Pa Italinë e mbetur jashtë në 3 Botërorë radhazi dhe pa Gjermaninë e eliminuar në fazën e 1/16-ve, dy përfaqësuese që kanë 8 Botërore, Evropa dominon sërish çerekfinalet e Kupës së Botës që po zhvillohet në SHBA-Kanada dhe Meksikë.
Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës u zhvillua ndeshja e fundit e 1/8-ve ku Zvicra preu biletën e çerekfinaleve duke eliminuar Kolumbinë. Në 8 më të mirat Zvicra do të luajë kundër Argjentinës më 12 korrik në orën 03:00 të mëngjesit.
Gjithsesi për të parë çerekfinalen e parë duhet pritur pak. 8 korriku është dita e parë pushim e Botërorit që prej nisjes së tij me 11 qershor me sfidën Meksikë-Afrikë e Jugut. Dueli i parë çerekfinale do të jetë të enjten në orën 22:00 me super duelin Francë-Marok. Një ndeshje e cila përsëritet pas gjysmëfinales në Botërorin 2022 kur ‘gjelat’ e Deschamps dolën fitues dhe shkuan në finale për ta humbur kundër Argjentinës.
Dueli i dytë çerekfinalist i këtij Botërori do të jetë të premten në orën 21:00 mes Belgjikës dhe Spanjës, ndërsa ndeshja e 3 të shtunën në orën 23:00 mes Norvegjisë që merr pjesë për herë të parë në këtë fazë dhe Anglisë.
Duhet theksuar se në 8 më të mirat e Botërorit 2026 Amerika e Jugut përfaqësohet vetëm me Argjentinën, pasi Brazili u eliminua nga Norvegjia, ndërsa Afrika ka vetëm Marokun edhe pse nga faza e grupeve u kualifikuan 9 përfaqësuese. Edhe njëherë dominon Evropa teksa mes 8 më të mirave ka arritur të kualifikojë 6 përfaqësuese: Francë, Belgjikën, Spanjën, Norvegjinë, Anglinë dhe Zvicrën.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente








