KALLËZIM PENAL
I nderuar Z. Prokuror i Përgjithshëm,
I nderuar Z. Prokuror i Rrethit Gjyqësor Vlorë,
Në zbatim të Vendimit Nr. 931, datë 09 tetor 2013 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Task - Forcës për marrjen e masave të ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit” dhe në përmbushje të detyrave funksionale të përcaktuara në këtë vendim “Task -Forca për Mbrojtjen e Territorit”, pasi u njoh me relacionet e paraqitura nga Inspektoriati Urbanistik Kombëtar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe dokumentet bashkëngjitur këtyre relacioneve;
KONSTATON:
Task-Forca në përmbushje të detyrave të veta funksionale të përfshira në Vendimin Nr. 931, datë 09 tetor 2013 të Këshillit të Ministrave është ndaluar dhe ka analizuar situatën ligjore dhe faktike të objektit në ndërtimin “Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, të zbatuar nga subjekti ndërtues shoqëria “G.B-A KONSTRUKSION”, në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga K.Rr.T-ja e Bashkisë Vlorë, me Vendimin e saj Nr. 5/7, datë 17.08.2010 .
E drejta e saj për të analizuar situatën lind nga Vendimi i Këshillit të Ministrave i sipërcituar i cili ka përcaktuar përbërjen dhe funksionet si më poshtë:
1. Krijimin e Task - Forcës në nivel kombëtar për marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit, e emërtuar “Task - Forca për Mbrojtjen e Territorit”.
2. Task - Forca për Mbrojtjen e Territorit drejtohet nga Ministri i Punëve të Brendshme dhe ka në përbërje:
- Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit; - Ministrinë e Mjedisit; - Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës; - Ministrinë e Kulturës;- Ministrinë e Mbrojtjes;-Kryeinspektorin e Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar;- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit;- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale; - Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
3. Task - Forca për Mbrojtjen e Territorit ka këto funksione:
a) Analizimin e problematikës së ndërtimit dhe vlerësimin e nevojës për ndërhyrje emergjente, për masa të mbrojtjes në të gjithë territorin, si dhe në veçanti dhe me përparësi në zonat e përcaktuara, si zona të rëndësisë kombëtare, me ligj, akte nënligjore apo me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).
b) Evidentimin e zonave me interes kombëtar, në të cilat do të zbatohen masat e ndërhyrjes emergjente për rehabilitimin dhe mbrojtjen mjedisore të territorit.
c) Miratimin e projektplanit të veprimit të ndërhyrjeve në këto zona dhe në të gjithë territorin dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tij.
ç) Përcaktimin e përparësive për zbatimin e ndërhyrjeve emergjente në të gjitha zonat dhe objektet, të cilat paraqesin karakteristika të veçanta kulturore, historike, sociale, arsimore, shëndetësore, mjedisore, turistike, industriale apo infrastrukturore etj., mjedisi i të cilave është dëmtuar/shkatërruar nga zhvillimi i ndërtimeve.
d) Përcaktimin e objektivave e të masave për bashkërendimin e punës me organet e qeverisjes vendore dhe me strukturat e tjera, të specializuara, për monitorimin dhe analizimin e problematikës për realizimin e ndërhyrjeve konkrete.
4. Task - Forca për Mbrojtjen e Territorit mblidhet një herë në javë ose në çdo kohë me kërkesë të kryetarit.
5. Në mbledhjet e Task - Forcës për Mbrojtjen e Territorit ftohen të marrin pjesë përfaqësues të organeve të qeverisjes vendore dhe të institucioneve të tjera të interesuara, kur çmohet se pjesëmarrja e tyre do të jetë e vlefshme për përmbushjen e misionit të saj.
6. Kryetari i Task - Forcës për Mbrojtjen e Territorit i raporton pas çdo mbledhjeje Kryeministrit për ecurinë, problematikat e hasura, masat e ndërmarra dhe rezultatet konkrete të arritura. Kryetari i Task-Forcës, me kërkesë të Kryeministrit, raporton pranë Kryeministrit edhe për çështje të veçanta.
7. Task - Forca për Mbrojtjen e Territorit ndihmohet nga sekretariati teknik. Ngarkohen Ministri i Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Ministri i Punëve të Brendshme për ngritjen e sekretariatit teknik dhe përcaktimin e përbërjes e të mënyrës së funksionimit të tij.
Në analizë të situatës dhe në zbatim të funksioneve të përcaktuara në pikën 3/a të Vendimit të Këshillit të Ministrave mbi problematikën e ndërtimit dhe vlerësimin e nevojës për ndërhyrje emergjente, për masa të mbrojtjes në të gjithë territorin në veçanti dhe me përparësi në zonat e përcaktuara, si zona të rëndësisë kombëtare, Task –Forca është gjendur përpara situatës dhe veprimeve të subjekteve të ngarkuar me funksione dhe detyra shtetërore si më poshtë vijojnë;
A. SITUATA E NDËRTIMIT;
Nga pikëpamja faktike:
Mbi një kontroll të përgjithshëm të kryer në territorin e sheshit të ndërtimit të objektit “Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, të zbatuar nga subjekti ndërtues shoqëria “G.B-A KONSTRUKSION”, në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga K.Rr.T-ja e Bashkisë Vlorë, me Vendimin e saj Nr. 5/7, datë 17.08.2010.
Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar (INUK) në kuadër të ushtrimit të përgjegjësive dhe përmbushjes së detyrave ligjore të rrjedhura nga legjislacioni specifik në fushën e inspektimit dhe rregullimit të territorit dhe, në mënyrë të veçantë, në kuadër të marrjes së masave të menjëhershme për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit, bazuar në VKM Nr. 932, datë 30.09.2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor”, si dhe vendimin nr. 1 datë 08.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe procedurën e hartimit të planit të integruar sektorial për brezin bregdetar”, INUK ka ushtruar kompetencat e veta në bregdetin e Vlorës, në segmentin Skelë – Uji i Ftohtë, duke inspektuar zhvillimet konkrete në territor dhe duke marrë masat konkrete parandaluese e ndëshkuese.
Në kuadër të sa më sipër, INUK, përmes inspektorëve të tij në prezencë edhe të përfaqësuesve të Drejtorisë së Urbanistikës pranë Bashkisë Vlorë, më datë 03.11.2013 kreu një kontroll, në territorin e sheshit të ndërtimit të objektit “Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, të zbatuar nga subjekti ndërtues shoqëria “G.B-A KONSTRUKSION”, në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga K.Rr.T-ja e Bashkisë Vlorë, me Vendimin e saj Nr. 5/7, datë 17.08.2010.
Kontrolli u përqendrua në zbatimin e objektit të sipërpërmendur, krahasuar me vendimet përkatëse të K.Rr.T-së së Bashkisë Vlorë, si edhe me mënyrën e dhënies së lejeve përkatëse në fjalë.
Nga verifikimet dhe kontrollet, në bazë të dokumentacionit që na u vu në dispozicion, pasi u kryen edhe matjet e njollës së zbatuar të objektit në sipërfaqen e tokës, të territorit ekzistues të sistemimeve në funksion të objektit, si dhe verifikimet e volumeve në lartësi, u konstatua se objekti është ndërtuar në një zonë, në kundërshtim të plotë me legjislacionin specifik të ndërtimit, urbanistikës dhe planifikimit të territorit.
Objekti është ndërtuar nga subjekti ndërtues “G.B-A Konstruksion” sh.p.k. dhe është ndërtuar në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga K.RR.T.-ja e Bashkisë Vlorë, me Vendimin e saj Nr. 5/7, datë 17.08.2010.
Në lidhje me sa më sipër, është konstatuar se:
- KRRT e Bashkisë Vlorë, me vendimin nr. 5 datë 17.08.2010 ka vendosur:
(pika 6) Miratohet shesh ndërtimi për objekt banimi dhe shërbimi 1-3-4 kate + papafingo në Lagjen “Uji i Ftohtë”, në perëndim të rrugës “Aleksandër Mojsiu”, me pronar trualli Xhuvi Serxhi e Xhafer Isufi.
(pika 7) Miratohet leje ndërtimi për objekt banimi dhe shërbimi 1-3-4 kate + papafingo në Lagjen “Uji i Ftohtë”, në perëndim të rrugës “Aleksandër Mojsiu”, me subjekt ndërtues “GBA Konstruksion”.
Leja e Ndërtimit Nr. 5/6 dhe 5/7, datë 17.08.2010, për objektin: "Godinë banimi dhe shërbime 1,4,5 kate + 1 kat papafingo dhe 1 kat nëntokë dyqane" me pronarë trualli Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi.
- Më datë 28.09.2010 është lëshuar Formulari nr. 2 (formulari i sheshit të ndërtimit), sipas të cilit:
- Objekt: Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + papafingo, + 1 kat nëntokë dyqane në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.
- Investitor: Xhuvi Sharxhi, Xhafer Isufi
- Sip. e sheshit : 1663 m2
- Sip. ndërtimi : 1098
- Koeficienti i shfrytëzimit të territorit: 66%
- numri maksimal i kateve: 6 (gjashtë) kate
- Po më datë 28.09.2010 është lëshuar Formulari nr. 4 (formulari i lejes së ndërtimit), sipas të cilit:
- Objekt: Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + papafingo, + 1 kat nëntokë dyqane në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.
- Duke pasur parasysh legjislacionin specifik në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës, në lidhje me ligjshmërinë e lejes së sheshit/ndërtimit dhe zbatimin e objektit, vihet re se:
- Në territorin në fjalë është ende në fuqi Plani i Përgjithshëm Rregullues i miratuar nga KRRTRSH në vitin 1996.
- Sipas këtij plani, në territorin në fjalë nuk lejohen ndërtime, pasi kjo zonë është cilësuar si Zonë Plazhi.
- Nuk ka një Studim urbanistik pjesor, në zbërthim të Planit të Përgjithshëm Rregullues të vitit 1996, madje nuk u disponua asnjë studim urbanistik pjesor konkret.
- Po ashtu, në territorin në fjalë nuk lejohen ndërtime as sipas Studimit Urbanistik të Qendrës së Qytetit Vlorë, konkretisht zonës Skelë – Tunel, studim ky i miratuar në vitin 2004 nga KRRTRSH.
- Me vendimin nr. 1 datë 23.06.2004 të KRRTRSH “Për miratimin e studimit urbanistik të qendrës së qytetit të Vlorës”, është vendosur (pika 1) miratimi i studimit urbanistik të qendrës së qytetit të Vlorës, sipas planimetrive bashkëngjitur, ku të pasqyrohen vërejtjet sipas lidhjes 1, bashkëlidhur vendimit.
- Sipas Lidhjes 1, “Konkluzione teknike për studimin urbanistik të qendrës së qytetit të Vlorës”, pika B “Pjesa bregdetare dhe sheshi në Skelë”, është vendosur që të mos betonohet bregu dhe të rishikohet shëtitorja bregdetare.
- Po sipas këtij studimi, i gjithë territori në anë të djathtë të aksit Skelë-Tunel nuk do të ketë ndërtime.
- Ka mospërputhje të theksuar mes aktit administrativ, Vendimit nr. 5 datë 17.08.2010 të KRRT Bashkia Vlorë, pikat 5, 6, 7 dhe Formularëve nr. 2 dhe nr. 4.
- Me aktin administrativ, Vendimi nr. 5 datë 17.08.2010 të KRRT Bashkia Vlorë është vendosur që Detyra e Projektimit dhe Studimi Pjesor, miratimi sheshit të ndërtimit dhe miratimi i lejes së ndërtimit të jenë për një objekt 1-3-4 kate + papafingo dhe jo për një objekt 1-4-5 kate + papafingo, + 1 kat dyqane nëntokë.
- Është bërë ndryshimi i sipërfaqes së truallit, sipërfaqe e cila nuk përputhet me atë faktike në terren (Referojuni pikës 5).
- Zbardhja e lejes së miratimit të destinacionit të sheshit të ndërtimit dhe kondicioneve urbane të tij, si dhe lejes së ndërtimit, është bërë për 1 (një) kat më shumë, duke shtuar edhe një kat nën tokë dhe dyqane, të cilat nuk janë miratuar në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë.
- Gjatë zbatimit të objektit në kundërshtim me lejen e ndërtimit, është përvetësuar prona publike, duke shkelur vijën bregdetare në brendësi të sipërfaqes së detit, duke realizuar sistemime me mure rrethuese, platforma b/a, hapësira rekreative dhe parkimi. Objekti nuk ka një leje shfrytëzimi të miratuar nga organi kompetent.
Në lidhje me mënyrën e zbatimit të lejes së ndërtimit;
- Nga konstatimet në terren është konstatuar se:
- Pozicionimi i rrugës hyrëse në objekt, është realizuar në kundërshtim me Planimetrinë e Sheshit të Ndërtimit. Konkretisht, rruga hyrëse e objektit, është realizuar paralel me faqen veriperëndimore të objektit, ndërsa është miratuar me distanca (4.1 m) dhe (7.3 m) nga faqja e objektit.
- Në kundërshtim me Planimetrinë e Sheshit të Ndërtimit, është realizuar Pishinë në anën veriperëndimore të objektit.
- Në kundërshtim me Planimetrinë e Sheshit të Ndërtimit, si dhe me Projektin e miratuar nga K.Rr.T. e Bashkisë Vlorë, është realizuar një volum 1-kat (me sip. Rreth 45 m2), ngjitur me faqen jugperëndimore të objektit.
- Në anën veriperëndimore dhe jugperëndimore të objektit është realizuar një shesh i sistemuar, i cili del jashtë kufirit të pronës, të përcaktuar në Planimetrinë e Sheshit të Ndërtimit.
- Në anën verilindore të Sheshit të Ndërtimit, të miratuar për objektin në fjalë, është realizuar pa leje një shesh (vendparkim automjetesh) me dimensione rreth (30m x 31m), i shtruar me pllaka.
- Krahasuar me projektin e miratuar, faqet juglindore, verilindore dhe veriperëndimore të objektit nuk janë zbatuar sipas projektit të miratuar.
- Nga matjet[1] e kryera në mënyrë të përafërt, në sheshin e objektit të ndërtuar është konstatuar:
- Sipërfaqja e njollës së objektit rezulton rreth 1240 m2.
- Sipërfaqja e sistemuar përqark objektit (pa përfshirë sipërfaqen e njollës së objektit) rezulton rreth 2390 m2.
- Sipërfaqja totale e territorit (sipërfaqja e njollës së objektit+sipërfaqen e sistemimeve) është rreth 3630 m2.
- Duke iu referuar sipërfaqeve të përcaktuara në sheshin e ndërtimit dhe në projektin e miratuar nga KRRT e Bashkisë Vlorë, rezulton:
- Njolla e objektit është me sipërfaqe 1089 m2
- Sipërfaqja e sheshit të ndërtimit (brenda kufirit të pronës) është 1663 m2.
- Për sa më sipër, konstatohet se sipërfaqja totale e sheshit e realizuar nga subjekti ndërtues e tejkalon sipërfaqen e sheshit të miratuar nga KRRT.
- Gjithashtu, në anën Veriore të objektit të miratuar (jashtë territorit të sheshit të ndërtimit), është realizuar edhe një shesh tjetër (rreth 930 m2), i shtruar me pllaka, me funksion vendparkim automjetesh, i cili komunikon me sheshin e sistemuar të këtij objekti.
- Pranë INUK-sektori Vlorë, është depozituar një ankesë nga shtetasi Luan Toto, në të cilën pretendohet së sheshi i ndërtimit të objektit të miratuar ka hyrë në truallin e banesës së ankuesit, që ndodhet në anën verilindore të objektit të zbatuar nga subjekti “G.B-A. KONSTRUKSION”.
Referuar gjithë sa më sipër rezulton se:
- Miratimi i lejes së sheshit/ndërtimit është bërë në kundërshtim me Planin Rregullues të vitit 1996 dhe Studimin e Qendrës së Qytetit të Vlorës të vitit 2004;
- Me vendimin e KRRT-së Bashkia Vlorë si organ kolegjial, është miratuar një leje ndërtimi për 1-3-4 kat + papafingo, ndërkohë që zbardhja e lejes është bërë për 1-4-5 kat + i kat papafingo + i kat nëntokë dyqan;
- Me lejen e ndërtimit nuk është respektuar asnjë prej kondicioneve urbanistike të parashikuara në aktet normative në fuqi;
- Zbatimi i lejes së ndërtimit, pavarësisht shkeljeve të mësipërme në miratimin e saj, është bërë, sërish, në kundërshtim të plotë me kushtet e saj (referoju më gjerësisht pikës 5 më sipër);
Gjithë sa më sipër konstatohen duke u mbështetur në legjislacionin specifik në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës, në lidhje me ligjshmërinë e lejes së sheshit/ndërtimit dhe zbatimin e objektit dhe në mënyrë të veçantë, duke pasur parasysh parashikimet e mëposhtme nga:
+ Ligji Nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, i ndryshuar:
Neni 1
Në kuptim të këtij ligji:
"Plan i përgjithshëm rregullues" është studimi urbanistik kompleks për një territor të kufizuar dhe përfshin territorin e një qyteti bashkë me zonën suburbane (periferike) të shtrirjes perspektive, të një fshati, të një qendre të banuar, të një qendre pushimi, të një qendre industriale
etj;
"Studimi urbanistik pjesor" është studimi urbanistik i detajuar, që mbështetet në parashikimet e planit të përgjithshëm rregullues dhe përfshin zona ose pjesë të territorit të tij, ku parashikohen ndërhyrje rregulluese;
"Planimetri e sheshit të ndërtimit" është materiali grafik që nxirret nga studimi urbanistik pjesor dhe i bashkëngjitet vendimit për miratimin e sheshit të ndërtimit dhe kushteve urbane të tij;
"Projektide" është faza e zhvillimit të një projekti ndërtimor i mjaftueshëm për t'u përdorur për gjykimin e miratimit të kushteve të sheshit të ndërtimit;
"Projektteknik" është faza e zhvillimit të një projekti ndërtimor i mjaftueshëm për t'u përdorur për dhënien e lejes së ndërtimit;
"Projektzbatim" është faza e zhvillimit të një projekti ndërtimor i mjaftueshëm për t'u përdorur për zbatimin e ndërtimit të objektit;
"Urbanizim" është procesi i zënies së një sipërfaqeje toke për t'u ndërtuar që nga elementët e thjeshtë të sistemimit deri në ndërtimin përfundimtar;
Neni 4
Të gjitha ndërtimet në territorin e Republikës së Shqipërisë bëhen në bazë të studimeve urbanistike rajonale dhe mjedisore, të masterplaneve, të planeve rregulluese të përgjithshme, të studimeve urbanistike pjesore në fazën e projektidesë, të projektit teknik dhe projektit të zbatimit.
Projekti, për të gjitha llojet e ndërtimeve mbitokësore e nëntokësore dhe të infrastrukturës inxhinierike në të gjithë territorin e vendit, bëhet në bazë të normave, kushteve teknike e akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
Neni 5
Studimi urbanistik rajonal dhe mjedisor, master plani, plani rregullues i përgjithshëm, studimi urbanistik pjesor, vija kufizuese e ndërtimit dhe vija suburbane janë dokumente teknike që kushtëzojnë dhe përcaktojnë të gjitha marrëdhëniet teknike e ligjore në fushën e urbanistikës. Përmbajtja dhe mënyra e hartimit të tyre përcaktohen në Rregulloren e Urbanistikës, e cila miratohet nga Këshilli i Ministrave.
+ VKM nr. 722 datë 19.11.1998 “Për miratimin e rregullores së urbanistikës”, i ndryshuar, Pikat:
5. Planimetria e sheshit të ndërtimit: Është material grafik që nxirret nga studimi urbanistik pjesor dhe i bashkëngjitet vendimit për miratimin e sheshit të ndërtimit dhe kondicioneve urbane të tij.
43. Studimi urbanistik pjesor zbërthen më tej planin rregullues të përgjithshëm. Ai hartohet për një zonë funksionale të qytetit, një pjesë të saj, e deri për një shesh ndërtimi.
44. Studimi urbanistik pjesor përcakton qartë kondicionet urbanistike dhe kriteret e zgjidhjeve vëllimore dhe arkitektonike të ndërtimeve, duke respektuar treguesit kryesorë që jep plani rregullues i përgjithshëm.
47. Studimi urbanistik pjesor hartohet mbi bazën e detyrës së projektimit.
Detyra e projektimit duhet të përmbajë:
- planimetrinë e zonës funksionale të planit rregullues të përgjithshëm ku mbështetet studimi
- urbanistik pjesor (kur studimi urbanistik pjesor hartohet për një pjesë të saj) në shkallën 1: 5000 deri 1:1000;
- planimetrinë e zonës funksionale, për të cilën hartohet studimi urbanistik pjesor në shkallën 1:2000 deri 1:500;
- të dhëna inxhiniero – gjeologjike, topografike dhe sizmologjike;
- të dhëna demografike;
- azhurnimi i rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe ajror (ujësjellës, kanalizim, elektrik, telefonik etj.);
- të dhëna për monumentet me vlera historike, arkeologjike dhe ndërtimet e tjera karakteristike që ndodhen brenda studimit urbanistik pjesor;
- si dhe të dhëna të tjera të hollësishmë sipas zonës funksionale që do të studiohet.
a) projektideja;
b) projekti i zbatimit.
a- Projektideja e studimit urbanistik pjesor duhet të përmbajë:
- detyrën e projektimit të hartuar e të miratuar nga organi sipas kompetencës;
- relacionin e përgjithshëm, së bashku me kondicionet urbanistike;
- planimetrinë e zonës funksionale sipas planit rregullues të përgjithshëm ku të përcaktohet pjesa e saj ku do të kryhet studimi urbanistik pjesor në shkallën 1:5000 deri 1:1000;
- planimetrinë e zonës funksionale në shkallën 1:2000 deri 1:500, për të cilën hartohet
- studimi urbanistik;
- planin e zonimit funksional;
- skemën e rrjetit rrugor;
- projektidenë e infrastrukturës;
- planimetrinë me fazat e ndërtimit;
- fazat e rikonstruksionit;
- planin e zonimit vertikal sipas lartësisë të kateve;
- pamjet arkitektonike dhe panoramike të ndërtimeve gjatë rrugëve kryesore;
- maketin, perspektivën ose aksonometrinë ajrore të zonës ku shtrihet studimi urbanistik pjesor;
- projektin teknik të rrjetit rrugor;
- pasqyrën e treguesve teknik-ekonomikë.
b- Projekti i zbatimit të studimit urbanistik pjesor përmban:
- planin e zonimit funksional në shkallën 1:1 000;
- planin e piketimit dhe të kuotimit të objekteve në shkallën 1:1000 ose 1:500 dhe për zona me reliev të aksidentuar në shkallën 1:200;
- rrjetin rrugor në shkallën 1:1000 ose 1:500 dhe për zona me reliev të aksidentuar në shkallën 1:200;
- planin e sistemimeve në shkallën 1:1000 ose 1:500 dhe për zona me reliev të aksidentuar në shkallën 1:200;
- projektin teknik të rrjetit inxhinierik në shkallën 1:1000 ose 1:500;
- planimetrinë e kateve përdhe të të gjitha ndërtimeve (për zonën e banimit, planimetritë e katit tip të banesave të fazës së parë) në shkallën 1:200;
- pamjet arkitektonike e panoramike të ndërtesave gjatë rrugëve në shkallën 1:200;
- projekti teknik i mbrojtjes nga zjarri dhe i shpëtimit.
73. Njësitë tregtare ose të shërbimit parashikohen në katet përdhese të banesave. Në treguesin 10 m2 /banorë sipërfaqe e lirë përfshihet norma 4m2/banorë gjelbërim. Pjesa tjetër është sipërfaqe e pandërtuar dhe rrugë deri në hyrjet e banesave.
113. Zona turistike përbëhet nga zona me vlera të mëdha natyrore, peizazhistike, kulturore, sportive, shëndetësore pushimi etj.
a) Përkufizimi i zonave turistike
Konsiderohen zona turistike ato që përdoren nga vizitorë për qëndrime të shkurtra ose eskursione një ose disaditore; për pushim (plazhe detare, parqe pyjore, qendra alpine, brigje liqenesh, rezervuarësh e lumenjsh etj.); për aktivitete sportive (gara, ngjitje alpinistike, ski, golf, eskursione, gjueti, peshkim); për aktivitete kulturore (shfaqje, vizita në qendra e monumente historike, njohje të bukurive natyrore); për aktivitete biznesi (seminare, panaire); për aktivitete shtetërore e politike (kongrese, konferenca); për shërbime shëndetësore (kura termale, qendra rehabilitimi).
Urbanizimi i bregdetit duhet të jetë i kufizuar vetëm për pajisje që lidhen drejtpërdrejt me të. Në një rrip me gjerësi 250-300 m nga niveli më i lartë i sipërfaqes ujore nuk lejohen ndërtime, përveç rasteve të veçanta që përbëjnë objekt justifikimi të qartë mbi bazën e motiveve urbanistike ekonomike ose detyrimeve topografike.
122. Për ndërtimet gjatë rrugëve, çdo dalje konsol do të quhet faqe ndërtimi dhe nuk duhet të kalojë jashtë vijës së ndërtimit.
123. Kur pjerrësia e çatisë lejon mundësinë e shfrytëzimit të mbi 50%të sipërfaqes së përgjithshme të objektit që mbulohet dhe kur ka dritare në çati, për efekt të llogaritjes së distancave ajo konsiderohet një kat. Kur shfrytëzimi i çatisë është 30- 50 % dhe kur ka dritare në çati ajo konsiderohet si gjysmë kati.
Kur pjerrësia e çatisë është mbi 45 gradë dhe nuk ka dritare, për efekt të llogaritjes së distancave konsiderohet si gjysmë kati.
124. Kur lartësia e katit përdhe është mbi 5.0 m mbi kuotën e sistemuar, për efekt të llogaritjes së distancave lartësia e këtij kati konsiderohet si një kat e gjysmë dhe kur është mbi 6.0 m konsiderohet si dy kate.
B. SITUATA E REGJISTRIMIT TË PRONËS;
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në ushtrim të detyrave dhe kompetencave të përcaktuara nga ligji Nr. 33/2012 për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme, ka ushtruar një kontroll duke verifikuar dokumentacionin që ndodhet në ZVRPP Vlorë në lidhje me truallin dhe objektin “Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, të zbatuar nga subjekti ndërtues shoqëria “G.B-A KONSTRUKSION”.
Nga verifikimi i dokumentacionit që ndodhet në ZRPP Vlorë në lidhje me pasurinë e mësipërme, (truall dhe objekt) situata është si më poshtë:
- Në regjistrin hipotekor nr. 77 te vitit 1937 figuron e regjistruar në emër të vëllezërve Stavro, Ahilea dhe Mili Ndini një pasuri e përbërë nga një shtëpi e ndodhur në vendin “Uji i ftohtë” të Vlorës e përbërë prej dy pjesësh njëra beton arme dhe tjetra me mur prej guri (bashkëlidhur fleta e regjistrit)
- Në regjistrin hipotekor nr. 12 të vitit 1953, pjesa e Milo Ndinit pra 1/3 e pasurisë së mësipërme është sekuestruar nga shteti në bazë të vendimit të gjykatës (bashkëlidhur fleta e regjistrit)
- Në regjistrin hipotekor nr. 2349 dt 7.4.1995 është bërë regjistrimi në emër të tre vëllezërve i vendimit nr. 68 dt 17.01.1995 i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Bashkisë Vlorë të një sipërfaqeje prej 600 m2 truall me origjinë prone në regjistrimet e mësipërme. (bashkëlidhur fleta e regjistrit dhe dokumentacioni përkatës)
- Në regjistrin hipotekor nr. 2955 dt 7.10.1996 është regjistruar vendimi gjyqësor nr. vendimi 2304 dt 3.09.1996, ku një nga trashëgimtarët e pronarëve të mësipërm ka kundërshtuar vendimin e KKKP të Bashkisë Vlorë me pretendimin se kufijtë e përcaktuar nga komisioni janë të sakta, por sipërfaqja nuk është 600 m2 por më e madhe. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka pranuar kërkesën e paditësit Vangjel Ndini. Gjykata ka njohur dhe kthyer tashmë një sipërfaqe të përgjithshme 1663m2 trualli, pra një sipërfaqe 1063 m2 më të madhe se sipërfaqja e dhënë nga Komisioni i Kthimit, edhe pse shprehet se kjo sipërfaqe ndodhet brenda kufizimeve të vendimit të Komisionit. Harta treguese e pronës bashkëngjitur vendimit pasqyron ndryshimin jo vetëm të sipërfaqes por edhe të kufijve që ndryshon pozicionimin e pronës. (bashkëlidhur fleta e regjistrit dhe dokumentacioni përkatës)
- Në regjistrin hipotekor nr. 418 të vitit 2009 është bërë regjistrimi i dëshmive të trashëgimisë të të tre vëllezërve (bashkëlidhur fleta e regjistrit).
- Në regjistrin hipotekor nr 426 të vitit 2009 është regjistruar kontrata e shitjes ku 24 trashëgimtarët Ndini ia kanë shitur pronën e tyre prej 1663 m2 shtetasve Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi (bashkëlidhur fleta e regjistrit). Nga ana formale kontrata duket e rregullt.
- Pas kryerjes së këtyre veprimeve, pala e interesuar ka aplikuar pranë ZRPP Vlorë në vitin 2009 dhe ka marrë vërtetim pronësie dhe hartë treguese për pronën e regjistruar.
Shtetasit Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi tashmë pronarë të tokës janë pajisur me leje ndërtimi nr. 517 dt 17.08.2010.
- Bashkia e Vlorës ka përcjellë dosjen për regjistrim në ZRPP Vlorë të objektit më datë 26.12.2012. Nga ZRPP është kryer regjistrimi brenda ditës më datë 27.12.2012.
Është në detyrat dhe kompetencat e Kryeregjistruesit të ushtrojë kontroll mbi veprimtarinë në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e legjislacionit në fuqi siç parashikohet nga neni 17 i ligjit në fuqi Nr. 33/2012 për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme.
Neni 17
Detyrat e Kryeregjistruesit
Kryeregjistruesi ushtron këto detyra kryesore:
a) drejton dhe organizon veprimtarinë e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për realizimin e funksioneve dhe përmbushjen e detyrave të saj, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi;
b) përgatit programin buxhetor afatmesëm dhe programin vjetor të veprimtarisë së vitit të ardhshëm financiar të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme;
c) harton programe për regjistrimin fillestar, zhvillimin, përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të nxitur investimet në sektorin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
ç) miraton ndarjen në zona kadastrale;
d) i propozon Bordit Drejtues ndryshimin e tarifave të shërbimeve të ofruara nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, me qëllim mbulimin e kostove të shërbimit dhe menaxhimin me efiçencë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme;
dh) ushtron kontroll mbi veprimtarinë në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e legjislacionit në fuqi;
e) miraton planet e trajnimit të burimeve njerëzore në sektorin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
ë) bashkërendon punën me institucionet shtetërore për të shkëmbyer informacionin e nevojshëm për të drejtat e regjistruara në regjistrat e pasurive të paluajtshme, si dhe për përmbushjen e detyrave të tij, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
………………………………………………………………………………………………………….
Pikërisht në zbatim të detyrave funksionale të Kryeregjistruesit si edhe në përfundim të një procedure verifikimi rezultuan parregullësi në procedurat e regjistrimit dhe veprimet e kryera në ZRPP-në Vlorë si më poshtë;
- Para ndërtimit të objektit
Zyra e Regjistrimit ka kryer veprimin e azhornimit duke e pozicionuar një pjesë të truallit, pronë e pretenduar e kërkuesve, mbi sipërfaqen ujore të detit, përgjegjësi e specialistit që ka kryer një veprim të tillë, në kundërshtim me parashikimet ligjore dhe në mospërmbushje të detyrës së ngarkuar me ligj.
Në bazë të ligjit Nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, neni 3 pika 1/a rezulton se i përket shtetit shqiptar dhe se bën pjesë në pronat e paluajtshme publike, vija bregdetare për të hyrë në tokë dhe ujërat territoriale.
Gjithashtu veprimet e kryera nga specialisti i ZRPP-së, duhet të kontrollohen dhe janë në mbikëqyrjen e Regjistruesit të ZRPP-së Vlorë, i cili është subjekti i ngarkuar me ligj për lëshimin e akteve të zyrës dhe është i ngarkuar me detyrën për kontrollin e rregullueshmërisë së këtyre akteve.
Ai në mospërmbushje të detyrave të tija funksionale të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore ka lejuar të regjistrohet një pronë në pronësi private, megjithëse nga aktet rezultonte se ajo shtrihej në një sipërfaqe ujore që i përket ujërave territoriale të shtetit shqiptar në det.
- Pas ndertimit te objektit
Në momentin e regjistrimit të objektit tashmë të përfunduar ZRPP Vlorë ka kryer këto shkelje:
- Është lejuar regjistrimi i një objekti i ndërtuar mbi sipërfaqen ujore të detit.
- Mungon leja e shfrytëzimi të objektit mungesë, e cila duhej të sillte si pasojë mos regjistrimin e objektit.
- Sipas aktit të kolaudimit konstatohet mospërputhje midis tij dhe lejes së ndërtimit: Konkretisht sipërfaqja e katit përdhe e përcaktuar në aktin e kolaudimit është 1651.25 m2 ndërkohë që sipas lejes së ndërtimit sipërfaqja që duhej të shfrytëzohej është 1098 m2 pra një diferencë mbi 450 m2.
C. SITUATA E KTHIMIT TË PRONËS.
Në lidhje me vendimin nr. 68, datë 17.01.1995 në emër të subjekteve të shpronësuar Stavro, Arqile, Milto Ndini.
Pronësia mbi truallin që është ngritur ndërtimi pretendohet është përfituar me anën e një vendimi të KKKP Vlorë në zbatim të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës ish-pronarëve.
Në lidhje me këtë sipërfaqe, pranë KKKP Bashkia Vlorë është hapur dosja nr. 73/1993 në emër të subjekteve të shpronësuar Stavro, Arqile, Milto Ndini, për të cilën komisioni ka marrë vendimin nr. 68, datë 17.01.1995 me të cilin trashëgimtarëve të subjekteve të mësipërm i është njohur dhe kthyer një sipërfaqeje prej 600 m2 truall «regjistruar pranë ZVRPP Vlorë në regjistrin hipotekor nr. 2349, datë 07.04.1995».
Ky Vendim është ankimuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Vlorë, me palë paditëse Vangjel Ndini dhe palë paditur KKKP Bashkia Vlorë me objekt «Kundërshtimin e Vendimit nr. 68 datë 17.01.1995 të KKKP Bashkia Vlorë».
Me vendimin nr. 2304, datë 03.09.1996 Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Vlorë ka vendosur, pranimin e padisë së paditësit Vangjel Ndini, detyrimin e palës së paditur KKKP Bashkia Vlorë, për të njohur pronar dhe ti kthejë në natyrë truallin prej 1663 m2 të ndodhur në lagjen «Uji i Ftohtë» Vlorë me kufizime sipas vendimit të këtij komisioni nr.68 datë 17.01.1995 «regjistruar pranë ZVRPP Vlorë në regjistrin hipotekor nr. 2838, datë 07.10.1996»,
Nga verifikimi në arkivën e AKKP-së na rezulton se kjo dosje nuk gjendet në arkivën e AKKP-së, por ekziston vetëm në arkivën dixhitale (dosje e skanuar ku fletët janë pjesërisht të djegur). Kjo referuar edhe shkresës nr. 4073 datë 06.07.2011 të ZVRPP Vlorë administruar pranë AKKP me nr. 3621/1 datë 21.07.2011 me anë të së cilës janë përcjellë dosjet nga KKKP Bashkia Vlorë. AKKP Tiranë nuk ka dijeni se pse kjo dosje nuk është përcjellë me dosjet e tjera pranë arkivës tonë, veprim ky në kundërshtim me Ligjin 9235, datë 29.07.2004 «Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave» i ndryshuar .
Trashëgimtarët e personave të shpronësuar e kanë shitur këtë pronë tek Xhuvi Sarxhi dhe Xhafer Isufi, veprim ky i cili provohet nëpërmjet kontratës së shit – blerjes Nr. Rep 7912 dhe Nr. Kol 3364, datë 11.11.2009 e nënshkruar nga palët përpara noteres Mimoza Shehu, me adresë rruga «Avdyl Frashëri», P11/3/3, Tiranë.
Po ashtu, nëpërmjet ZVRPP Vlorë jemi bërë me dijeni se, Prokuroria e Rethit Gjyqsor Vlorë, ka filluar procedimin penal nr. 200, viti 2011 ku arsyetohet se, me shkrësën nr. 553, datë 09.02.2011, INUK ka kërkuar ushtrimin e ndjekjes penale në ngarkim të punonjësve të Drejtorisqë së Planifikimit Urban dhe Këshillit të Regullimit të Teritorit Bashkia Vlorë lidhur me procedurën e lejes së sheshit të ndërtimit dhe lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë ndërtuese «G.B.A KONSTRUKSION».
INUK dega Vlorë pretendon se me Vendimet 5/6 dhe 5/7 17.08.2010 është miratuar një leje ndërtimi në zonë ku nuk lejohen ndërtime sipas Planit të Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Vlorës. Po ashtu nga kallzuesi pretendohet se është bërë dhe ndryshimi i sipërfaqes së truallit, sipërfaqe e cila nuk përputhet me atë në terren.
Bazuar në sa më sipër, në mbështetje të nenit nr. 208/1/2 të K. Pr. Penale Prokuroria e Rethit Gjyqsor Vlorë më datë 21.02.2011 ka vendosur sekuestrimin e praktikës së regjistrimit të pronës së shtetasve Xhuvi Sarxhi dhe Xhafer Isufi, në rregjistyrin hipotekor nr. 426, datë 19.11.2009, së bashku me të gjithë dokumentacionin e origjinës së kësaj prone dhe të gjitha tranksasionet e kryera për të (bashkëngjitur një kopje e Vendimit të Prokurorisë).
Në lidhje me hartën që shoqëron vendimin nr. 68, datë 17.01.1995 të KKKP Vlorë:
Përsa i përket hartës që shoqëron vendimin ku është pasqyruar terreni dhe gjurma e sipërfaqes së kthyer prej 600 m2 si dhe kufitarët që e rrethojnë këtë pronë të cilët në bazë të hartës janë: në Lindje- Rruga automobilistike Vlorë- Sarandë, në Jug dhe Perëndim Deti dhe në Veri- Laze Toto. Nga ekspertimi i bërë njollës së vendimit, na rezulton se kjo njollë ndodhet brenda vijës kufizuese të hartës zyrtare të ZVRPP-së. Në bazë të matjeve, distanca nga fundi perëndimor i pronës deri në vijën bregdetare vijon nga 6.5 metra deri në 8.6 metra.
Duke qenë se Vendimi nr. 68, datë 17.01.1995 të KKKP Vlorë është ankimuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Vlorë e cila ka bërë dhe korigjimin e sipërfaqes nga 600 m2 në 1663 m2 ka ndryshuar dhe planvendosja e pronës së pretenduar.
Duke bërë ekspertizën e hartës së KKKP Vlorë dhe hartës së vendimit të gjykatës, na rezulton se sipërfaqja që gjykata ka njohur dhe ka kthyer bije jashtë vijës tokësore të hartës së ZVRPP Vlorë, më konkretisht kjo sipërfaqe shtrihet në pjesën më të madhe të saj në ujë.
Po ashtu, referuar pozicionimit të pronës, sipas planvendosjes së lejes së ndërtimit në fragment të hartës së ZVRPP rezulton se kjo sipërfaqe është pjesërisht jashtë vije tokësore dhe pjesërisht në det.
Duke analizuar mbivendosjen e planimetrive të ndodhura në dosje dhe ballafaqimit me ortofoton e vitit 2007 ku qartësisht dallohet se pjesa perendimore e kësaj prone bie jashtë vijës tokësore dhe shtrihet mbi sipërfaqen ujore të detit.
Bazuar në pasqyrimin e ortofotos, del se kemi një pozicionim të qëllimshëm të pronës në det dhe mbushjen e bregut të detit me materiale të ndryshme.
ANALIZA LIGJORE
Në përfundim të analizës së fakteve rezulton se si pasojë e mosrespektimit nga ana e disa organeve kompetente shtetërore të procedurave ligjore dhe detyrave të caktuara me ligj është ndërtuar dhe regjistruar duke I kaluar në pronësi dhe subjekteve të treta një objekt;
- në një zonë në të cilën nuk lejohet ndërtimi,
- në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit,
- jashtë hapësirës tokësore (në det) dhe
- pa një certifikim ligjor të sigurisë së përdorimit të këtij objekti (pa leje shfrytëzimi).
Parregullsitë e konstatuara në procedurat për kthimin dhe kompensimin e tokës, dhënien e lejes së ndërtimit, ndërtimin e objektit për zbatimin e lejes së ndërtimti, si edhe në regjistrimin e pronës dhe objektit në ZRPP janë kryer në kundërshtim me parashikimet ligjore, në mospërmbushje të detyrave funksionale nga një zinxhir organesh të adminstratës shtetërore dhe Gjykatës duke i sjellë në këtë mënyrë dëm interesave të shtetit.
Për sa më sipër dhe konkretisht neni 281 të Kodit të Procedurës Penale, në të cilin parashikohet:
“Neni 281
Kallëzimi nga nëpunësit publikë
1. Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale.
2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore.
3. Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori.
4. Kallëzimi përmban elementet thelbësore të faktit, burimet e provës, gjeneralitetet, banimin dhe çdo gjë tjetër që vlen për identifikimin e personit të cilit i atribuohet fakti, të personit të dëmtuar dhe të atyre që janë në gjendje të sqarojnë rrethanat e faktit.”
Ju bëj më dije me anë të këtij kallëzimi shkeljet ligjore dhe proceduriale të cilat janë konstatuar nga kontrollet e ushtruara në përmbushje të detyrimeve, si Kryetar i Task-Forcës, si edhe të detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni penal dhe që janë konstatuar nga Inspektoriati Urbanistik Kombëtar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Ashtu sic u analizua edhe më lart rezulton se si pasojë e mosrespektimit nga ana e disa organeve kompetente shtetërore të procedurave ligjore dhe detyrave të caktuara me ligj është ndërtuar dhe regjistruar duke i kaluar në pronësi dhe subjekteve të treta një objekt;
- në një zonë në të cilën nuk lejohet ndërtimi,
- në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit,
- jashtë hapësirës tokësore (në det) dhe
- pa një certifikim ligjor të sigurisë së përdorimit të këtij objekti (pa leje shfrytëzimi).
Veprimet e kundërligjshme konsistojnë si më poshtë vijon;
Në procedurat e dhënies së lejes së sheshit/ndërtimit dhe në kontrollin e zbatimit të lejes së objektit:
- Në territorin në fjalë është ende në fuqi Plani i Përgjithshëm Rregullues i miratuar nga KRRTRSH në vitin 1996.
- Sipas këtij plani, në territorin në fjalë nuk lejohen ndërtime, pasi kjo zonë është cilësuar si Zonë Plazhi.
- Po ashtu, në territorin në fjalë nuk lejohen ndërtime as sipas Studimit Urbanistik të Qendrës së Qytetit Vlorë, konkretisht zonës Skelë-Tunel, studim ky i miratuar në vitin 2004 nga KRRTRSH.
- Sipas këtij studimi, i gjithë territori në anë të djathtë të aksit Skelë-Tunel nuk do të ketë ndërtime.
- Ka mospërputhje të theksuar mes aktit administrativ, Vendimit nr. 5 datë 17.08.2010 të KRRT Bashkia Vlorë, pikat 5, 6, 7 dhe Formularëve nr. 2 dhe nr. 4.
- Me aktin administrativ, Vendimi nr. 5 datë 17.08.2010 të KRRT Bashkia Vlorë është vendosur që Detyra e Projektimit dhe Studimi Pjesor, miratimi sheshit të ndërtimit dhe miratimi i lejes së ndërtimit të jenë për një objekt 1-3-4 kate + papafingo dhe jo për një objekt 1-4-5 kate + papafingo, + 1 kat dyqane nëntokë.
- Është bërë ndryshimi i sipërfaqes së truallit, sipërfaqe e cila nuk përputhet me atë faktike në terren (shih më poshtë, pika 5).
- Zbardhja e lejes së miratimit të destinacionit të sheshit të ndërtimit dhe kondicioneve urbane te tij, si dhe lejes se ndërtimit, është bërë për 1 (një) kat më shumë, duke shtuar edhe një kat nën tokë dhe dyqane, të cilat nuk janë miratuar në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë.
- Gjatë zbatimit të objektit në kundërshtim me lejen e ndërtimit, është përvetësuar prona publike, duke shkelur vijën bregdetare në brendësi të sipërfaqes së detit, duke realizuar sistemime me mure rrethuese, platforma b/a, hapësira rekreative dhe parkimi.
- Objekti nuk ka një leje shfytëzimi të miratuar nga organi kompetent dhe pavarësisht nga kjo është përcjellë për regjistrim mëgjithëse është një praktikë e paplotësuar konform kërkesave ligjore.
Këto kundraligjshmëri ngarkojnë me përgjegjësi dhe sjellin pasoja për të gjithë funksionarët publik dhe shtetëror, të cilët kanë dhënë ose lejuar të jepet një leje e kundraligjshme, si edhe kanë urdhëruar apo kanë kryer regjistrimin e pronës në kundërshtim me kërkesat ligjore.
Në procedurat për regjistrimin e prones dhe të objektit:
Veprimet e kundërligjshme të subjekteve të cilët kanë marrë pjesë në regjistrimin e pasurisë në ZRPP janë si më poshtë vijojnë:
- Zyra e Regjistrimit ka kryer veprimin e azhornimit të pronës duke e pozicionuar një pjesë të truallit mbi sipërfaqen ujore të detit, përgjegjësi e specialistit që ka kryer një veprim të tillë.
- Është lejuar regjistrimi i një objekti i ndërtuar mbi sipërfaqen ujore të detit.
- Mungon leja e shfrytëzimit e objektit mungesë e cila duhej të sillte si pasojë mosregjistrimin e objektit.
- Sipas aktit të kolaudimit konstatohet mospërputhje midis tij dhe lejes së ndërtimit: Konkretisht sipërfaqja e katit përdhe e përcaktuar në aktin e kolaudimit është 1651.25 m2 ndërkohë që sipas lejes së ndërtimit sipërfaqja që duhej të shfrytëzohej është 1098 m2, pra një diferencë mbi 450 m2.
Në procedurat për kthimin e pronës dhe procedurat përpara Gjykatës;
- Është kthyer një pronë në bregdet në kundërshtim me parashikimet ligjore.
- Është bërë rritja fiktive e sipërfaqes së pronës duke konkluduar që pronarët të merrnin sipërfaqe edhe në det.
- Është lejuar nga Gjykata kthimi i kësaj prone dhe është pranuar një akt i tillë ekspertimi duke sjellë si pasojë që një pjesë e ujërave territoriale të