Opozitë-mazhorancë konsensus për 
dekriminalizimin, ngec testi i drogës

Opozitë-mazhorancë konsensus për <br />dekriminalizimin, ngec testi i drogës
TIRANE- Komisioni i posaçëm parlamentar për Dekriminalizimin, ka miratuar dje me konsensus projektligjin e dakordësuar mazhorancë-opozitë, për ngritjen e “barrierave” që pengojnë zgjedhjen dhe ushtrimin e funksionit nga persona me rekorde kriminale. Pas gati një vit pune në komisionin parlamentar dhe 2 vite debate të forta politike për spastrimin e politikës nga elementë me të shkuar kriminale, palët më në fund ranë dakord përfundimisht që të miratojnë një draft të përbashkët për këtë çështje, ku nuk kanë gjetur dakordësi vetëm në një pikë, në testin e drogës. Ndërkohë, konsensusi është arritur për pika të tjera, siç është verifikimi i shenjave të gishtërinjve, si mënyra më e sigurt, sipas opozitës, për identifikimin e personave me të shkuar kriminale, që mund të kenë përdorur disa identitete. Në një prononcim të shkurtër për mediat, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho tha se shpreson që PD të ofrojë të njëjtin konsensus edhe për ndryshimet kushtetuese.
 
Balla
Nënkryetari socialist i komisionit të posaçëm parlamentar për “dekriminalizimin”, deputeti Taulant Balla tha se konsensusi i arritur mes mazhorancës dhe opozitës është një lajm i mirë për politikën shqiptare. Balla theksoi se neni për testin e drogës nuk u miratua, pasi sipas tij, mazhoranca nuk mund të pranojë t’i bëjë ligjet qesharake. “Nuk ka asnjë vend në botë që ka nen të ngjashëm në legjislacion të ngjashëm për këtë çështje. Kush e ka propozuar për të damkosur Shqipërinë në sytë e gjithë botës me këtë nen të turpshëm le ta miratojnë atë në statutin partisë së tyre dhe aty po deshën le të bëjnë testin e drogës, alkoolit, edhe testin e diabetit, apo duhanit nëse duan ta bëjnë. Ne nuk duam që kur miratojmë ligje në kuvend t’i bëjmë ato qesharake”, u shreph Balla. Kjo deklaratë e deputetit socialist lë të kuptohet se mazhoranca do të votojë kundër propozimit të demokratëve.
 
Bylykbashi
Kryetari i Komisionit, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka theksuar se paralelisht me këtë do punohet edhe për përmbylljen e paketës së ndryshimeve kushtetuese që reflektojnë këtë ligj shumë të rëndësishëm. “Kur Kuvendi të miratojë ndryshimet me do ia lëmë ligjit të gjejë deputetët apo zyrtarët, përfshirë kryetarët e bashkive për verifikimet e nevojshme”, tha ai, duke theksuar se numri mund të dalë edhe më i madh nga sa është denoncuar nga opozita. “Ka afate për miratimin e akteve dhe për verifikimet, për ata që janë sot në funksione publike do të operohet menjëherë dhe çdo person do humbasë mandatin sapo të dalë konkluzioni.

Brenda muajit që vjen e kemi mbyllur kornizën zbatuese, e besoj do të jetë vitin tjetër në zbatim”, tha ai. Bylykbashi u shpreh se PD i qëndron kërkesës së saj për testin e drogës. “PD i qëndron pozicionit të saj në lidhje me testin e drogës për të gjithë, si një instrument shumë i rëndësishëm për integritetin e zyrtarëve të lartë të cilët ushtrojnë funksione por në këtë mbledhje gjatë gjithë negociatave nuk u gjet dakordësia dhe mazhoranca e votoi kundër këtë nen dhe çdo dispozitë tjetër që lidhet me të. 

Testi i drogës
“Kush e ka propozuar për të damkosur Shqipërinë në sytë e gjithë botës me këtë nen të turpshëm le ta miratojnë atë në statutin partisë së tyre dhe aty po deshën le të bëjnë testin e drogës, alkoolit, edhe testin e diabetit, apo duhanit”, u shpreh Balla.
 
Vasili: U shtrua udha e konsensusit, të miratojmë “drejtësinë”
 Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili e cilësoi miratimin e projekt ligjit për dekriminalizimin arritje të politikës, por theksoi se ky hap duhet të ishte hedhur më parë. Sipas tij, me këtë ligj i jepet gjithashtu një mesazh i rëndësishëm partnerëve ndërkombëtarë dhe se hap rrugën për konsensuse të reja. “Është një arritje e rëndësishme në të cilën nuk ka vend as triumfalizimi politik, as monopolizimi i një konsensusi të rëndësishëm”, u shpreh Vasili duke theksuar se sfida e radhës është reforma në drejtësi. Për numrin dy të LSI-së, miratimi i dekriminalizimit shtroi udhën e konsensusit për miratimin e reformës në sistemin e drejtësisë. “Reforma në drejtësi përbën një shqetësim madhor për të gjithë shqiptarët dhe na imponon që ta ndërtojmë pa humbur kohë, këtë konsensus të ri, sepse udha e konsensusi është e shtruar”. 

Lulzim Basha: Të largojmë kriminelët pa humbur kohë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas miratimit të projektligjit për dekriminalizimin në Komisionin e Posaçëm Parlamentar. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, kryedemokrati shprehet se me këtë vendim u hodh një hap i madh para drejt realizimit të procesit të dekriminalizimit. Duke e cilësuar një ngjarje të rëndësishme për demokracinë, Basha thotë se kjo nismë e PD “do t’i japë fund njërës prej njollave më të mëdha të Shqipërisë”. “Nisma jone tashme me konsensusin e të gjitha palëve do t’i japë fund njërës prej njollave dhe plagëve më të mëdha të Shqipërisë në 25 vite”, u shpreh Basha. Ai deklaroi se ligji duhet të zbatohet pa humbur kohë me qëllim largimin e menjëhershëm të të inkriminuarve.

“Kjo është një ngjarje e rëndësishme për demokracinë shqiptare, që do të vuloset me miratimin e projektligjit në Kuvendin e Shqipërisë dhe me fillimin e zbatimit të tij pa humbur asnjë ditë”. “Falënderoj qytetarët shqiptarë që pavarësisht bindjeve politike, mbështetën dhe nxitën fuqishëm kauzën jetike të dekriminalizmit. Falënderime të thella për miqtë dhe partnerët tanë, SHBA dhe BE, ndihma e të cilëve ka qenë dhe mbetet vendimtare për ta bërë dekriminalizmin ligj dhe realitet të jetës tonë politike dhe institucionale. Kam besim se ky është fillimi i një ere të re, pa krim të veshur me pushtet, pa pushtet të veshur me krim. Për këtë qëllim e nisëm dhe do ta vazhdojmë deri në fund këtë betejë”, tha Basha.
 
 Kush rrezikon, veprat që pengojnë kandidimin dhe emërimin në poste shtetërore
 -- Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
-- Vepra penale në fushën e zgjedhjeve.

-- Kryerjen e një krimi për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim.
--Kryerjen me dashje të një krimi, edhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
--Dënime me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale.  

--Ndalimi vlen edhe ndaj personave që në kohën e kryerjes apo tentativës së kryerjes të veprës penale të parashikuar në këtë ligj, mbanin të dhëna identiteti të ndryshme nga ato që mbajnë në momentin kur zbatohet ndalimi ndaj tyre.
--Për veprat penale personi nuk mund të emërohet apo zgjidhet në funksionet publike si më poshtë:
a)   në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;
b)   në postin e zëvendësministrit apo të njëvlerëshëm me të;
c)   në postin e prefektit;

ç) funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetuese apo të krijuar me ligj:
d) në Shërbimin Informativ Shtetëror;
dh) në shërbimin civil;

e)   në çdo nivel drejtimi të policisë së shtetit;
ë) ushtarakë të forcave të armatosura, si dhe
f) në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në mazhorancë ose administrohen nga shteti.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Kuvendi në flakë, Asllan Dogjani në 'Frontline Interview': Kushtetuta amerikane parashikon që qytetarët të marrin armët kur shteti punon kundër tyre

Kuvendi në flakë, Asllan Dogjani në 'Frontline Interview': Kushtetuta amerikane parashikon që qytetarët të marrin armët kur shteti punon kundër tyre