Operacioni i policisë së kryeqytetit mban emrin e koduar në anglisht “Multi Games 2”. Objektivi? Lokale dhe ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Në një prej tyre, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu” u arrestua, i riu 25 vjeçar, administrator i lokalit, ku nuk shërbehej vetëm kafe e pije, por ofrohej dhe mundësia e basteve.
"Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi G. B., 25 vjeç, pasi në lokalin që ai administronte, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, organizoheshin lojëra fati në anë të kompjuterit dhe celularit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale", thuhet në njoftimin e policisë.
Raste si ky janë të përditshme. Ndalimi i lojërave të fatit në fund të vitit 2018, thjesht bëri që mjediset pafund që kishin populluar qytetet në të gjithë vendin, të mbylleshin, ndërsa bastet sportive u transferuan online, duke i dhënë jetë një veprimtarie, e gjitha në të zezë.
Vetëm në tre vitet e fundit, sipas shifrave zyrtare të siguruara nga Report TV, janë zbuluar gati 1200 raste të basteve të paligjshme. Shifrat në 12 qarqe kanë trend thuajse të ngjashëm sa i përket numrit të rasteve të zbuluara, 436 në vitin 2023, 433 në atë pasardhës dhe 335 raste në 2025. Tirana ka numrin më të lartë, bazuar edhe në raportin me popullsinë, ndjekur nga qytete të tjera të mëdha.
Dy herë më i lartë, afro 2400, është ai i personave të arrestuar, ndaluar, apo hetuar në gjendje të lirë për ushtrimin e aktivitetit të basteve.
Për të anashkaluar bllokimin e domain-eve të faqeve ndërkombëtare të basteve nga autoritetet vendase, përdoren VPN të huaja, ndërsa në disa raste faqet e basteve fshihen pas emrave që reklamojnë tregtim mallrash të ndryshëm, kryesisht rroba.
Që prej vitit 2024, është në fuqi një ligj i ri, i cili parashikon dhënien e 10 licencave. Por deri më tani asnjë nuk ka asnjë operator dhe asnjë procedurë licencimi nuk ka nisur. Aktet nënligjore që përcaktojnë rregullat specifike nuk janë gati, ndonëse duhet të kishin përfunduar brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Autoritetet e kanë justifikuar vonesën e gjatë me kompleksitetin e gjithë kuadrit ligjor.
Javën e kaluar qeveria miratoi një vendim i cili përcakton disa nga kushtet që duhet të përmbushin operatorët që do të licencohen. Por dhe ai, është vetëm një nga shumë të tillë që duhen për të plotësuar të gjithë kuadrin e nevojshëm për ta bërë ligjin funksional. Ministri Malaj, premtoi miratimin e tyre brenda një kohe të shpejtë, por pa dhënë një afat konkret.
_________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente








