Për vëllezërit serbë të Shkëlzenit dhe kolegët e mi kosovarë

Për vëllezërit serbë të Shkëlzenit dhe kolegët e mi kosovarë
Në shtator të vitit 2005 kam qenë i pranishëm në një takim të Sali Berishës me Presidentin rumun Basesku, në një qoshe të OKB në Nju Jork. Edhe pse kish vetëm tri ditë që kish ardhur në pushtet, e vetmja gjë që Berisha i kërkoi Baseskut, ishte se si të koordinonin punët kundër një kompanie serbe që kishte monopol energjetikën në Ballkan. Biseda u bë në kontekstin e kërkesës që Berisha i bëri Baseskut për ta ndihmuar me energji elektrike, pasi dimri që po vinte ishte kërcënues dhe liqenet e Shqipërisë ishin tharë. Basesku në fakt u hutua shumë nga kërkesa dhe nuk i dha asnjë përgjigje për biznesmenin serb, por i premtoi se do ta ndihmonte me eksport energjie. Biznesmeni serb ishte në të vërtetë Hamoviç, njeriu për të cilin Berisha tani po prish dhe linjat e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë dhe po saboton fuqizimin e tyre vetëm që ky biznesmen të vazhdojë të sundojë dhe të ketë monopolin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Kush e pajtoi Sali Berishën me këtë biznesmen dhe si u arrit nga armiqësia e tij parimore tek miqësia e tij deri në sakrifikim të hapësirës energjetike shqiptare në Ballkan?

Përgjigja e vetëm është Damir Fazlliç, biznesmeni i Familjes Berisha. Kur Berisha ende nuk ishte kthyer nga Nju Jorku në Tiranë, biznesmeni në fjalë kish hapur ndërkohë katër kompani biznesi, në të cilët kish përfshirë dhe kunatin e Lulëzim Bashës si administrator. Fazlliç kish ndërmjetësuar marrëveshjen mes Berishës dhe BG&R, një kompani lobimi amerikane që u shfaq në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005. Berisha faturoi për këtë kompani zyrtarisht 500 mijë dollarë, ndërsa rreth 1 milionë dollarë i nxori në rrugë informale në Maqedoni në emër të pagesës cash për ta, duke përdorur si shofer ministrin e sotëm të Brendshëm. Në anën tjetër paratë i prisnin njerëzit e Damir Fazlliç. Në të vërtetë dyshimi i madh ishte se paratë u kthyen tek bizneset e Fazlliçit në Tiranë, të cilat startuan nën kujdestarinë me të drejta të plota juridike të studios së vajzës së kryeministrit. Argita Berisha, siç është provuar përmes avokates së studios së saj, kishte të drejta të plota për shitje- blerje dhe tërheqje paresh të aseteve të këtyre kompanive, deri dhe në tërheqje lekësh nga llogaria e tij personale. Më shumë se kaq nuk ka arsye të quhesh pronar real i atyre bizneseve. Pasi çështja shpërtheu në vitin 2008 dhe Fazlliç u mor i pandehur, Berisha u angazhua personalisht në mbrojtje të tij dhe hodhi në luftë gjithë PD të ishte pro tij. Dritan Broci, një gjyqtar i njohur i PD-së në Tiranë, mbylli çështjen me procedurë pasi u vonua korrespondenca nga Qiproja.

Prej asaj kohe Damir Fazlliç u bë legjendë në Shqipëri, por realisht ai u bë një nyje kyçe për të futur gjithë biznesin e ish- Jugosllavisë në Shqipëri. Asnjëherë biznesi serb nuk ka qenë kaq prezent sa në qeverisjen e Berishës në Tiranë. Nga një ortakëri e kunatës së Fahri Balliut me një serb në emër të një kompanie austriake, u dhanë mbi 100 milionë euro tenderë rrugësh. Kompania e Fazlliçit në energjetikë, Rudnap Energjia, së bashku me bosin e saj, malazezin Lazareviç, është fituesja numër një e pareve publike për blerje energjie për llogari të shtetit shqiptar. Iniciativa e Berishës për Shqipërinë në moshën e internetit përfundoi në një tender banal, që disa biznesmenë serbë, po lidhje të Fazlliçit, morën miliona euro dhe sollën ca plehra në Shqipëri, që edhe pse nuk funksionuan kurrë, qeveria i shpërbleu edhe me një shtesë fondi. Kontrolli i Lartë i Shtetit u detyrua para ca kohësh ta bënte publik skandalin që ne e kemi denoncuar qysh kur ndodhi. Serbë të tjerë filluan të futen në industrinë e skrapit në vend dhe përpunimit të mbetjeve metalore, duke hapur fabrika që i përuronte Berisha. Një tjetër mik i Fazlliçit, ish zëvendëskryeministri i Millosheviçit, Mishkoviç, iu afrua një biznesmeni të oborrit të Berishës, duke i blerë formalisht rrjetin e supermarketeve dhe duke ia rikthyer atë në një formë tjetër në një biznes të ri supermarketesh sllavo- grek, që paraqitet si francez, në lindje të Tiranës, për të cilin qeveria shqiptare ka paguar më shumë lek për rrugët që të çojnë aty se sa vlen gjithë investimi. Pra, Berisha arriti ta instalojë biznesin serb në Shqipëri kudo, në energjetikë, në naftë, në teknologji, në ndërtim rrugësh, në tregun ushqimor dhe deri në tregtinë e pistë të armëve me regjimet e Lindjes së Mesme. Në raport me biznesin serb, biznesi i Kosovës mund të thuhet që as ka mundur ta prekë Shqipërinë. Asnjë biznesmen i Kosovës nuk ka mundur të fitojë ndonjë tender me paret publike të qeverisë së Berishës dhe as që bëhet fjalë të ketë konkurruar me ndonjë biznesmen serb dhe të ketë fituar.

Ky zhvillim i pakundërshtueshëm i pranisë së biznesit të ish- mafies jugosllave në Shqipëri, është meritë e padiskutueshme e Sali Berishës. Kjo natyrisht ka tronditur imazhin e tij si “patriot” dhe “baba i Kombit” në Kosovë. Pjesa e ndriçuar e Kosovës, intelektualët dhe njerëzit me mendje të hapur kanë mundur të shikojnë tek ai një pushtetar inferior ndaj biznesit sllav, dhe një njeri që praktikisht i ka deleguar pushtetin një sekseri serbo- boshnjak, lidhjet e të cilit të çojnë tek ish- shefi i shërbimit sekret të kohës së Millosheviçit, sipas medies serbe dhe boshnjake që e njohin mirë.

Është kjo arsyeja që i biri i Sali Berishës, i cili praktikisht është kryeministri në hije i Shqipërisë për çdo mundësi për të bërë biznes në Shqipëri, është shqetësuar seriozisht pse gazeta Zëri në Prishtinë ka hedhur akuza se ai ka krijuar lidhje të forta me mafien energjetike serbe në Ballkan dhe bash për këtë kryeministri i Shqipërisë sabotoi me qetësi ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë. Kush nuk e mban mend, po ua kujtoj. Financuesi gjerman i linjës, banka KFW, përzgjodhi një kompanisë serioze që plotësonte parametrat profesionalë për ta bërë linjën. Berisha e kundërshtoi duke dashur të zgjedhë një firmë boshnjake, e cila nuk ka parametra sigurie, por sipas Berishës e bënte me më pak lek… me më pak lek në këtë rast do të thotë ta bëjë keq dhe ta sabotojë me qëllim që mafia serbe e energjetikës, ajo që Berisha e urrente më 2005 dhe i puth këmbët më 2012, të vazhdojë biznesin e saj. I njëjti kryeministër që thotë se ka zgjedhur boshnjakët e Fazlliçit se kanë çmim më të ulët, zgjedh për t’i dhënë lotarinë kombëtare një kompanie austriake, atje ku i biri ikën thuajse çdo uikend, edhe pse ajo thuajse s’na jep lek fare. Pra, kriteri i vetëm nuk është kush paguan më shumë për Shqipërinë, por kush njeh më mirë të birin e tij.

Fakti që i biri i tij padit një gazetë në Kosovë është fillimi i një beteje për t’i mbyllur gojën shtypit të Kosovës, për të mos diskretituar rolin e Sali Berishës në instalimin e mafies ish- jugosllave në Tiranë. Mua nuk më hyn në punë shumë nëse i biri i Sali Berishës është takuar me Fazlliçin dhe Hamoviçin, vetëm me Fazlliçin apo vetëm me Hamoviçin. Mua më mjafton që ky biznesmen, që ishte në ditën e parë të pushtetit armik i Berishës, tani është në krye të qoshes. Dhe një serb kaq i pasur dhe me kaq pushtet ka dy mënyra t’i hyjë në zemër Sali Berishës, ose me pare, ose me detyrime të tjera. Nuk dua të bëhem paranojak, pasi kur kam parasysh të birin e tij besoj më shumë tek fuqia e pareve.

Komiteti i etikës në Kosovë, një institucion që gjykon dhe mbron etikën në media, ia hodhi poshtë ankesën të birit të kryeministrit. Shpresoj që dhe gjykatat t’i japin atij një leksion të mirë për t’i treguar se pare mund të fitojë sa të dojë, miqësi mund të ketë me kë serb të dojë, dajat e nënës së tij në Serbi t’i respektojë sa të dojë, por shqiptarëve nuk mund tua mbyllë gojën për të thënë së paku që serbët po na qeverisin.

Por, dhe në mos pastë guxim një gjykatës në Kosovë, kam besim se shtypi do të dijë t’ia bëjë më mirë gjyqin kësaj mafie ish- jugosllave, që vite më parë e terrorizonte Kosovën me pushtetin e Millosheviçit nga Beogradi, ndërsa tani me pushtetin që ka tek dhëndëri i Serbisë në Tiranë.

*Marrë nga gazeta Tema

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'