Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj priti në një takim paraditen e sotme një delegacion holandez, që drejtohej nga ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë së Mbretërisë së Holandës. Lleshaj përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se biseduan për një fazë të re bashkëpunimi në luftën kundër krimit.
"Sapo mbylla një takim shumë të rëndësishëm me Ferdinand Grapperhaus, Ministër i Drejtësisë dhe Sigurisë së Mbretërisë së Holandës. Ndamë vullnetin e përbashkët për një fazë të re bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar në funksion të një Shqipërie europiane" thotë Lleshaj.
Ndërsa gjatë fjalimit në Kuvend, Lleshaj shtoi se "Partnerët vijojnë që të kenë mbështetje për reformat, edhe në kushtet e një klime politike jo normale pas daljes së opozitës në rrugë, në vend të parlamentit" theksoi ai.
Situata ishte mjaft e tensionuar para takimit, pasi te Ministria e Brendshme në mëngjes një grup protestuesish opozitarë bllokuan rrugën duke sjellë tension dhe përplasje. Holanda ishte një nga tre vendet skeptike që shtynë qershorin e kaluar hapjen e negociatave për Shqipërinë.