Përcjellja e gazetarit Çobani
flasin miqtë dhe kolegët

Përcjellja e gazetarit Çobani <br />flasin miqtë dhe kolegët
Kiço Blushi

Si e njoha Agron Çobanin


Në mesnatën e ditës së premte u nda nga jeta në moshën 70-vjeçare, gazetari i njohur Agron Çobani. Të afërm, miq, kolegë dhe dashamirës që ndanë punën, hallet dhe gëzimet me të i dhanë lamtumirën e fundit dje në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. Homazhet u zhvilluan nga ora 13:00 deri në 14:00 në institucionin ku ai jo vetëm e drejtoi për disa vjet, por për dekada me radhë i bëri të gjitha gjinitë radiotelevizive si lajmet, kronikat, telereportazhet, dokumentarët dhe radiodramat. Miqtë e tij shkrimtarë, artistë, gazetarë, politikanë dhe intelektualë të njohur kanë kujtuar me nderim dhe dhimbje njeriun që i transmetoi Shqipërisë informacionin “me gjuhën e mrekullueshme dhe bukurinë e frazës”, siç u shpreh shkrimtari i njohur Pëllumb Kulla. “Agron Çobani ishte jo vetëm një djalosh i talentuar dhe një njeri i talentuar, por ai gjithmonë kulturës shqiptare kombëtare i ka mbajtur trëndafilin në dorë”, tha dje poeti i njohur Lefter Çipa, i cili nuk e harron sesi në festivalin folklorik të Gjirokastrës ai rrinte në këmbë duke mbajtur veshët pipëz për të ndjekur gjithçka që flitej e bëhej për kulturën kombëtare. Ndërsa gazetari i njohur Nikollë Lesi u shpreh se “Agron Çobani edhe pse punoi gjatë në gazetarinë e diktaturës, nuk pati të vështirë të adoptohej me ndryshimet pas viteve ’90. Ai ishte shtylla e gazetarisë dhe këtë profesion e vijoi me skrupulozitet’. Ndërsa miku i tij më i ngushtë, shkrimtari i njohur Kiço Blushi rrëfen kujtimet për mikun e paharruar të gazetarisë televizive dhe arsyet që e bënin të qëndronin shpesh bashkë.


Zoti Kiço, çfarë ju ka lidhur ju si shkrimtar me një gazetar të njohur të televizionit siç ishte Agron Çobani?
-Agronin e njihja që student dhe nuk jemi ndarë asnjëherë. Në të mira dhe të këqija kemi qenë bashkë. Sot na mungon shumë, sepse edhe në historinë tonë 50-vjeçare ai ka qenë një strumbullar i shoqërisë, njeriu i humorit që na lidhte që na bashkonte që toleronte. Është njeriu që do t’i mungojë shumë gazetarisë. Me Agronin është shumë e vështirë të ndahesh, sepse ai na la në mesin tonë shumë merita, të cilat nuk shihen e nuk kuptohen në Shqipëri, sepse Agroni nuk ishte nga ata që bënin shumë publicitet. Ishte modest në thelb dhe kështu do t’i mungojë shumë gazetarisë radiofonike dhe do t’i mungojë gjithë gazetarisë në kuptimin që ajo mbart.

Është marrë Agron Çobani me krijimtari letrare?
-Sigurisht, ai ka bërë edhe libra dhe kjo ka qenë një nga lidhjet. Por më shumë iu përkushtua gazetarisë. Megjithatë shkrimtari dhe gazetari nuk kanë ndonjë ndarje të madhe mes tyre. Ajo që i ndan është mënyra si prezantohen si gjini në publik. Objekti është i njëjtë, ai me të cilat duhet të merremi. Janë problemet njerëzore, politike dhe shoqërore që zënë vend në të dyja gjinitë, që japin e i marrin subjektin njëra tjetrës. Një gazetar të përkushtuar dhe një shkrimtar të përkushtuar pak gjë e ndan. Agroni kishte një inteligjencë të veçantë, kishte fantazi, ai kishte një mendje nga e cila buronin vetëm ide të reja.


Zoti Kiço, si mik i tij, a e kujtoni atë në orët e para të profesionit, ku ai e nisi nga puna më thjeshtë e korrespodentit në terren?

Me Agronin ne krijuam miqësi që nga koha që ka qenë student. Ai dinte ta ruante miqësinë, pavarësisht kohës dhe përkushtimit në punë. Nuk ka shumë rëndësi sesi ai e nisi punën, për të cilën u dallua që në fillimet e tij duke u treguar shumë modest. Nuk diti të lëvdohej. Ai sot ka lënë pas arkivat. Ato flasin. Pra në themelet e arkivave të Rtsh-së është e gjithë arkiva e Agron Çobanit, që do të mbetet si një mësues i denjë i gazetarisë radiotelevizive.

Pëllumb Kulla

Kemi humbur një njeri të rrallë

Miku i tij shkrimtar Pëllumb Kulla e vlerëson Agron Çobanin për gjerësinë e informacionit për bukurinë e ndërtimit të frazës. “E vlerësoj për gjuhën e mrekullueshme që ai e përdorte dhe megjithëse në një farë mase unë kisha disa kushtëzime shumë të vogla që nuk dua t’i përmend në këtë ditë, Agron Çobani ishte një nga miqtë e mirë. Miqësia jonë vijoi edhe me tej, vijoi edhe pas përmbysjeve më të mëdha, me një miqësi e cila vazhdoi edhe më tej edhe në ngjarjet e mëdha që ndodhën. Ai ka ardhur disa herë në Amerikë te unë. Shkrimtari i njohur me banim në Amerikë shprehet se: “Në miqësinë tonë ne zhvillonim bashkëpunimin dhe shkëmbimin e mendimeve profesionale të gazetarisë dhe të tregimtarisë, letërsisë dhe publicistikës. Kjo humbje është një nga humbjet e radhës që po ndodhin përditë në Shqipëri, por sado i konsumuara të duket ky përcaktim, unë do ta përmend: kemi humbur një njeri të rrallë”.

Ahmet Shqari

Kronika e parë me Agron Çobanin

Gazetari i njohur i kronikës sportive në RTSH, Ahmet Shqari është shprehur se kolegu i tij i ndjerë Agroni Çobani ishte një njeri me veti të rralla që u bëri sfidë të gjitha përvojave të jetës me fisnikëri. “Pati një përvojë e një jetë edhe të përkëdhelur edhe të fshikulluar dhe të dyja rastet i përballoi me dinjitet, sepse të dyja përvojat janë të vështira t’i përballosh, edhe kur je në majë, edhe kur je në fund. Ndërsa profesionalisht ai shprehet se e ka pasur lider në fillimet e jetës së tij profesionale: “Agron Çobani i la gazetarisë si trashëgimi ndershmërinë, përkujdesjen. Ai ka kaluar me sukses edhe në gazetarinë politike, një sprovë që Agroni e kaloi shumë mirë. Unë e çmoj shumë për faktin që ai duke mos pasur asnjë interes ka qenë pranë meje. Ai më mësoi radio-kronikën dhe të mos thuash gjithë këto fjalë të mira për të do të ishte mëkat. Pra për të vetëm fjalë të mira ka. Unë nuk dua të përgjithësoj në këtë rast, por po them diçka jetësore. Kronikën e parë nga një kampion noti e bëra nën kujdesin e Agron Çobanit, duke u munduar e luajtur me bobinat e vjetra që mezi regjistronin”.


Luftar Paja

Me Agronin më lidhën spektaklet e Vitit të Ri


Spektaklet vjetore që organizoheshin në të vetmin televizion kombëtar të vendit në kohën e diktaturës kanë qenë më tepër një urë komunikimi mes artistëve dhe gazetarëve të kronikës televizive. Aktori i njohur Luftar Paja ka kujtuar dje me nostalgji kohën kur janë njohur me Agron Çobanin. “Lidhja ime me Agron Çobanin ishte me aktivitete artistike që bëheshin në atë kohë në televizion me rastin e spektaklit të humorit për Vitin e Ri. Ajo që më afroi më shumë me gazetarin Agron Çobani ishte intelektualizmi shumë i avancuar në atë kohë i këtij djali të ri. Ai ka një djalë aktor, Indrit Çobanin, që është një aktor më perspektivë. E shoh sot që është shumë i dëshpëruar, ndaj i uroj që ta ngrejë dhe më lart emrin e babait të tij”, tha dje aktori i njohur Luftar Paja.

Biografia

AGRON Çobani


Gazetari Çobani u lind në Nepravishtë të Gjirokastrës, në shtator të vitit 1942. Ai ka kryer studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe, si dhe Fakultetin e Gazetarisë. Pas diplomimit, nis punë në Radio Tirana e më pas në Radiotelevizion, për të mos u shkëputur prej tij për dekada të tëra, me përjashtim të periudhës kur e larguan 1982-1991. Se fundi botoi librin me kujtime “Ju flet Tirana”, një histori e karrierës së tij si gazetar.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Përplasja e bandave në Elbasan, C4 që do kishte shkaktuar masakër në treg! Çfarë rrëfeu shënjestra: Isha postieri, shënjestra…

Përplasja e bandave në Elbasan, C4 që do kishte shkaktuar masakër në treg! Çfarë rrëfeu shënjestra: Isha postieri, shënjestra…