'Pa Gjurmë'/ Dëshmia tronditëse për një shqiptar të humbur në Greqi: E kishin vrarë dhe djegur në fytyrë, e varrosëm pa ia ditur identitetin

Pas deshmisë së Flamur Lemes nga Lushnja se kishte varrosur një shqiptar në Volos të Greqisë, në vitin 1993,  dy familje i janë drejtuar këtë të martë studios së "Pa Gjurmë" me dyshimet se mund të bëhet fjalë për të afërmit e tyre që janë zhdukur në po të njëjtin vit. Mine Llosha kërkon të birin, ndërsa Agim Myrto vëllain e tij nga e ëma. 

Flamur Leme tregoi për stafin e "Pa Gjurmë" se shqiptari, të cilit nuk i dihet identiteti, është gjendur në një kasolle i vrarë dhe me fytyrë të djegur.Më tej, ai ka rrëfyer se është njohur me këtë rast makabër nga kryetari i komunës, ndërsa thekson se i vdekuri nuk punonte në atë zonë pasi shqiptarët ishin të pakët në numër dhe njiheshin të gjithë me njëri-tjetrin. 

Në mars të 1993 më datë 11, unë kisha tre vjet që punoja në fshatin Volos. Vjen kryetari i komunës dhe më merr. Isha i pari shqiptar që kisha arritur, më tha që kanë vrarë një shqiptar dhe e kanë futur në një kasolle atje tutje. Ata që e kishin vrarë i kishin djegur fytyrën. Ai person nuk ka punuar në atë zonë sepse ne njiheshim të gjithë me njëri-tjetrin. Si duket e kanë vrarë nga një vend tjetër dhe e kanë varrosur ty. Më pas trupi i tij u mor dhe u varros po nga ne, nga duart tona. I pranishëm ishte edhe një prift i thirrur. Thuhej se ishte nga Burreli, por e vërteta nuk dihet. Ishte trup i bëshëm, 1.76 cm dhe me këmbë numër 42. Por e theksoj në atë fshat nuk ka punuar se fillimisht shqiptarë ishim vetëm ne nga Peqinasi dhe tre lushnjarë. Ishalla merret vesh identiteti i tij që edhe nëna e tij të ketë ku të qajë. 

Flamur Leme, Dëshmitar

Mine Losha, teksa shpreh dyshimin se po flitet për djalin e saj, ka përshkruar për moderatoren Odeta Dume momentin e fundit që ka parë të birin, Artan Loshën, i cili sot është 41 vjec.

Kur thanë nga Burreli u trondita sepse me origjinë andej jemi. Djali im ka pasur trup të gjatë dhe deri këtu të dhënat përputhen. Më thënë të drejtën më kujtohen shumë fjalë nga djali. Përpara Vitit të Ri kishte ikur dy tre herë pasi nuk i ecte. I thashë "Artan mos u nis", por nuk më dëgjoi. Me shokët e vet planifikon të niset për në Greqi. Ai nuk më njoftoi kur u largua, më njoftuan prindërit e dy shokëve të tij. Tani nuk e mbaj mend sesa ditë ndenjën andej por dy shokët e tij u rikthyen, kurse Artani jo. Folëm me shokët e tij dhe na thanë se Artani ndodhej në Verja Greqisë. Më pas ata na treguan se ishin kthyer pasi nuk kishin gjetur punë, kurse Artani sipas tyre nuk kishte pranuar të rikthehej me to. 

Mine Losha, e ëma e Artan Loshës 

Me të njëjtin dyshim, Agim Myrto ka treguar po ashtu kontaktin e tij të fundit me të vëllain nga e ëma, Ilirjan Qanikun, i cili sot është 45 vjec.

Vëllai ka ikur më datë 3 mars në 1993 për në Greqi. Ne nuk e dimë asgjë për të. Kam kërkuar tërë Greqinë për të...Kontakti i fundit me vëllain tim ka qenë në Pogradec. Ai donte të vinte me mua në Greqi, por unë nuk e lejova. Kam pyetur motrat më pas dhe ato më thanë se ne e dimë që ka ardhur me ty në Greqi. Përpara se të nisej ai ishte i martuar, por u nda. Nuk kishte fëmijë. Unë fillimisht dyshova tek ajo familje dhe i thashë se në rast se ndodh të marr vesh dicka do kishin punë me mua. Dyshoj se mund të jetë Ilirjani...

Agim Myrto, i vëllai i Ilirjan Qaniku

Teksa dyshimet vijojnë të mbeten më të forta se kurrë, stafi i emisionit "Pa Gjurmë" do të vijojë së kërkuari për zbardhjen e rasteve në fjalë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen