DURRËS- Një procedurë e policisë shqiptare e cila publikon foto të personave të "rrezikshëm" që janë në kërkim, i jep lajmin "bombë" familjes Baftjari. Djali i tyre, Alban Baftari, që e kërkonin prej 2018 ishte dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale grabitje në bashkëpunim me pasojë vdekjen e një personi.
Familjarët, nëna dhe motra kanë rrëfyer në emisionin e "Pa Gjurmë" në Report Tv se kanë qenë në dijeni që Bani, siç ata e thërrasin, ishte akuzuar për një vrasje, por janë të bindur që ai nuk ka gisht në këtë ngjarje teksa thanë se janë tronditur kur kanë parë në media lajmin. Nëna, mes lotëve në sy, mallit për djalin, dhe "shokimit" që "drita e syve" ishte dënuar me burgim të përjetshëm, tregon momentin e fundit kur ka takuar djalin e saj. Ai iku si çdo ditë tjetër, pasi hëngri drekën nga dora e nënës se tij në punë, pranë shtëpisë së vjetër në Shijak (sot jetojnë në Durrës) dhe nuk u kthye më. Nëna ka qenë në dijeni për akuzat, pasi pas ngjarjes shtëpia e saj ishte rrethuar nga policia, por ajo është e bindur se nuk ka qenë Albani, pasi siç rrëfen, askush nuk i ka ardhur në derë dhe t'i thotë që "djali yt më ka vrarë fëmijën"...Marrëdheniet jo të mira që ka me fisin nga ana e saj, por edhe kunatin, i lë të dyshojnë se e gjitha është një kurth për t'i bërë keq
VIDEO/Emisioni i plotë
"I dhashë bukë, hëngri drekë dhe ishte duke punuar, po mbillte misër. Jam duke ikur të shkoj të punojë. S'kishte asnjë lidhje me vendin kur ndodhi ngjarja. E mësuam, na erdhi policia befasisht, ishim duke mbjellë bostan. Kam pasur konflikt me njerëzit e mi më bënin keq, mendova se kishin kontroll për armë. Erdhën me blinda, me ambulanca, ishin si tank. Ishte bërë një rresh nga shtëpia e çunit që më ka vdekur deri te shtëpia ime. Unë nuk e besoja kurrë. E kemi njohur viktimën, shkonin e vinin në shtëpi. Nga ky moment....kur më më ka ardhur haberi sot, jam shumë e tronditur. Burg të përjetshëm? Çfarë bëri, ku janë provat. Ne s'kemi asnjë provë", tregon ajo.
S'kemi qenë asnjë seancë gjyqësore. Asnjëherë nuk e ka kryer. Kurrë. Se ta kishte bërë atë, do ishte kapur dhe do jepte llogari. I bëj thirrje shtetit që është tani, jo në atë kohë, që të veprojë për ta gjetur dhe dalë para drejtësisë. Nuk më ka ardhur askush në shtëpi dhe të më thotë ka vrarë Albani. Ka qenë vetëm në atë kohë, ka dalë nga shtëpia. S'e dimë, ka shkuar te shtëpia e vjetër në Shijak, atje ka pasur 3-4 ditë punë.
Më kanë bërë presione të vazhdueshme...", tregon nëna.
E të njëjtit mendim është edhe motra e Albanit.
"Shkaku janë fisi i mamit, motra e vëllezër kanë gisht me këtë gjë. Nuk ishte në atë rrugë. Ne nuk i kemi borxh kujt, kemi punuar me djersën tonë. S'no vaki të merret me këto gjëra. Ne kemi pasur një çifte në shtëpi, por e kemi pasur me leje. Kur ka ardhur policia aty, i kam thënë që e kemi pasur me leje, dhe s'na e sollën me. Aty ka qenë dhe çuni i xhaxhait, është dënuar me 25 vite burg, pse vëllai im të dënohet me burgim të përjetshëm. Se ça kanë rrëfyer këto të xhaxhait ne nuk e dimë", u shpreh ajo.
Mes lotëve, nëna i bën apel që të paktën t'i dëgjoj zërin, të mësoj nëse është gjallë apo jo dhe të dalë para drejtësisë.
"Nëse ka bërë diçka të dalë dhe të thotë, të na marrë. Të na thotë që jam gjallë. Ça ka bërë të japë llogari", thotë nëna e Albanit.
Për çfarë akuzohet Alban Baftjari?
Në datën 7 mars 2001, në fshatin Shetel, Shijak, Durrës, Alban Baftjari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shkuar në orët e vona të mbrëmjes, në banesën e Xh. B., për të vjedhur dhe ka plagosur rëndë Sh. B., S. B. dhe Xh. B., i cili për pasojë ka gjetur vdekjen. Alban Baftjari është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale "Vjedhja me pasojë vdekjen, në bashkëpunim” dhe "Armëmbajtja pa leje".