Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka kërkuar që seancat gjyqësore ndaj prokurorit Ols Dado në Gjykatën Administrative të transmetohen live për publikun e gjerë.

Avokati Idajet Beqiri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, tha se kërkesa e Veliajt është e drejtë.

Kjo pasi sipas avokatit, në protokoll shumica e seancave gjyqësore në Shqipëri duhet të jenë të hapura për publikun, veç rasteve të veçanta, pavarësisht se kjo nuk respektohet.

Beqiri shtoi gjithashtu se zhvillimi i seancave gjyqësore të hapura do të ndihmonte edhe në cilësinë e gjykimit, pasi seancat do të ndiqeshin nga gazetarë dhe profesionistë të fushës.

“Gjyqet faktikisht janë të hapura në Shqipëri dhe në sallat e gjyqit mund të shkojë cilido qytetar. Me përjashtim të rasteve që janë të parashikuara në mënyrë specifike në ligj, në rastet kur preket privatësia e njërës nga palët që janë në proces gjyqësor, ose kur ka probleme të tilla të karakterit moral. Kërkesa e Veliajt është një kërkesë e drejtë. Gjykatat nuk duhet ta mbyllin veten, siç e kanë mbyllur faktikisht sot. Nëse ne kemi një cilësi vendimesh gjyqësore sot dhe një cilësi drejtësie në përgjithësi të ulët, me skarcitete të mëdha dhe me vendime të paligjshme, një pjesë e të cilave prishen nga shkallët e tjera të gjykimit, por një pjesë e tyre shkojnë deri në Strasburg dhe dënohet shteti shqiptar pastaj, për proceset e parregullta ligjore. Një nga arsyet është edhe kjo, që nuk bëhen gjykimet e hapura. Sepse kur gjykimin ti e bën të hapur në sallën e gjyqit, aty mund të shkojnë gazetarë të shumtë, media, jurist. Pra ata që i kuptojnë këto çështje, dhe duke i kuptuar, ata bëjnë pastaj edhe kritikat e duhura dhe kjo e ndihmon procesin. Ndihmon në cilësinë e gjykimit. Pse nuk e bëjnë këtë? Nuk e bëjnë sepse pavarësisht që janë ndërtuar gjykata të reja, mënyra sesi u konceptua demokracia dhe si erdhën në pushtet Berisha me bandën e tij kriminale, këta mbollën atë farën e anti-ligjit, farën e shkatërrimit të çdo lloj gjëje”, tha mes të tjerash Beqiri.

Veliaj pretendoi në kërkesën e sotme se parimi i transparencës së gjykimit duhet të garantohet në mënyrë reale dhe efektive, pasi sipas tij, kufizimi aktual në ndjekjen fizike të seancave nuk përmbush standardin që kërkon ligji.

Ai theksoi se, për shkak të funksionit të tij publik, interesit të lartë që mbart çështja, personave të shumtë të interesuar, aplikimi i një standardi më të kufizuar nga gjykatat e tjera do të cenonte të drejtën e publikut për të përçuar zhvillimin e çështjeve, besimin e publikut dhe do kompromentonte qëllimet e këtyre proceseve.