Kalimi i kufirit ukrainas të trupave ruse, duke prishur në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e paqes të vendosur me vështirësi në këtë rajon, i cili gjendet në kufijtë e NATO, ka qenë kohët e fundit shqetësimi madhor i Aleancës së Atlantikut Verior.

Në kancelaritë e vendeve të Bashkimit Europian dhe në Kongresin amerikan çështja kryesore që po diskutohet është ajo për vendimin, nëse këto vende duhet të dërgojnë armatim dhe mbështetje për qeverinë e Ukrainës dhe sa. Shumë analistë të njohur të gjeopolitikës e krahasojnë situatën me atë të krizës së raketave bërthamore të instaluara nga Bashkimi Sovjetik, në vitet 60-të, në Kubë, pak kilometra larg kufirit të SHBA.

Paralelisht me këtë, si dhe me fenomenin ISIS në Lindjen e Mesme, edhe në Europë duket se po fryjnë erëra lufte. Në zemër të Europës, në një vend kandidat për Bashkimin Europian dhe, mbi të gjitha, në këtë situatë, një vend anëtar i NATO-s, në Shqipëri, opozita bën thirrje dhe organizon protesta, për të cilat deklarohet se nuk mbahet përgjegjësi lidhur me atë se si do të përfundojnë, edhe nëse krijohet destabilitet total.

Në vendin tonë është vërtetuar disa herë se çfarë sjell “fryrja e këtij zjarri”. Në vitin e zi 1997, edhe pse nuk ishim vend anëtar në NATO, ndërkombëtarët u detyruan të ndërhyjnë në terren për stabilizimin e situatës.

Por, pa kaluar as një vit, në vjeshtën e vitit 1998, vendi u destabilizua sërish pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari ose, më saktësisht, pas akuzave të lidershipit të opozitës atëhere se këtë krim e kishte urdhëruar ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano. Ende pa u ftohur trupi i të ndjerit Hajdari, u organizua dhe u realizua një grusht shteti tipik, me tanke dhe uzurpim të institucioneve kryesore.

U desh ndërhyrja, deri edhe “kërcënuese”, e SHBA dhe vendeve mike në Europë që gjendja të stabilizohej. E gjithë kjo ndodhte, kur e gjithë bota i kishte sytë, në atë kohë, në atë që po përgatitej nga Millosheviçi në Kosovë.

Por nuk mbaron këtu. Vetëm 2-3 vite më vonë, për muaj të tërë, qeverisja socialiste, me kryeministër Ilir Metën, çdo ditë u bombardua me gurë dhe bomba Molotov. Qytetarët e kryeqytetit besoj ende e mbajnë mend atë periudhë terrori. Policët dhe forcat speciale që ruanin godinën e Kryeministrisë besoj i kanë ende shenjat e plagëve në kërcinjtë e këmbëve, nga mijëra gurë që vërshonin drejt tyre. …Sërish situata u zgjidh, nga ndërhyrja e ndërkombëtarëve dhe vendosmëria e ish-kryeministrit Meta, që dha viston e shoqërimit të tij në Polici. Edhe pse u tolerua dhe nuk u çua përpara Drejtësisë, bulevardi qendror i kryeqytetit ju kthye qytetarëve.

I njejti person, duke hequr zvarrë gjithë lidershipin e Partisë Demokratike, bën sërish thirrje dhe organizon protesta, për të cilat nuk mban përgjegjësi si do të përfundojnë. Por me çfarë kauze? Një histori, sa psikopatike, aq edhe qesharake, dita-ditës.

Gjithsesi, si gjithmonë, nuk po pret verdiktin e organit të Akuzës, i cili për herë të parë po kryen një hetim shembullor. Ngjarja më e rëndë e këtyre 23 viteve demokraci  në Shqipëri, sipas Berishës, çuditërisht nuk është pasqyruar dhe marrë seriozisht në asnjë media ndërkombëtare, të cilave nuk ju shpëtojnë asnjëherë këto skupe, sidomos kur vijnë nga një vend anëtar i NATO-s. E vetmja gazetë që e nxori në faqen e parë është organi zyrtar i qeverisë ruse. Çfarë interesi ka politika e Putinit, në një vend që ndodhet mijëra kilometra larg kufijve të shtetit që drejton?

Ka një opinion të përhapur, sipas të cilit Berisha me të tijët e bën të gjithë këtë, sepse nuk duron dot ekzistencën e vet pa pushtet. Është teori naive. E ka eksperimentuar një herë në 14 shtator 1998 dhe tentuar sërisht, në vitin 2000. Atëhere? Trembet nga fuqizimi i shtetit dhe kthimi në binarë i Drejtësisë dhe po shantazhon për të mos i dalin në shesh mëkatet, aferat dhe pasuritë që ka vënë Familja? Kjo, sipas meje, qëndron.

Por ai, njëkohësisht, di shumë mirë që defterët e tij nuk janë vetëm në sirtarët e qeverisjes Rama-Meta. Atëherë përse tenton ta bëjë?! Është paranojak, probleme psikike? Edhe ky është një variant, por gjithsesi është një pjesë e së tërës. Çfarë ngelet në këtë situatë të rënduar gjeo-politike? Po kërcënon ndërkombëtarët? Kërkon t’u japë mesazhin se çelësat e stabilitetit të Shqipërisë dhe rajonit tonë i ka në dorë ai? Të presim e të shohim si do të përfundojë kjo betejë e fundit destabilizuese e Berishës dhe krimit të organizuar… 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)