Prej shumë muajsh Athina është kthyer në Mekën e antiglobalistëve. Sfida e Tsipras kundër Brukselit është basti i përbashkët i gjithë të majtës ekstreme kudo në botë. Qindra vetë të mbledhur nga shumë vende evropiane festonin mbrëmë në sheshin para universitetit te Athinës bashkë me grekët e zhgënjyer nga kriza fitoren e tyre kundër gjithçkaje mbi të cilën është ndërtuar jo vetëm Bashkimi Evropian, por krejt vlerat e tregut të lirë. 

Fitorja e Tsipras më kujton atë të një tjetër radikali të majtë, atë të Salvadore Allende, 44 vjet më parë në Kili. Nuk janë vetëm flamujt me drapër e çekan apo Internacionalja si himn i fitimtarëve të djeshëm e përbashkëta me Kilin e dikurshëm.
 
Shqetësues është program ekonomik i Tsipras, i cili si Allende i ka shpallur luftë kapitalit global dhe si zgjidhje shikon shtetëzimet duke filluar nga bankat. Deklarata e tij e pak çaste pasi u mbyllën kutitë e votimit se nuk do njohë memorandumet e nënshkruara nga qeveritë paraardhëse të kujton vendimet e Kongresit të Përmetit. Por ka disa analistë që besojnë se tani që Tsipras do hyjë në zyrën e kryeministrit do rrallojë çdo ditë e më tepër pozat prej palikari . Do rrumbullakosë qëndrimin dhe do pranojë si Samaras kushtet e Trojkës.
 
Në të kundërt fati i tij politik ka për të qenë ai i Allende. Sigurisht nuk do rrëzohet nga tanket por nga bankat. I duhet të zgjedhë mes modelit të Miteranit ose të Allende. Dhe presidenti francez që drejtoi Francën gati si monark për 14 vjet rresht premtoi shtetëzime para se të hynte Elize.
 
Në qeverinë e tij të parë kishte katër ministra nga partia komuniste. Krejt Perëndimi u frikësua nga fitorja e tij. Frikë që në fakt rezultoi e kotë. Pas muajve të parë të qeverisjes Miterani hoqi dorë nga shtetëzimet, madje ishte ai që liberalizoi tregun mediatik francez.
 
Nëse nuk ndjek shembullin e Miteranit Tsipras do dëbohet nga pushteti si ai fëmija trazovac që gjuan me gurë xhamat e shkollës. 

Mund të mirëkuptohet zemërimi i grekëve me kastën politike që drejton Athinën prej gati gjysmë shekulli. Katër pesë familje ishin kthyer në dinasti që qeverisnin me tabiate otomane. Rasti më tipik është familja Papandreu, e cila e trashëgoi në tre breza drejtimin e të majtës greke. Tre breza dinasti, po aq sa dhe dinastia Kim e Koresë së Veriut. Ka shembuj të tillë dhe në të djathtën greke si Karamanlis.
 
Gjithashtu Micotaqis, patriarku i “Demokracisë së Re”, e trashëgoi pushtetin.
 
Fillimisht tentoi përmes dhëndrit, Bakojanis, por pas ndarjes së parakohshme nga jeta të këtij të fundit frenat i mori e bija. I vetmi lajmi i mirë që erdhi dje nga Athina është se dinastitë abdikuan. Besohet përfundimisht.