Shqiptrja.com zbardh diskutimet brenda në seancën në Gjykatën Administrative, ku kryebashkiaku Erion Veliaj ka kërkuar pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados si prokuror. Presidenca deklaroi në sallë se emërimi i Ols Dados si prokuror në vitin 2008 është bërë mbi bazën e një propozimi nga Prokurori i Përgjithshëm dhe një shkresë shoqëruese. 

Sot, 18 vite më pas, presidenca nuk është e qartë nëse kriteret janë plotësuar apo jo, pasi siç juristja që përfaqësoi në seancë u shpreh, në arkivin e institucionit është vetëm propozimi i prokurorit të përgjithshëm dhe dekreti, por jo një relacion i arsyetuar. Sipas tyre, Presidenca nuk merret me vlerësimin e kritereve dhe ia la në dorë gjykatës vlerësimin përfundimtar.

Gjatë mbrojtjes së Presidencës ka ndërhyrë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili ishte në seancë dhe pyeti se për emërimin e Dados nuk ka asgjë tjetër veçse një letër. Presidenca tha se në arkivë nuk kanë realacion të arsyetuar dhe pranuan se nëse procedura do të zhvillohej sot, Dado nuk mund të emërohej në këtë detyrë.

Pjesë nga diskutimi në seancë

Përfaqësuesja e Presidencës: Nga z. Bamir Topi janë ushtruar të drejtat kushtetuese. Ne kemi një propozim nga Prokurori i Përgjithshëm, një shkresë shoqëruese dhe më pas del me dekret Presidenca. Ne nuk e kemi të qartë nëse kjo është praktikë e plotë. A ka akte që mund t’i ketë Prokuroria e Përgjithshme, të cilat ne nuk i kemi. Ne nuk e dimë si është mbërritur deri në këtë akt. Ne e lëmë këtë çështje në vlerësimin tuaj. Nuk merret Presidenti me procesin e vlerësimit të kritereve. Nga arkiva e Presidencës rezulton se kemi vetëm propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe një shkresë shoqëruese.

Veliaj: Ju po më thoni që në këtë emërim nuk ka asnjë gjë veç një letre?

Presidenca: Ne në arkivë nuk kemi një relacion të arsyetuar.

Veliaj: Nëse ka thënë se emërojnë prokuror Gomarin e Babatasit, ju do nxirrnit dekret?

(Ndërhyn gjykata: Jo këto terma).

Veliaj: E kam folklorike, ok. Aqif Kapertoni. Ju do ta dekretonit Gomarin e Babatasit, pa asnjë relacion shoqërues?

Presidenca: Po pyesni për 2026 apo 2008? Sot jo. Nuk e di se si veprohej atëherë.

Sipas padisë së Veliajt, Dado ka përfunduar arsimin e lartë juridik, por nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, e po ashtu nuk ka ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit apo prokurorit. Duke qenë se sipas Veliajt, përpara emërimit, Dado ka ushtruar profesionin e noterit, i cili nuk përfshihej në kriteret ligjore për t’u bërë prokuror ai nuk ka qenë subjekt i vlefshëm ligjor për t’u emëruar në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.


Lajmi kryesor:

Padia/ Veliaj: Dado u emërua në shkelje, sot arreston njerëz! Gjykata: Padisni edhe KLP! Presidenca: Për prokurorin, në arkiv vetëm 1 shkresë e dekreti (VIDEO)