Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnia-Herzegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, Eduard Kukan, ka kërkuar dialog në Parlament ndërsa ka përmendur si dy shenja të mira drejt integrimit janë zgjedhjet parlamentare dhe kalimi i pushtetit.
Ndërsa për europarlamentaren Tanja Fajon “Shqipëria është në një moment kyç dhe pritshmëritë janë të larta".
Kreu i delegacionit të BE në Shqipëri, Ettore Sequi, vuri theksin në rëndësinë e dialogut politik dhe bashkëpunimit të gjithë aktorëve në kuadër të integrimit të vendit. Ndërkaq, ambasadori Sequi u ndal tek prioritetet kyçe ku duhet të fokusohet vendi ynë, që janë reforma në administratën publike, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, si dhe përfshirja e romëve.
Më herët Kryetari i delegacionit europian Eduard Kukan ka zhvilluar takime edhe me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, si dhe ka mbajtur një fjalë në ministrinë e Jashtme, para Akademisë Diplomatike ku ka bërë thirrje edhe që “detyra për të bindur Komisionin Europian nuk është vetëm e ministrit të Punëve të Jashtme, por e të gjithë ministarave të tjerë”, ndërsa u shpreh se “s’duhet humbur më shumë kohë, siç ka ndodhur deri më tani”.
VULJANIC: TË AKUZONI NJËRI-TJETRIN S’KA KUPTIM, S’JU ÇON ASGJËKUNDI
Eurodeputeti kroat, Nikola Vuljanic, kritikoi anëtarët shqiptarë në komisiomin parlamentar të Stabilizim-Asociimit, për akuzat ndaj njëri-tejtrit në këtë tryezë, duke theksuar se “kjo sjellje nuk të çon gjëkundi”.
Duke u ndalur tek përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, Vuljanic tha se “këto reforma nuk janë për të bindur të tjerët, apo BE, por për mirëfunksionimin e vendit”.
“Kjo nuk të çon gjëkundi, dëgjova shumë zhurmë, shumë fjalë, për statistika, për raste që janë ndjekur. Lufta kundër korrupsionit nuk është për të bindur të tjerët apo BE, por duhet të bëhet për mirëfunksionimin e vendit. Nuk do jeni në gjendje të funksiononi si shtet, në kuadër të legjislaciont të BE, nëse nuk zgjidhni këto probleme. Të akuzoni njëri-tjetrin nuk ka kuptim. Nuk e di se ku doni të dilni me këtë”, u shpreh Vuljanic.
DORIS PACK: TË TREGOHET VËMENDJE DHE KUJDES NDAJ ADMINISTRATËS
Eurodeputetja Doris Pack tha se duhet të tregohet vëmendje dhe kujdes ndaj administratës, ndërsa shtoi se nevojitet mirë-trajnim. “Ky vend ka nevojë për një administratë të mirë”, tha Pack.
Duke u ndalur tek shkarkimet dhe emërimet, eurodeputetja Pack tha se “Drejtorit të AMA i mbaron mandati në 2016. Nuk e ka në dorë qeveria heqjen e drejtorit të AMA. Shkarkimi i drejtorit të antikontrabandës është i padrejtë, e kishte fituar punën me konkers”.
Ndërkaq, eurodeputetja ka theksuar se “progress-raporti i KE përmend nevojën e reformës në gjyqësor”, ndërsa shtoi se “Ministri i Parlamentit është i panevojshëm, pasi ka shumë ministra”.
KUKAN: ZGJEDHJET DHE KALIMI I PUSHTETIT SINJALE POZITIVE, DUHET DIALOG NË PARLAMENT
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnia-Herzegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, Eduard Kukan, është ndalur tek arritjet e bëra nga vendi ynë në kuadër të integrimit europian. Kukan ka përmendur si dy shenja të mira dhe premtuese realimin e zgjedhjeve parlamentare në 23 qershor dhe kalimin e pushtetit. Ndërsa ka ritheksuar rëndësinë e dialogut politik, ndërsa u shpreh se “parlamenti është një aktor i rëndësishëm në këtë proces”.
“Në periudhën e fundit kemi parë disa shenja të mira dhe premtuese në Shqipëri sa i përket integrimit të saj në BE. Duke menduar se dialogu politik ka menaxhuar zgjedhje të mira, dhe kalimin pa probleme të pushtetit, këto janë predispozita shumë të rëndësishme për ta çuar procesin më përpara.
Do të ketë një vendim shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, si dhe për reformat që duhen marrë më tej vendit sa i takon integrimit europian.
Ky është sinjal për punën e bërë nga qeveria e kaluar, dhe për qeverinë e re për vijimin e reformave në kuadër të integrimit, dhe ky process mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse shihet si një interes i përbashkët i të gjithë forcave. E shoh parlamentin tuaj si një aktor të rëndësishëm në këtë proces. Si në çdo shoqëri, parlamenti është pjesa kresore e demokracisë, pasi diskutimet politike dhe dialogu gjithëpërfshirës duhet të ndodhë. Ky dialog është kritik, për procesin e integrimit dhe mirëfuksionimin e shoqërisë. Siç e thonë edhe deputetë që i përkasin grupeve të ndryshme politike, ju keni përgjegjësinë për qytetarët tuaj edhe sa i takon aspiratave për integrimin europian. Integrimi në BE është i arritshëm, por ka ende shumë punë për të bërë. Anëtarët e delegacionit të PE janë këtu për t’ju ndihmuar në këtë drejtim. Shpresoj se do të kemi diskutimeve të frytshme”, u shpreh Kreu i delegacionit të PE, Eduard Kukan.
BUSHATI: MARRJA E STATUSIT PROCES I MUNDSHEM, POR JO I PERFUNDUAR
Në fjalën e tij, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, është ndalur tek përpjekjet e bëra nga vendi ynë në kuadër të realizimit të reformave për integrimin europian.
“Për ne marrja e statusit të vendit kandidat dhe më tej nisja e bisedimeve është proces i mundshëm, por jo i përfunduar. Pasi e cilësojmë si nxitje në realizimin e reformave në kuadër të integrimit. Kjo është një etapë e re, jo thjesht një udhëtim drejt Europës, por një udhëtim drejt vetes. E konsiderojmë si një hap më tej në rrugën e realizimin të reformave me cilësinë e duhur dhe ritmin që kërkon BE. Qytetarët presin cilësi dhe standarde më të larta jetese. Vëzhguar në këtë drejtim, procesi i integrimit është i rëndësishëm për vendin, edhe sa i takon integrimit social, politike e ekonomik. Mazhoranca shpreh bindjen për bashkëpunim me opozitën dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, u shpreh Bushati.
“Krijimi i Këshillit Ekonomik është një hap më tej drejt përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Kështu do kanalizohen problematikat dhe shqetësimet që has biznesi. Po kështu janë një sërë zhvillimesh në Ballkan në kuadër të integrimit europian, dhe ky është një hap më tej për vendet e rajonit”, vijoi ministri i Jashtëm.
BUMÇI: OPOZITA S’DO PENGOJË INTEGRIMIN
Nënkryetari i palës shqiptare në komisionin parlamentar të Asociim-Stabilizimit, Aldo Bumçi, tha se “Shqipëria e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat”, ndërsa u ndal edhe tek arritjet e bëra në këtë drejtim. Bumçi shprehu anagazhimin e PD dhe opozitës për angazhimin në kuadër të integrimit, ndërsa theksoi se nuk do të pengohet ky proces.
“Në emër të PD dhe opozitës shprehim qëndrimin tonë të qartë dhe të palëkundur se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat. E mirëpresim propozimin e KE për dhënien e statusit të vendit kandidat për të dytën herë, e këtë herë pa kushte. Vlerësojmë projekt-raportin, si realist dhe objetkiv për ato që Shqipëria ka arritur. Edhe bazuar në rezultatin e zgjedhjeve sa i takon realizimit të procesit, Shqipëria e meriton integrimin. PD dhe opozita i qëndron besnike për t’iu përgjigjur çdo thirrje për të plotësuar hapat e duhur drejt integrimit, dhe nuk do të pengohet integrimi i vendit”, u shpreh Bumçi.
Më tej përfaqësuesi i opozitës në këtë komision parlamentar shprehu disa shqetyësime për disa “zhvillime aspak pozitive”, sipas tij sa i takon akteve të ndërmarra nga qeveria e re.
“Ne dëshirojmë të vendosim theksin në disa zhvillime aspak pozitive, edhe pse jemi në javbn e 6-të të qeverisë së re, siç është respektimi i shtetit të së drejtës. Në disa akte kemi shkelje të shtetit të së drejtës, si akti normativ për ligjin e shërbimit civil që shkeli konsensusin e arritur me vështirësi, dhe është akt antikushtetues; akti normativ për ndryshimin e buxhetit, pasi në ligjin e shtetit nuk parashikohet të merret borxh për shpenzime operative; emërimet në Policinë e Shtetit, emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë; si dhe vendimi i qeverisë që i jep kompetenca antikushtetuese kryeinspektorit të shtetit për prishjen e ndërtimeve pa leje; po kështu shqetësim mbetet edhe ekonomia e vendit, pasi me mbledhjen e tatimeve parashikohet një deficit më i lartë”, tha Aldo Bumçi.
Duke u ndalur sërish tek objektivi strategjik i vendit sa i takon integrimit europian, Bumçi tha se opozita beson se “marrja e statusit do e ndihmojë Shqipërinë duke rritur mbikëqyrjen e BE në vendimet e qeverisë shqiptare”.
SEQUI: DUHET DIALOG POLITIK KONSTRUKTIV DHE REALIZIM I 5 PRIORITETEVE KYÇE
Kreu i delegacionit të BE në Shqipëri, Ettore Sequi, vuri theksin në rëndësinë e dialogut politik dhe bashkëpunimit të gjithë aktorëve në kuadnër të intregimit të vendit. Ndërkaq, ambasadori Sequi u ndal tek prioritetet kyçe ku duhet të fokusohet vendi ynë, që janë reforma në administratën publike, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, si dhe përfshirja e romëve.
“Ne presim një bisedim konstruktiv politik, dhe do isha i lumtur që të çoja në selinë e BE faktet se aktorët politikë në Shqipëri po bëjnë hapat e duhur në kuadër të integrimit europian. Edhe zgjedhjet në vend u panë si pozitive. Duke parë këtë progres, dhe duke parë këtë angazhim të Shqipërisë, KE vendosi të propozojë dhënien e statusit të vendit kandidat për vendin. 5 prioritetet kyçe për adminsitratën publike, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njëriut, si dhe përfshirja e romëve. Ne jemi të bindur se integrimi europian duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës. Nuk kemi kohë për të humbur, sidomos deri në dhjetor, ky proces i reformave duhet vijuar, kryesisht sa i përket realizimit të prioriteteve kyçe”, theksoi kreu i delegacionit të BE në Shqipëri.
Më tej, ambasadori Sequi shprehu angazhimin e Bashkimit Europian në mbështetje të integrimit të Shqipërisë. Sequi tha se në muajin nëntor komisionieri Fyle do të lançojë një iniciativë në kuadër të integrimit.
“BE mbetet e angazhuar për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Duhet të angazhoheni me iniciativa konkrete. Fyle do lanvcojë në nëntor një iniciativë në kuadër të integrimit. Në duhet të njoftojmë kalimin e qasjes tonë paraaderim, në një hap tjetër, në mënyrë që të orientojmë Shqipërinë drejt një angazhimi me konkret. Në këto fusha kemi të nevojshme të shohim mundësinë për të parë gjërat thelbësore që kanë të bëjnë me zbatimin e reformave”, u shpreh ambasadori Sequi.
FAJON: SHQIPËRIA NË MOMENT KYÇ, KEMI PRITSHMËRI TË LARTA NGA ENERGJITË E REJA
"Shqipëria është në një moment shumë kyç, se ne kemi pritshmëri të larta nga energjitë e reja dhe të freskëta në Shqipëri, se kjo është shumë e rëndësishme. Dje unë po bëja maratonë dhe kur arrin në gjysmë të rrugës ke nevojë për energji të reja. Shqipëria ka bërë deri tani gjysmën dhe ka nevojë për një shtytje tjetër dhe shpresoj që ju të keni energjinë e nevojshme që deri në dhjetor ju të nxisni marrjen e Statusit", ka thënë europarlamentarja Tanja Fajon, e pranishme në konferencë.
Sipas saj, Shqipëria ka bërë progres domethënës, por prapë ka shumë për të bërë. Ka rëndësi që Shqipërisë t’i jepet statusi dhe një nga 5 prioritetet kyç është lufta ndaj krimit të organizuar. Në BE sapo kemi përfunduar punën për një komitet mbi krimet në gjithë vendet anëtare të BE. Në kohët e krizave financiare hasim të gjithë kësi problemesh. Jam shumë i inkurajuar nga parlamenti i ri, qeveria. Që kjo do të jetë një nga çështjet kyçe të saj. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ngrërë një koordinator kombëtar në luftën kundër korrupsionit. Ne humbasim 1% të GDP prej korrupsionit, se qeveritë tonë s’janë të efektshme në luftën kundër tij. Është e rëndësishme që të arrihet besimi i qytetarëve që jeni seriozë në këtë luftë dhe paratë të kthehen aty ku duhet të jenë".
"Unë vij nga Sllovenia dhe ne në vendin tim kemi shumë probleme. Është luftë që zgjat shumë. Jam pak konfuze për veprimet e fundit në luftën kundër kumarit online. Dua të marr më shumë informacion. Por çdo veprim që lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe kanë synim parandalimin e veprimeve të paligjshme duhen inkurajuar. Duhet ngritur ndërgjegjësimi i qytetarëve, që nis me gjërat e vogla ku flitet për korrupsionin. Në Slloveni kemi nisur luftën kundër ekonomisë gri. Ne do investojmë në Slloveni 120 mijë euro, vitin tjetër 240 mijë euro, që të ulet ekonomia gri, pasi humbasim shuma 8-10 bilionë euro nga ekonomia gri. Në buxhetin publik humbasim 100 miliardë euro. Sensibilizim me gjëra të vogla, si rëndësia e lëshimit të kuponit tatimor", ka thënë Fajon.
Ajo ka pohuar se Shqipëria mbetet vend origjine i trafikimit të qenieve njerëzore, të të rriturve dhe minorenëve për gjithë Ballkanin Perëndimor. Krimi kibernetik është një fushë, që ka nisur të tërheqë gjithmonë e më tepër aktivitet kriminal, pasi humben miliona euro".
"Parlamenti duhet të jetë një shembull i mirë me standarde të larta etike, ku të zhvillohet dialog politik. Është momenti që kjo besueshmëri të rritet, sepse qytetarët shqiptarë meritojnë progres më të madh", përfundoi fjalën e saj Tanja Fajon.
POLLO: GËZIM PA DALLIME PARTIAKE, REKOMANDIMI I STATUSIT KANDIDAT PA KUSHTE
Progres Raporti i miratuar nga BE vuri në dukje arritjet e qeverisë, Kuvendit dhe aktorëve të tjerë në përmbushjen e detyrimeve për të ecur përpara. Specifikisht në miratimin e 3 ligjeve dhe çfarë ishte më e gëzueshme për të gjithë pa dallime partiake: rekomandonte pa kushte statusin kandidat pa kushte për Shqipërinë. E rëndësishme është që qeveria të ecë përpara mbi arritjet e bëra. Me gjithë përpjekjet tona për të arritur konsensus arritëm të miratojmë 3 ligjet me konsensus, gjë jo e shpeshtë dhe e lehtë tek ne.
HYSI: KA PROGRES NË LEGJISLACION, POR STATISTIKAT E KRIMEVE LËNGOJNË
"Në legjislacion Shqipëria ka bërë progres; tre janë drejtimet kryesore; 1) reforma në legjislacionin penal në luftën kundër korrupsionit, 2) përmirësimi i legjislacionit për forcimin e institucioneve të pavarura; 3) disa ligje të tjera që synojnë politikat e parandalimit të krimit të organizuar dhe kam parasysh jo ligjet penale, por ato që rrisin sensibilitetin në publik", ka nisur diskutimin e saj deputetja e PD, Vasilika Hysi.
Reformat janë penguar, pasi në Kodin Penal ka pengesa për zbatimin. Nëse kemi bërë progres në reformën legjislative, treguesit statistikorë janë të dobët dhe lënë shumë për të dëshiruar; statistikat për krimin lëngojnë, nuk pasqyrojnë realitetin. Kjo vjen për dy arsye; e para mungesa e profesionalizmit të atyre që përpunojnë statistika; është mungesa e vullnetit politik, për të parë realitetin në sy sado i hidhur të jetë ai. Është emergjente që jo vetëm INSTAT të jetë i pavarur dhe profesional, por edhe ne si parlament, dhe BE ka shpenzuar të punojmë për të bërë një sistem të unifikuar, se çfarë bëhet me denoncimet në polici me rastet e denoncimit të korrupsionit, pastrimit të parave etj", ka deklaruar Hysi.
"Ata që bëjnë korrupsion trajtohen të lirë si të jetë krim i zakonshëm dhe jo me rrezikshmëri të lartë. Cila është qasja e qeverisë; ka risi në luftën kundër korrupsionit. Aksioni i parë me lojërat e fatit, që kanë sjellë pasoja negative për shoqërinë dhe ekonominë. Aksionet për pasojat mjedisore që shkakton korrupsioni te pyjet, largimin e parave nga grupe kriminale jashtë Shqipërisë jashtë kontrollit dhe pa paguar detyrime".
BREGU: PRANIMI I REZULTATIT TË ZGJEDHJEVE, STANDARD NË SHQIPËRI
"Që nga takimi i fundit kanë ndodhur shumë ndryshime në Shqipëri, si ai me më sukses zgjedhjet parlamentare, të cilat janë vlerësuar kompetitive dhe kanë përmbushur standardet. Standardi i pranimit të rezultatit, që ka qenë i paaplikuar në zgjedhje të tjera, duke krijuar situata të turbullta. Për të dytën herë KE rekomandon statusin kandidat Shqipërisë. Mbi reformën e luftës ndaj krimit të organizuar vlerësojnë se Shqipëria ka strukturë të konsoliduar në luftën kundër krimit të organizuar, duke e shoqëruar me një sërë të dhënash në luftën kundër drogave. Shqipëria është një nga vendet ku rekomandimet e Grecos janë tërësisht të plotësuara. Është miratuar edhe strategjia kombëtare kundër krimit të organizuar", tha në fjalën e saj ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Por ajo ka shtuar se të gjitha këto të dhëna në polici kanë më shumë se 10 ditë që nuk funksionojnë, pasi më se 80 vetë janë pezulluar nga puna. "Ka një paradoks nga qeveria e re; një ndëshkim kolektiv që s’ka ndodhur në vitin 1992, as në 1997 dhe as në vitin 2005. Nuk ka asnjë oficer policie, që ta trajtojë më krimin. Nuk ka asnjë nisje të një hetimi proaktiv, i cili kanë qenë pjesë e rëndësishme e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Po ngrë me shqetësim para jush këtë situatë, tërësisht e papranueshme; me akte jolegjitime dhe veprime arbitrare ndaj Policisë së Shtetit. PD ka bërë kallëzim penal për shkeljen flagrante të ligjit dhe shpërdorim detyre. Shpresoj që kryeministri do mbështesë këtë hetim, siç ka mbështetur sot krahëhapur hetimin mbi kryebashkiakun e Vlorës. Po flasim për zhvillimin ekonomik dhe po i kthehem gjërave që duhet të thonim".
BLUSHI: NE KEMI VULLNET PËR ZBATIMIN E LIGJIT, KJO KA 20 VJET QË MUNGON
"U akuzuam se bllokuam procesin e integrimit. Pas shumë debateve më në fund u arrit të kemi konsensus për 32 ligjet, njëri statusi i nëpunësit civil. I vetmi kusht i tij: hyrja në funksionim përtej zgjedhjeve, për të hyrë në fuqi në 1 tetor. Kur erdhëm në pushtet pamë se koha nuk ishte konsumuar për aktet nënligjore, gjë që e bënte ligjin të pazbatueshëm. Thanë që ligji është i pamundur. I kërkuam konsensus opozitës që ligji të hyjë në funksion 6 muaj më vonë. U detyruam që me shumicën e votave, për të mos penguar funksionimin e ligjit, ta ndryshojmë. Jam i bindur që koha e domosdoshme prej 6 muajsh do t’i shërbejë qeverisë", ka analizuar në takim situatën e ligjit të nëpunësit civil, deputeti i PS, Ben Blushi.
"Ne mund të marrim kritika sot por jemi vetëm 44 ditë në pushtet. Janë thjesht 44 ditë. Shumëkush që mund të ketë arsye për të qenë skeptik, shumica janë të bindur se ka një vullnet për zbatimin e ligjit, gjë që i ka munguar Shqipërisë në 20 vjet. Kolegët na kritikojnë se kemi më shumë vullnet seç duhet. Shqipëria kishte 1 milion bunkerë me leje në vitin 91. Në këto 20 vjet tranzicion të paktën janë ndërtuar gjysma e tyre pa leje. Këto na kanë marrë hapësira publike, kanë korruptuar administratën, kanë prishur parqet, kanë rrezikuar mjedisin për shkak të ndotjes. Nuk kanë zvogëluar papunësinë, sot ka më shumë të papunë, ekonomia më e varfër. Jemi të bindur se e vetmja mundësi për ta sjellë ekonominë në shtratin e tij duhet zbatuar ligji. Nuk ka rëndësi me çfarë e prish një ndërtim pa leje me trotol apo krah pune, në fakt me tritol kursen më shumë", u shpreh Blushi
Redaksia Online
(e.s/mag/shqiptarja.com)