PS shtyu anti-shpifjen, Balla: Presim të flasë 'Venecia'! Hajdari kundër, Meta: Reflektim pozitiv! PD: Fitore (VIDEO)

TIRANE-Shumica socialiste në Kuvend ka vendosur që të shtyjë vendimin për votimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për paketën anti-shpifje. Pavarësisht se komisionet parlamentare e rrëzuan dekretin, socialistët vendosën që vulën të mos ia vendosin pa folur më parë Komisioni i Venecias. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla kërkoi sot shtyrjen e shqyrtimit të dekretit të presidentit për paketën anti-shpifje (për mediat audiovizive, jo për AKEP-in) deri në publikimin e raportit të Komisionit të Venecias.

"Do doja të thoja atë që kemi thënë edhe një muaj më parë. Ky është një ligj që respekton lirinë dhe të drejtën e  çdo qytetari. Informaliteti duhet të marrë fund. Edhe pas miratimit në seancë plenare të datës 18 dhjetor, ne kemi vijuar komunikimin tonë edhe me partnerët të tjerë të rëndësishëm të Shqipërisë. Me dy raporterët kemi qenë në kominikim për disa çështje dhe bashkarisht kemi vendosur që të kërkohet një opionion nga Komisioni i Venecias për të përgatitur një raport të plotë për ligjin e medias.

Komisioni i Venecias ka pranuar ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar me 20-21 Mars. Gjatë muajit shkurt, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të vijnë në Tiranë për të dialoguar me ne, opozitën parlamentare dhe përfaqësues të medias në Shqipëri. Do të propozoja që votimi i dekretit për mediat audiovizive, jo për AKEP-in se aty janë të qartë. Për sa i përket ligjit për mediat audio-vizive të shtyhet diskutimi derisa Venecia të sjellë raportin e vet, që ashtu si kemi bërë edhe për Reformën në Drejtësi", tha Balla.

Kjo kërkesë është kundërshtuar nga kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari. "Nuk jam dakord me këtë kërkesë të Ballës. Duhet ta kishte biseduar me opozitën për të rënë dakord. Ne diksutimin do ta vazhdojmë për paketën anti-shpifje. Nuk duam ta heqim nga rendi i ditës. Ju thashë që Balla duhet ta kishte biseduar me mua në lidhje me këtë temë. Nëse ne kemi dëshirë të flasim ne jemi këtu për të diksutuar për kthimin e dekretit të presidentit.", u shpreh Hajdari.


Lajmi kryesor:

Rama paralajmëron arktitektët dhe ndërtuesit: Çdo kat shtesë me qëllim përfitim financiar do sekuestrohet ose do shembet (VIDEO)


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:13
Shtyrja e anti-shpifjes, BE: Mirëpresim vendimin, tani adresoni shqetësimet mbi paketën

1579258681_sorecafoto.jpg
Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca përshëndet vendimin e qeverisë për shtyrë votimin e dekretit të Presidentit për paketën anti-shpifje. Soreca tashmë inkurajon autoritetet shqiptare të adresojnë shqetësimet. "Ne e mirëpresim vendimin e mazhorancës në pushtet për të shtyrë votën për ligjin për median.  Presim mendimin e Komisionit të Venecias dhe inkurajojmë autoritetet të adresojnë shqetësimet e organizatave të mediave dhe komunitetit ndërkombëtar" shkruan ai.

Ora 13:10
Shtyrja e anti-shpifjes, reagon PD-ja: Kauza jonë e drejtë fitoi një betejë

1580143166_albanavokshi.jpg
Edhe Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të PS-së për t'u tërhequr duke shtyrë vendimin për dekretin e Presidentit për paketën anti-shpifje. Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi e cilëson si fitore të fjalës së lirë.

"Fitoi fjala e lirë. Edi Rama u betua për javë me rradhë që do të votojë në parlament paketën e censurës kundër medias online. Nuk la njeri pa kapur, gur pa lëvizur, por dështoi. U tërhoq sot nga votimit pa i shkuar deri në fund nismës antikushtetuese, kundër të cilës kanë dalë kundër gazetarët, opozita, Komisioni Europian, Këshilli i Europës, OSBE-ja.

Stërbetimet se do të rrëzojnë dekretin e Presidentit që ktheu ligjin antikushtetues, përfunduan si propagandë boshe.  Kauza jonë e drejtë fitoi një betejë. Edi Rama nuk e kaloi ligjin që kërcënon gazetarët me burg dhe median online me mbyllje dhe gjoba.  Pushteti i Edi Ramës po shkërrmoqet dita ditës. Të gjithë bashkë, ne mund t’ia dalim të ruajmë liritë tona, lirinë e shprehjes, lirinë e votës, lirinë zgjedhjes".

Ora 13:03
PS-ja shtyu anti-shpifjen, Meta: Reflektim pozitiv, dialogu pa përjashtime rikthen shpresën

Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar si reflektim pozitiv vendimin e shumicës parlamentare për të shtyrë votimin e dekretit të tij për paketën anti-shpifje në Kuvend, që ishte planifikuar në seancën e sotme.

"Përshëndes vendimin pozitiv dhe të përgjegjshëm të Kuvendit për t’u tërhequr nga votimi i paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”. Reflektimi i sotëm i shërbën një qëllimi më të madh të përbashkët që është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe njëkohësisht garantimit të standardeve demokratike dhe europiane.

Reflektimi u shërben qëllimit më të madh të përbashkët që është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë si dhe në rastin konkret dhe garantimin e standardeve demokratike europiane. Nuk është humbje për askënd, por ndjen shqetësimet serioze që kishin ardhur nga shumë institucione ndërkombëtare.

Ky është një moment pozitiv. Unë fola për faktin që paqja nuk njeh kufi dhe duhet të forcojmë paqen jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon dhe botë përmes dialogut duke iu referuar disa mesazhe të atit të shenjtë drejtuar botës dhe një mesazh është dialogu pa përjashtime dhe manipulime dhe një dialog i tillë mund të japë suksese të shpejta për rikthimin e shpresës në vendin tonë dhe për t'i mbajtur shqiponjat e tyre sikur ka thënë Papa Francesku" tha ai.

I pyetur për faktin se kur do të dekretojë datën për zgjedhjet e reja në bashkitë ku pati probleme me kryetarët e bashkive të zgjedhur nga PS-ja si Shkodra apo Vora, ai tha se "Presidenti vepron në respekt të Kushtetutës dhe ligjit dhe janë të parashikuar instrumentet si vihet në lëvizje".

Kreu i shtetit kishte një mesazh edhe për politikën duke bërë thirrje për dialog të vërtetë. "Shqipëria të shpëtojë nga dimri i Europës. Rreth 300 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi. Nëse dikush këtu do të më thoshte se kjo ndodh kudo, nuk është kurrsesi në këto përmasa. Kemi të bëjmë me fenomen shpopullimi. Nëse nga Serbia largohet një serb, nga Shqipëria 5 shqiptarë. Kjo është situatë alarmante dhe dramatike dhe kërkon një përgjigje mbarëkombëtarë nga aktorët dhe qytetarët e saj. Ndaj dhe ati i Shenjtë theksoi se kërkohet që t’i bëhet thirrje ndërgjegjes morale.

Ndaj duhet të nxisim procese të reja për t’u dhënë njerëzve shpresë për të ardhmen. Politika dhe politikanët duhet i vinin në shërbim të njerëzve të thjeshtë. Të drejtohemi duke i shërbyer njerëzve. Shqipëria ka një politikë e cila ende nuk po ecën në drejtimin e duhur. Sot shqiptarët kanë nevojë për një dialog të vërtetë. Ata duan që zëri i tyre të dëgjohet. Shqiptarët janë një popull shprese dhe këtë e kanë treguar. Shqipëria ka diell për të gjithë” përfundoi ai.

/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës

Ylli Pata: Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës