Kjo histori nga qyteti bregdetar i Sarandës na kthen vite pas me një histori dashurie që fati e theu si qelqi. Ishte e bukur dashuria që lindi mes një sarandioti, që për arsye familjare nuk mund t'ia përmendim emrin, dhe vajzës nga i njëjti qytet Sovjetës, në vitin 1967.
Familja e tregtarit te njohur në atë kohë, me emër në qytetin e Sarandës, pasi mësoi për këtë marrëdhënie të djalit të tyre. Djali nga Saranda u përball me paragjykime pasi vajza që ai dashuronte ishte me ngjyrë. Bëri cmos për të shpëtuar dashurinë e tyre por nuk mundi. Sarandioti u martua me një tjetër vajzë në vitin 1968, martesë nga e cila erdhën në jetë tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.
Por kjo nuk ndryshoi asgjë për dashurinë që sarandioti kishte për Sovjetën. Kjo e fundit nuk u martua kurrë. Nga kjo lidhje paralele nga e cila sarandioti nuk arriti të shkëputej dot për dekada me radhe, në vitin 1990 Sovjeta mbetet shtatzënë, por ndërsa ishte vetëm 3 muajshe braktiset nga djali të cilin ajo deshi kaq shumë. Ai i kërkon të abortojë, por Sovjeta nuk e bën një gjë të tillë.
Pa dijeninë e të dashurit të saj duke e mbajtur të fshehur shtatzaninë, Sovjeta Ibrahimi sjell në jetë Jetën, vajzën e saj më 22 prill të vitit 1991. I dashuri i saj tronditet nga lajmi kur mëson se vajza ka lindur dhe nuk pranon të japë atësinë. Sovjeta pëson shok dhe bie në depresion. Jeta Ibrahimi tashmë ishte fryti I kësaj dashurie por nuk mundi dot të vuloste lidhjen në martesë të të rinjve. Ajo mbeti vajza nga një lidhje jashtë martesore mes dy sarandiotëve.
Vajza në këto kushte transferohet në moshën 7-vjeçare drejt shtëpisë së fëmijës Vlorë. Jeta vijoi ndërsa Sovjeta kaloi vite të vështira. Per pasojë të një sëmundje, sot ka mbetur e paralizuar prej 8 vitesh.
Ironia e fatit bëri që sot vajza e sarandiotit të jetë në kërkim të motrës së saj nga babai, pasi ai u nda nga kjo jetë më një peng në zemer duke lënë një amanet, në kërkim të vajzës nga kjo lidhje jashtë martesore me Sovjetën. Duke thyer këtë lloj diskriminimi racor, ajo gjendet në studion e "Pa Gjurmë" në kërkim të Jetës.
Motra e Jetës nga babai ka rrëfyer sot për moderatoren Odeta Dume mënyrën sesi e ka përjetuar familja e saj faktin që babai i tyre kishte një fëmijë të katërt.
"Mamaja ime nuk dinte asgjë nga kjo lidhje. Martohen dhe lindin tre fëmijë, unë dhe dy vëllezërit e mi. Marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira, por babai im nuk i shkëputi marrëdhëniet me Sovjeten. Ai e ka dashur atë. Koha që ka qenë atëherë, paragjykimet, ndikuan në krijimin e të tilla situatave", u shpreh motra e Jetës, e cila preferoi të shfaqej në emision me një emër tjetër, me emrin Ilda.
Më tej ajo u shpreh se pavarësisht se nuk e gjykon lidhjen jashtëmartesore të Sovjetes dhe babait të saj, nuk e aprovon braktisjen e motrës së saj. Motra e Jetës rrëfeu se babai ndërkohë përgjatë shtatë viteve kishte marrë informacione për të motrën.
"I kemi gjetur çertifikatën e lindjes nëpër sendet e tij personale. Fotografi nuk kemi gjetur, por e ka dashur. Fundja është gjaku që të thërret", tha 'Ilda'.
'Ilda' u informua këtë të premte në studion e "Pa Gjurmë" se motra e saj është gjendur dhe ndodhet në Itali. Kërkimet për Jetën, e cila sot është 28 vjeçe, do të vazhdojnë.