoxhën mes tre figurave që shënjuan fatin e tij politik: Stalinit, Hrushovit dhe Titos bazuar në librin me të njëjtin titull. Sipas saj:

-              Stalini ishte muza politike e Enver Hoxhës dhe ai mbeti stalinist deri në fund, edhe pse Stalini vetë nuk kishte interes të veçantë për Shqipërinë, duke e parë atë përmes Beogradit. Kjo lidhje solli vuajtje për shumë njerëz dhe një përulje të hapur të Hoxhës ndaj liderit sovjetik. Takimi i parë me Stalinin në vitin 1947 shënoi nisjen e ndikimit të plotë sovjetik në Shqipëri. Ndryshe nga kjo marrëdhënie, raporti me Hrushovin ishte i tensionuar dhe destabilizues për Hoxhën, kulmuar me përplasjen e vitit 1960 në Bukuresht, që mbetet ende mes guximit politik dhe gabimit strategjik. Pas vdekjes së Stalinit, Shqipëria shpalli 14 ditë zie kombëtare, një tregues i lidhjes së fortë ideologjike të Enver Hoxhës me figurën e tij.