TIRANË- Sali Berisha ka shmangur shoqërimin forcërisht në gjykatë me policë në gjyqin e hapur pas padisë për shpifje ndaj tij nga Erion Veliaj. Në seancën e të premtes, u paraqit vetëm avokati Ivi Kaso, i cili ishte pajisur me prokurë përfaqësimi dhe deklaratë noteriale.

Janë pikërisht këto dy akte, që duket se kanë shmangur një shoqërim të Berishës me policë në gjykatë, për shkak të mosparaqitjes së tij në seancës së parë.

Palët refuzuan mundësinë e pajtimit ndërkohë që gjykata deklaroi se procesi do të vijojë në datën 2 qershor në orën 13.30. Kryebashkiaku i Tiranës, e ka paditur Berishën për shpifje lidhur me deklaratat që ai ka bërë për lidhjet me Iranin.

Kujtojmë se Sali Berisha publikoi gjatë një emisioni televiziv një foto ku pretendonte se ishte Erion Veliaj i cili kishte shkuar në Iran i maskuar e me paruke. Por në të vërtetë në një intervistë për Report Tv, Veliaj zbuloi se personi që kishte publikuar Berisha në foto ishte Joe Walsh, një kitarist i njohur amerikan. Veliaj tha se fotoja e kitaristit të njohur, e publikuar nga Berisha, është shkrepur tre vite para se të lindte ai.