PRISHTINË, 2 Dhjetor /ATSH/.-Ibrahim Rugova kishte meritën historike se e bëri botën të njohë Kosovën, shprehet sot Presidenti i Aleancës Kosova e Re, zv/kryeministër i qeverisë në përfundim të mandatit, Behgjet Pacolli, në 70-vjetorin e lindjes së Presidentit histotik kosovar.
"Ka shumë popuj të vegjël apo dhe më të mëdhenj sesa Kosova, kauza e të cilëve sot në botë dhe luftërat për këtë kauzë janë të panjohur ose nuk merren në konsideratë. Në kohërat tona nëse kjo kauzë nuk njihet, gjasa që ajo të zgjidhet, të adresohet janë të vogla. Ibrahim Rugova, ditëlindjen e të cilit kujtojmë sot, kishte meritën historike se ishte i pari që e bëri botën të njohë Kosovën, të kuptojë genocidin mbi popullin e Kosovës, të vlerësojë luftën e Kosovës, t'i krijohet respekt për popullin dhe kombin tonë, shprehet Pacolli.
Ai vijon se, "pa këtë njohje, a ndërkombëtarizim siç e quajmë, s'do të kishte ardhur faza e ndërgjegjësimit të qendrave të mëdha të vendosjes për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës" dhe se, "ishte më pastaj lufta çlirimtare që i përshpejtoi cilësisht proceset, mbështetur dhe mbi këtë trashëgimi të vyer të Ibrahim Rugovës".
Pacolli vlerëson se, "vepra politike e Ibrahim Rugovës përfaqëson një trashëgimi të madhe jo thjesht për LDK-në, e cila falë drejtimit të tij ishte parti udhëheqëse e skenës politike të Kosovës. LDK-ja e drejtuar prej Rugovës mishëronte një kuadër të gjerë interesash të qytetarit duke i harmonizuar ato më së miri, çka i garantonte dhe rezultate të larta zgjedhore". Lideri i AKR-së, më tej shkruan se, "LDK-ja e Rugovës sillej me dinjitet me partitë e tjera kundërshtare dhe mu prej kësaj, sot kur ai s'është më, rivalët e tij më të fortë i referohen trashëgimisë së tij politike si një monumenti të përbashkët kombëtar. Vepra e tij bashkoi shumë para vdekjes, por akoma dhe më shumë pas vdekjes".
"Popujt e vegjël kanë nevojë për mite, mbi të cilat themelojnë konceptin e tyre shtetëror të mëpastajmë. Rugova ishte dhe mbetet një mit i dobishëm për shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, me idetë e veta për aleancat ndërkombëtare të Kosovës, me sjelljen e vet të moderuar politike, me paqen që përcillte me sjelljet dhe fjalët e tij. Ja pse unë e kam quajtur atë themelues të pavarësisë së Kosovës, dhe një nga figurat më të mëdha shqiptare të fundshekullit të 20-të. Nderim të përjetshëm figurës së tij!", shkruan Pacolli në Facebook, ku poston edhe një foto me Rugovën./b.j/z.t/