’Pa Gjurme’ i rikthen identitetin ish-ushtarakut endacak, historia rrëqethëse e Dashamir Serrit

18 vite nga jeta e tij i ka kaluar në kushte tejet të vështira, ndërsa prej më shumë se gjashtë muaj bën jetën e një endacaku. Ish-oficeri Dashamir Serri nga Tirana, rrëqeth me historinë e tij në emisionin ’Pa Gjurmë’ në Report TV. Pamja e dikurshme e një strategu si ai, i cili përfundoi studimet në Akademinë Ushtarake, nuk e ka më atë shkëlqim. Zgjodhi të mos martohej kurrë, ndërsa vetmia është bërë bashkëudhëtare e jetës. Që kur mbeti pa banesë, vite më parë pasi i vëllai ia mori me dhunë, ai ngrys ditët jo më me peshën e gradave mbi shpatull, por me peshën e vetmisë mbi sup. I moshuari jeton me lëmoshën e të tjerëve, duke matur me hapa trotuaret e kryeqytetit, i palarë e në gjendje të mjerueshme. Ish-oficeri i moshuar iu drejtua emisionit ’Pa Gjurmë’ për ndihmë, ku stafi u kujdes për t’i rikthyer identitetin e dikurshëm. Iu qeshën sytë kur pa veten me kostumin e zi dhe këmishën e bardhë, ndërsa sapo hyri ngadalë në studio u përshëndet me moderatoren Odeta Dume, madje i kujdesshëm teksa i pohoi se e kishte bërë vaksinën për Covidin. 76-vjeçari kërkon të ketë një strehë të ngrohtë, pasi me të ardhurat që ka nuk mundet dot të sigurojë as bukën e përditshme.

Faleminderit që më pranuat të vij në studion tuaj. Ju bëni një punë kolosale. Jam i vetëm dhe kujdesem vetë për vetën time, por është edhe më e vështirë kur nuk ke të drejtën e jetesës. Kam mbaruar Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Kur kam qenë i ri stërvitesha shumë dhe kisha një fizik të fortë, por tani kam shteruar, s’kam më fuqi, por mendjen e kam në rregull. Kërkoj që dikush të vë dorën në zemër, që edhe unë të kem një strehë, qoftë edhe të përkohshme, mjafton të kem, ku të fus kokën. Mbesa më ka ndihmuar pak kohë me pagesën e qirasë, por s’mundet të më ndihmojë gjithë jetën. Vuaj nga zemra dhe tensioni, por më tepër ndjehem i ngarkuar nga ana psikologjike. Më është shkelur e drejta më elementare e jetës së njeriut.

Pa përkrahje dhe i braktisur, sherri me të vëllanë, 18 vite më parë, për çeshtje prone, bëri që 76-vjeçari të përfundonte mes katër rrugëve. Ishte edhe më i ri në atë kohë, por nuk mundi dot të zgjidhte konfliktin me të vëllanë, i cili pasi përvetësoi banesën me dhunë e dëboi nga shtëpia.

Para 18 vitesh nuk kisha asnjë sëmundje dhe e gëzoja jetën. Ishim dy vëllezër, që jetonim në në shtëpi dy dhoma e kuzhinë. Unë kisha dhomën time, por vëllai im, armiku im, e mori shtëpinë me dhunë dhe më dëboi. Unë iu drejtova policisë së shtetit. E denoncova dhe u arrestua së bashku me familjen. Pas 48 orësh që u mor masa e vlerësimit, vëllai korruptoi përmes avokatit 2-3 persona në gjykatë dhe kështu e fitoi lirinë. Unë mbeta mes katër rrugëve. Unë jam i dhunuar. Ai e ka uzurpuar banesën time!

Dikur i kalonte ditët mbi libra, por sot, Dashamirin e gjejmë të endet rrugëve të kryeqytetit, apo i ulur në një nga stolat në lulishten pranë Kullës së Sahatit. Pa miq dhe pa të afërm, netët e ftohta të dimrit i ngrysi qosheve të rrugëve, ndriçuar vetëm nga neonët, që qartësojnë edhe më shumë pamjen e tij të trishtë. 76-vjeçari tregon se nuk do ta kishte imagjinuar kurrë më parë se do të prekte fundin.

O.D./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shpërndanin kokainë me makinë dhe tentuan arratinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar, nën hetim shoku! Të dy me disa precedentë penalë

Itali/ Shpërndanin kokainë me makinë dhe tentuan arratinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar, nën hetim shoku! Të dy me disa precedentë penalë