Një 26-vjeçar nga Lezha është vënë në prangat e policisë  për “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura” dhe për “trafikim të të miturve”.I arrestuari, në bashkëpunim me shtetasin Krenar Shabani, i ndaluar më 30 nëntor, kanë tentuar të trafikonin për në Kosovë me qëllim prostitucioni,  të miturën me inicialet V.J., 17 vjeç nga Lezha, me të cilën kanë kryer edhe marrëdhënie seksuale me dhunë.

Policia e Lezhës, e kishte shpallur më herët në kërkim po për të njëjtën vepër penale. Specialistët e sektorit kundër trafiqeve të paligjshme në Policinë e Lezhës ndaluan Emiljan Kiptin, i cili rezulton i dënuar më parë edhe për “vjedhje në bashkëpunim”, ndërkohë që figuronte në kërkim që prej 30 nëntorit.

Materialet proceduriale i kanë kaluar tashmë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për të vijuar me aktpadinë të bazuar mbi veprat penale të “trafikimit të të miturve në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)