Përjetimi/ Mevlan Shanaj:
Jeta ime buzë liqenit

Përjetimi/ Mevlan Shanaj: <br />Jeta ime buzë liqenit
Shpesh Suplementi "Fundjava" i Shqiptarja.com dëshiron të përfshijë në guidat turistike personalitete të njohur të artit dhe kulturës për të dhënë përshtypjet dhe këndvështrimet e tyre nga një udhëtim, apo një vend që për ta është shumë i preferuar. Secili prej tyre që ka pranuar ftesën e "Fundjava", të përgatitur nga Rovena Rrozhani  ka sjellë një pjesë të botës së tij shpirtërore, të refleksioneve të tij në mënyrën më të veçantë të mundshme. Janë një guidë e mirë e shpirtit më tepër se e mendjes, janë rradhë që sjellin thuajse tharmin e një vendi pranë të cilit mund të kalojmë me mijëra herë, por mund ta shpërfillimin me përditshmërinë tonë.

Kështu edhe për një fundjavë vjeshte në ujërat e ëmbla "Fundjava" kërkoi mes njerëzve, dhe këtë herë e pati pak më të lehtë. Sepse kur mendon liqenin dhe pastaj e cilëson atë me emrin Ohër, nuk mund të mos sjellësh ndërmend Natasha Lakon dhe Mevlan Shanaj. Çifti i njohur i kinematografisë shqiptare ka një pasion të jashtëzakonshëm për liqenin dhe Pogradecin ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre. Regjisori vendos të përgjigjet pozitivisht dhe shkruan për "Fundjava". Është dedikimi i tij, thuajse një himn për jetën, natyrën dhe njeriun. Frymëzuar nga bregu i atij liqeni që tashmë e ka bërë birin e tij.

JA PERJETIMI/ SHANAJ: JETA IME BUZE LIQENIT

Më pëlqeu idea që të them pse është bukur të jesh pranë liqenit për një fundjavë, por ngeca kur mendova se dashnorëve nuk u jepen receta se si të bëjnë dashuri, apo se si të duan dhe se çfarë duhet bërë që dashuria të mos ndihet e braktisur, apo për më shumë t'i thuash zogut a e do fluturimin apo edhe fluturës a e kërkon lirinë apo më tej peshkut (meqë jemi këtu në Ohër, koranit apo belushkave) a jetoni dot pa ujin dhe pa njëri- tjetrin. Nuk e di e dashur Rovenë se si të përgjigjem për këtë afrim të herëpashershëm të njeriut me këtë pjesë të botës që i ngjan sot një smeraldi. Di të them se nuk ka njeri që të ketë qenë një herë e të mos dojë të kthehet prapë pranë këtij liqeni të magjishëm që ndërron ngjyrë jo vetëm sipas densitetit të dritës, por edhe sipas veshjes së maleve përreth apo ndoshta sipas zërit të peshkatareve apo sipas halleve të pogradecarëve, apo sipas melodisë së poetikës së Lasgushit, apo sipas këngës së mjellmave, apo sipas melodisë së dasmorëve që nuk rreshtin këtu në Drilon, apo sipas tingujve të borive të makinave të djemve nga emigracioni që kanë mallin dhe brengën. Nuk di, më ke bërë një pyetje të vështirë… Di të them se fundjava pranë këtij liqeni ka mundësi t'i bëjë njerëzit më të mirë edhe kur gjatë javës kanë parë dikë që i ka mashtruar apo kanë dëgjuar lajme të lodhshme apo edhe më keq kanë dëgjuar se ekonomia po lëngon apo ende më tmerr kanë dëgjuar se x vajzë u vra pranë gjyshit, se x vajzë u pre, se x grua u copëtua, se x minorene u përdhunua, se x u vetëflijua apo x burrë i ri apo i moshuar u ccmend se x politikan edhe këtë radhë ka realizuar mashtrimin e radhës… Ja këtu të gjitha këto në një fundjavë treten në fundin e këtij liqeni të kthjellët dhe ti e kupton se sa të rëndësishme janë përjetimet që të lidhin me natyrën, të cilat të shtyjnë t'i japësh familjes tënde premtim reale, se "së bashku mundemi"... së bashku si familjarë a si qytetarë mund të bëjmë më të mirën për të ndryshuar jetën tonë. E së bashku përse të mos zbulojmë edhe pranë liqenit ca sekrete më shumë të të jetuarit dhe të paqes me veten që e kërkojnë të gjithë. Ndaj ndoshta kjo qetësi, kjo pastërti, ky ajër, kjo ngjyrë, kjo ninullëz, kjo dashuri e vjetër miqësore e natyrës të thërret dhe të skllavëron me heshtjen e madhështisë së saj. Këtu çdo gjë bëhet memece, por flet në mënyrë të heshtur e na bën të meditojmë. Këtu edhe paqja ka teatrin e vet. Eshtë një paqe deri e muskujve dhe e lëvizjes, pjesë e ripërtëritjes që ne e quajmë shlodhje ose distancim nga "rrebeshi" që diku fshihet gjithmonë. Pse të mos e ndjesh veten pjesë e kësaj paqe të munguar. Njeriu ka nevojë për këtë lloj marrëveshjeje, përtej të zakonshmes të ditës së punës pasi ky liqen është tepër i rrallë edhe për ata që e jetojnë përditë ose e kanë mjet jetese. Herë tjetër mund të jetë paqe edhe me dallgët dhe me erën e tërbuar. Por sot është kthjelltësi e plotë sa më duket se diku në ajër kam mbetur dhe fryma më është mekur nga bukuria. Ndaj mos prit të shkruaj më tej, jam pa frymë, jam pa fjalë këtu pranë këtij Liqeni…

(Marre nga suplementi FUNDJAVA i gazetes Shqiptarja.com)

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

CRIME STORY: Sabotimi i dytë i 21 janarit, publikohen dokumentet e panjohura të hetimit, krerët e policisë nuk zbatuan urdhrat e ndalimit për gardistët

CRIME STORY: Sabotimi i dytë i 21 janarit, publikohen dokumentet e panjohura të hetimit, krerët e policisë nuk zbatuan urdhrat e ndalimit për gardistët