Bashkia Has është në pritje të miratimit nga qeveria të zonave përfituese në kuadër të programit “Paketa e Maleve”.
Kryetari i Bashkisë, Myftar Dauti, deklaroi pas një takimi me diasporën hasjane në Londër, të organizuar gjatë festave të nëntorit, se tashmë janë mbledhur kërkesat dhe prioritetet si nga banorët e zonës, ashtu edhe nga emigrantët e interesuar për të investuar në Has.
Sipas tij, Këshilli Bashkiak ka miratuar zonat prioritare dhe dokumentacioni përkatës është dorëzuar pranë institucioneve përkatëse, ndërsa pritet tani vendimi përfundimtar i qeverisë.
“Tashmë kemi të hartuara prioritetet dhe kërkesat. Këshilli Bashkiak ka miratuar zonat që do të përfitojnë nga Paketa e Maleve dhe jemi në pritje të miratimit nga qeveria”, tha Myftar Dauti, kryetar i Bashkisë Has.
Kryebashkiaku Dauti bëri të ditur gjithashtu se Bashkia Has pret aprovimin e fondeve për 33 projekte investimesh të depozituara pranë ministrive, që synojnë zhvillimin e zonës.
Gjatë takimit në Londër, emigrantët hasjanë shprehën interes për investime në vendlindjen e tyre, si në kuadër të “Paketës së Maleve”, ashtu edhe për projekte të përbashkëta me bashkinë, në fusha që lidhen me turizmin malor, bujqësinë dhe shërbimet.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit midis institucioneve lokale dhe diasporës, me synim kthimin e emigrantëve në kontribues aktivë për zhvillimin ekonomik të Hasit.
Komente








