Kryeministri Edi Rama ia bëri të qartë opozitës se s’ka dorëheqje. Përmes mesazhit për çështjen e Vlora Hysenit, Rama tha se asgjë nuk do ta ndalë dhe se Shqipëria nuk kthehet më pas. Duke iu përgjigjur edhe akuzave për korrupsion, kreu i qeverisë tha se “deri dje korrupsioni ishte sistemi”, ndërsa sot, sipas tij, është vetë sistemi që po e lufton, përmes një drejtësie që vepron në pavarësi të plotë.

“Ky adresim lidhet me çka po ndodh me korrupsionin e me drejtësinë, e cila është një prej rezultateve historike të misionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Korrupsioni vazhdon të jetë një hije e rrezikshme përgjatë rrugës sonë, por ndryshimi historik është se ai sot përballet me një tjetër sistem, ku janë formësuar e po zhvillohen organe që hetojnë, akuzojnë, gjykojnë dhe konfiskojnë në liri e pavaresi të plotë.

Deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin dhe ky është një ndryshim epokal që ka nisur. Vetëpastrimi i sistemit në këtë fazë ende në formësim të shtetit të ri europian të Shqipërisë është i zhurmshëm. Madje është nganjëherë edhe i pistë dhe shpeshherë po shumë i dhimbshëm. Ai prek e lëndon edhe individë të pafajshëm, ashtu sikundër keqtrajton e dehumanizon këdo edhe të fajshmit. Por vetëpastrimi i sistemit është një zhvillim i shumëpritur në organizmin e shtetit, pas një agonie tejet të gjatë sa historia e shtetit shqiptar. Organizmi i shtetit po fiton imunitet nga sëmundjet e vjetra, e kur kjo fazë e zhurmshme, e pistë dhe e dhimbshme të ketë kaluar; kur emrat, sekretet, jargët, shkrofëtimat e piskamat e tezgave mediatike të jenë fashitur; kur tymrat e pasqyrave digjitale të jenë shpërndarë e pluhurat e kantierit të Reformës në Drejtësi të jenë tretur, atëherë të gjithë do ta shohin se këto zhvillime, janë pjesë jetike e ndryshimit rrënjësor pa kthim ku po ecën sot Shqipëria. Sot unë jam kthyer në Shqipëri, po Shqipëria nuk kthehet pas. Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)