Drejtoresha e Tatimeve për Report TV: Koronavirusi uli të ardhurat e shtetit deri 30%! Ende asnjë masë mbështetje për biznesin e madh

TIRANE-Drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj u shpreh në një intervistë me Skype për Report TV se situata e krijuar nga koronavirusi po ndjehet në ekonominë shqiptare, pasi ka ulur të ardhurat. Konkretisht me shifra, Ibrahimaj tha se aktualisht janë ulur të ardhurat mujore të shtetit nga 20 deri 30%. Për biznesin e vogël, qeveria pak ditë më parë bëri publike paketën ekonomike, por për sipërmarrjet e mëdha Ibrahimaj deklaroi se ende nuk ka një vendim. "Një grup teknik është duke vlerësuar situatën dhe është duke menduar se çfarë do të ndodhë nëse situata do të përkeqësohet, por për momentin nuk ka një vendimmarrje të tillë".

Delina Ibrahimaj sqaroi edhe procedurën si do të paguhen punonjësit e biznesit të vogël, që përfitojnë nga paketa social-ekonomike.  "Në e-filing, që është portali i pagesës së taksave, te një hapësirë e veçantë e cila quhet “çështjet e mia”, po zhvillohet një pyetësor, i cili është pyetësori standard që i është bashkëlidhur VKM-së. Pyetësori do të jetë aty, do të jetë i parambushur automatikisht për të gjitha bizneset e kësaj kategorie dhe për subjektet që janë nga 0 deri në 5 milionë lekë siç e parashikon VKM-ja, do të parambushet me të dhënat e listë-pagesës së dorëzuar në muajin dhjetor. Ndërkohë që për bizneset që janë mbi 5 milionë lekë, pra nga 5 deri në 14 milionë lekë, do të parambushet me të dhënat e listë-pagesës së muajit janar.

Gjithashtu aty do të reflektohen të gjitha lëvizjet që mund të kenë bërë këto biznese deri në datën 10 mars, kur është pezulluar aktiviteti. E vetmja e dhënë që biznesi duhet të plotësojë vetë, është e dhëna e IBAN-it, pasi këto fonde do të kalojë direkt në llogarinë e punonjësit. I bëj thirrje të gjitha bizneseve që do të aplikojnë që të jenë shumë të kujdesshme me të dhënat, pasi një gabim do të penalizonte të punësuarit e tyre. Megjithatë, ne do të publikojmë detaje më të hollësishme në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ditën e hënë, me qëllim që të jenë të gjithë të qartë se si do të funksionojë dhe që procesi të ketë sa më shumë lehtësi e të zgjasë sa më pak" tha ajo.

E pyetur nëse një biznes i vogël që ka gjoba të papaguara, përfiton nga kjo paketë, Ibrahimaj deklaroi se "Ne jemi duke vlerësuar. Sigurisht që kjo është një masë, e cila synon të mbështesë fillimisht të punësuarit dhe pastaj nëpërmjet tyre edhe bizneset. Nuk do të merren parasysh penalitetet që lidhen me këtë periudhë të keqe".

Sa i përket atyre që punojnë në të zezë, drejtoresha e Tatimeve ishte e qartë kur tha se "kush punon në të zezë nuk përfiton nga ndihmat sociale dhe financiare që jep qeveria. Ne mendojmë që një pjesë e atyre të punësuarve në të zezë apo familjarëve të tyre, do të mbështetet nga forma të tjera të mbështetjes që qeveria ka menduar, pra nëpërmjet ndihmës sociale apo pagesës së papunësisë për ndonjë familjar tjetër. Është e pamundur për ne që të identifikojmë punonjësit që punojnë në të zezë apo të vërtetojmë që ata realisht kanë qenë punonjës në të zezë".

Në këtë periudhë janë disa abuzues që kanë përfunduar në prokurori dhe janë gjobitur, por kush janë shkelësit më të mëdhenj? "Nga kontrollet është verifikuar që në fakt, në pjesën më të madhe të rasteve, çmimet nuk janë rritur nga tregtarët me pakicë, por janë rritur nga tregtarët me shumicë dhe kjo na ka detyruar që të kontrollojmë të gjithë zinxhirin dhe të shkojmë te furnitorët, ku kemi evidentuar rritje të çmimeve dhe ia kemi kaluar organeve përkatëse për vlerësim dhe për marrjen e masave".

INTERVISTA E PLOTË PER REPORT TV
Pyetja e parë është për ata që janë duke shfrytëzuar këtë ditë për të rritur çmimet, për të abuzuar dhe ndoshta për të përfituar, kur gjithë të tjerët janë në luftë dhe janë edhe në reduktime shpenzimesh. Sa është numri i subjekteve që janë gjobitur deri në këto momente për rritje të çmimeve gjatë kësaj periudhe? 
Ne kemi kryer një sërë kontrollesh në bashkëpunim me institucionet e tjera, si me Policinë e Shtetit, me AKU-në, me Agjencinë e Barnave dhe të Pajisjeve Mjekësore me qëllim që të kontrollonim çmimet dhe të verifikonim rritjet e çmimeve. Në bashkëpunim me këto institucione, kemi shkuar në tregjet ushqimore për të verifikuar çmimet e frutave dhe të perimeve, gjithashtu edhe në farmaci. Nga kontrollet është verifikuar që në fakt, në pjesën më të madhe të rasteve, çmimet nuk janë rritur nga tregtarët me pakicë, por janë rritur nga tregtarët me shumicë dhe kjo na ka detyruar që të kontrollojmë të gjithë zinxhirin dhe të shkojmë te furnitorët, ku kemi evidentuar rritje të çmimeve dhe ia kemi kaluar organeve përkatëse për vlerësim dhe për marrjen e masave.

Të ndalemi te problemet që u lindin të gjitha bizneseve gjatë periudhës së karantinës. Për ato biznese të cilat kanë një qarkullim vjetor më të madh se 14 milionë lekë, nuk do të ndryshojë data e tatimit ose e pagesës së tatim fitimit, që është pikërisht 31 marsi i 2020-ës, por ndërkohë bilanci mund të dorëzohet brenda muajit korrik të vitit 2020. Çfarë ndodh në qoftë se do të ketë ndonjë kontradiktë në raportet e tatim fitimit mes datës 31 mars 2020 dhe muajit korrik 2020, kur është edhe afati i fundit për dorëzimin e raporteve të tatim fitimit për bizneset që kanë mbi 14 milionë lekë xhiro vjetore?
Pra, në bazë të akteve normative që ne kemi nxjerrë gjatë javëve të fundit, të gjitha bizneset janë të detyruara të dorëzojnë deklaratën e tatim-fitimit brenda datës 31 mars, siç është parashikuar në ligj. Kjo është për të gjitha bizneset, nga 0 dhe pa kufij. Ndërkohë, për sa u përket pasqyrave financiare, duhet t’i dorëzojnë brenda 31 korrikut, që është data që ato i dorëzojnë gjithashtu në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Për biznese, të cilat janë mbi 14 milionë lekë, përveç dorëzimit të deklaratës duhet të kryejnë edhe pagesën e tatim fitimit. Ne jemi të ndërgjegjshëm që përmbyllja e pasqyrave financiare do të nxirrte shifrën më të saktë të fitimit, megjithatë duhet të kuptojmë që në fakt, situata ka filluar në datën 10 mars dhe të gjitha bizneset e mëdha të cilat kanë kapacitete, kanë financierë, kanë stafe që punojnë për të mbushur pasqyrat financiare, ne mendojmë që këto pasqyra i kanë mbyllur përpara datës 10 mars. Në rast se do të ketë një numër biznesesh, të cilat nuk do të kenë diferenca ndërmjet asaj që do të deklarojnë në deklaratën e tatim fitimit dhe asaj që do të deklarojnë në bilanc, të gjithë tatim paguesit kanë të drejtën të ndërhyjnë në deklarimet e veta deri në 36 periudha mbrapa. Pra, edhe nëse do të ketë lëvizje të vogla, është në të drejtën e tatim paguesve që të ndërhyjnë në deklarata nëse do të shohin disa mospërputhje. Megjithatë, dua të theksoj që bizneset e mëdha, në bazë të eksperiencës, duhet t’i kenë përmbyllur pasqyrat financiare dhe deklaratat përpara datës 10 mars. Këto nuk janë procese që lihen për ditën e fundit. Duhet të kemi parasysh që, në bazë të dorëzimit të deklaratës së tatim fitimit, do të rillogariten të gjitha këstet e tatim fitimit për të gjithë tatim paguesit. Pra, është në të mirën e tyre që të dorëzojnë deklaratën, pasi do t’u duhet që të paguajnë këstet jo reale të tatim fitimit, nëse nuk e dorëzojnë deklaratën.

Zonja Ibrahimaj, a do të ketë lehtësime për të gjitha bizneset që kanë një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë gjatë kësaj periudhe, kur është mbyllur aktiviteti dhe i kanë punonjësit në shtëpi?
Një grup teknik është duke vlerësuar situatën dhe është duke menduar se çfarë do të ndodhë nëse situata do të përkeqësohet, por për momentin nuk ka një vendimmarrje të tillë.

Afatet për Tvsh-në dhe sigurimet shoqërore do të shtyhen gjatë kësaj periudhe, ose do të ketë ndonjë lloj faljeje apo mirëkuptimi për gjobat ose kamatë vonesat që do të vendosen?
Afatet ligjore për dorëzimin e deklaratës së TVSh-së apo të sigurimeve shoqërore nuk do të ndryshojnë, pasi bizneset që janë duke operuar kanë të gjithë kapacitetin që të kryejnë aktivitetin e tyre në normalitet, për më tepër që të gjitha deklarimet pranë Tatimeve janë online.

Sa parashikohet që të jetë rënia e të ardhurave kombëtare pas 3 javëve të para, kur tashmë i gjithë vendi ndodhet në karantinë. Po flasim për këto 3 javë sepse nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo gjendje.
Në bazë të rezultateve që ne kemi pasur deri në këtë moment, për sa u përket të ardhurave që duhej të ishin mbledhur në muajin mars, jemi në nivelin 70-80%, pra në krahasim me të ardhurat që janë mbledhur në marsin e vitit të kaluar. Kjo sigurisht që është pasojë e mungesës së likuiditetit të disa prej bizneseve. Megjithatë, deklarimet e muajit mars janë deklarime që lidhen me muajin shkurt, kur të gjitha bizneset kanë qenë në aktivitet total. Pra, ne prisnim që të ardhurat të ishin më të larta gjatë këtij muaji. Situata sigurisht është e tillë, sidomos për Shqipërinë, ku ne patëm një goditje në ekonominë shqiptare edhe si pasojë e tërmetit të ndodhur në nëntor të 2019-s. Pra bizneset dhe ekonomia kanë pasur një ngadalësim. Unë u bëj thirrje të gjitha bizneseve që kanë mundësi të paguajnë, të paguajnë sepse është shumë e rëndësishme që të gjitha mbështetjet që qeveria është duke dhënë i bën në bazë të të ardhurave që mblidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe nga institucione të tjera taksa mbledhëse. Pra, për muajin mars u bëj thirrje të gjitha bizneseve që, duke qenë se duhet të paguajnë për periudhat paraardhëse, pra për muajt janar dhe shkurt, duhet të paguajnë për aktivitetin që kanë pasur vitin e kaluar, të mbyllin detyrimet e tyre.

Ndërkohë, siç i ka bërë edhe publike edhe kryeministri, qeveria ka marrë masa që i ndihmojnë të gjithë ata të punësuar në ndërmarrje apo biznese, të cilat kanë një xhiro vjetore më të ulët se 14 milionë lekë. Sipas INSTAT-it bëhet fjalë për 79,1% të të punësuarve që punojnë në to. Çfarë do të ndodhë me të punësuarit e kompanive që kanë një xhiro vjetore më të lartë se 14 milionë lekë? Përse nuk përftojnë edhe ata nga kjo paketë ndihme, duke marrë parasysh se edhe kompanitë e mëdha janë mbyllur dhe punonjësit janë në shtëpi?
Ne kemi menduar që të mbështesim ato biznese që konsiderohen të vogla. Në shumicën e rasteve, bizneset e mëdha që kanë aktivitete brenda atyre aktiviteteve që duhet të pezullohen me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, janë biznese të cilat nuk zhvillojnë vetëm atë aktivitet. Në rastin kur ato zhvillojnë vetëm atë aktivitet, si p.sh. baret e restorantet, janë duke punuar dhe janë duke e zhvendosur biznesin e tyre drejt ofrimit të shërbimit nga shtëpia, pra qeveria ka vendosur të mbështesë ato biznese, të cilat nuk e kanë kapacitetin dhe likuiditetin të përballojnë 2 apo 3 muaj ndërprerje të aktivitetit të tyre dhe kryesisht të përqendruar te të punësuarit, të cilët janë kryesisht në këto biznese me paga minimale, me qëllim që të punësuarit të kenë një të ardhur dhe të mund ta kalojmë të gjithë së bashku këtë situatë të vështirë.

Një biznes që përfiton nga kjo paketë që ju përmendët, duhet që t’ia paguajë vetë punonjësit këto përfitime financiare që merr nga kjo paketë apo do të paguhen përmes shtetit. Cila është procedura që do të ndiqet?
Që nga dalja e Vendimit të Këshillit të Ministrave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë një rregullore të vetën, në mënyrë që verifikimi i tatim paguesve dhe i punonjësve të punësuar te këta tatim pagues, qofshin ata të vetëpunësuar apo të punësuar familjarë apo punonjës me pagesë, të bëhet në mënyrë sa më automatike. Për këtë arsye në e-filing, që është portali i pagesës së taksave, te një hapësirë e veçantë e cila quhet “çështjet e mia”, po zhvillohet një pyetësor, i cili është pyetësori standard që i është bashkëlidhur VKM-së. Pyetësori do të jetë aty, do të jetë i parambushur automatikisht për të gjitha bizneset e kësaj kategorie dhe për subjektet që janë nga 0 deri në 5 milionë lekë siç e parashikon VKM-ja, do të parambushet me të dhënat e listë-pagesës së dorëzuar në muajin dhjetor. Ndërkohë që për bizneset që janë mbi 5 milionë lekë, pra nga 5 deri në 14 milionë lekë, do të parambushet me të dhënat e listë-pagesës së muajit janar. Gjithashtu aty do të reflektohen të gjitha lëvizjet që mund të kenë bërë këto biznese deri në datën 10 mars, kur është pezulluar aktiviteti. E vetmja e dhënë që biznesi duhet të plotësojë vetë, është e dhëna e IBAN-it, pasi këto fonde do të kalojë direkt në llogarinë e punonjësit. I bëj thirrje të gjitha bizneseve që do të aplikojnë që të jenë shumë të kujdesshme me të dhënat, pasi një gabim do të penalizonte të punësuarit e tyre. Megjithatë, ne do të publikojmë detaje më të hollësishme në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ditën e hënë, me qëllim që të jenë të gjithë të qartë se si do të funksionojë dhe që procesi të ketë sa më shumë lehtësi e të zgjasë sa më pak.

Një biznes i vogël që ka gjoba të papaguara, përfiton nga kjo paketë?
Ne jemi duke vlerësuar. Sigurisht që kjo është një masë, e cila synon të mbështesë fillimisht të punësuarit dhe pastaj nëpërmjet tyre edhe bizneset. Nuk do të merren parasysh penalitetet që lidhen me këtë periudhë të keqe.

Të flasim për personat që punojnë në të zezë, të cilët nuk kanë asnjë lloj mundësie që të vërtetojnë me dokumente faktin se punojnë dhe gjatë kësaj periudhe qëndrojnë në shtëpi. A do të përfitojnë edhe ata? Nëse po, si do të aplikojnë? Si do ta vërtetoni ju që një person, i cili punon në të zezë, e meriton këtë shpërblim që do të jepet në formën e paketës financiare?
Në fakt, ky është një shqetësim që kemi pasur që në momentin e parë kur filluam të mendonim për paketën e mbështetjes. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që jetojmë në një ekonomi, e cila ka edhe informalitet në paga. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është angazhuar fort që ky informalitet të reduktohet. Pikërisht situata si këto duhet t’i bëjnë të ndërgjegjshëm si tatim paguesit ashtu edhe individët e punësuar që forma e punës nuk mund të jetë e zezë, pasi kush punon nëtë zezë nuk përfiton nga ndihmat sociale dhe financiare që jep qeveria. Ne mendojmë që një pjesë e atyre të punësuarve në të zezë apo familjarëve të tyre, do të mbështetet nga forma të tjera të mbështetjes që qeveria ka menduar, pra nëpërmjet ndihmës sociale apo pagesës së papunësisë për ndonjë familjar tjetër. Është e pamundur për ne që të identifikojmë punonjësit që punojnë në të zezë apo të vërtetojmë që ata realisht kanë qenë punonjës në të zezë. Ky është një mësim që duhet t’i shërbejë të gjithë ekonomisë, të gjithë të punësuarve dhe të gjithë tatim paguesve.

Këta persona kanë edhe një shqetësim tjetër. Gjatë këtyre ditëve që puna e tyre vijon, si mund ta vërtetojnë ata që po shkojnë në punë, kur nuk marrin dot një autorizim për të lëvizur, duke ditur që duke filluar nga dita e nesërme nuk mund të dalë askush pa autorizim.
Në fakt kjo nuk është një fushë e cila mbulohet nga Tatimet. Unë u bëj thirrje të gjithë personave që punojnë në të zezë që ta deklarojnë punën e tyre në të zezë. Ne kemi disa kanale komunikimi apo denoncimesh, kemi numrin e gjelbër 08001414, kemi aplikacionin “stop informalitetit”. Unë u bëj thirrje të gjithëve që të deklarojnë nëse po punojnë në të zezë, pasi vetëm nëse janë të punësuar formalë ata mund të përfitojnë nga të gjitha ndihmat. Për sa i përket lëvizjes gjatë orarit të lejuar, është një çështje që nuk më përket mua.

Ka edhe një numër të madh biznesesh që vijojnë të jenë të hapura, si fasoneritë apo call center, por pronarët ankohen se punëtorët nga frika kanë preferuar të qëndrojnë në shtëpi. Për këta punonjës është i detyruar pronari që t’u paguajë pagën dhe sigurimet shoqërore?
Të gjithë tatim paguesit janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë sigurimet për punonjësit që aktualisht janë duke punuar nga shtëpitë apo në vendet e punës. Ende nuk ka një vendimmarrje për mbështetjen e këtyre kategorive të bizneseve, pra nëse do të mbështetet një pjesë e pagës apo të kostove që kanë bizneset për të mbajtur të punësuar. Sigurisht që unë, nga ana humane, do t’u bëja thirrje të gjitha bizneseve, duke qenë se kjo nuk është një situatë normale, nuk është një situatë që do të zgjasë shumë, të mos i largojnë njerëzit nga puna. Sigurisht që bizneset do të shohin të ardhurat dhe përfitimet e tyre, por nga ana humane do t’u bëja thirrje që të mos i largojnë punonjësit e tyre.

Një qytetar anonim nga Vlora, shkruan: “Deri para një jave kemi qenë të siguruar në punë, kurse sot marrim vesh që na kanë hequr nga sigurimet dhe nga puna. Ju lutemi na ndihmoni, sepse në Vlorë janë shumë biznese që kanë hequr punonjësit nga puna pa asnjë lloj paralajmërimi”. A do të ketë një masë disiplinore për këto biznese, sepse punonjësit kanë një kontratë pune. 
Kjo është një marrëdhënie kontraktuale, e cila nuk i përket Tatimeve. Pra, respektimi i kontratave të punës në bazë të Kodit të Punës, i përket institucioneve të tjera. Ne jemi duke ndjekur me bazë ditore largimet nga puna, pasi sigurisht që është shqetësim i madh për të gjithë ne, nëse një pjesë e madhe e të punësuarve do të largohen nga tregu i punës dhe kështu nuk do të kenë mundësi për të ardhura të tjera. Pra, jemi duke monitoruar në fund të çdo dite largimet e deklaruara, dhe siç thashë, jemi duke menduar një formë suporti, por ende nuk ka një vendimmarrje për këtë.

Zoti Arben Ahmetaj ka deklaruar se kategoria e bizneseve, të cilat janë të lejuara dhe janë të hapura, mund të punojnë në orarin zyrtar, sipas Kodit të Punës, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16 të pasdites. Por, oraret e lëvizjes janë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 13. Ç’mund të na thoni për këtë?
Në fakt është e rëndësishme për të gjitha bizneset që të ndjekin vendimet e Këshillit të Ministrave të botuara në “Fletoren Zyrtare”, pasi duke parë situatën çdo ditë dalin vendime, me qëllim qartësimin e bizneseve, të institucioneve apo të gjithë ekonomisë, se si duhet të funksionojnë. Unë nuk kam një përgjigje për këtë. Për kategoritë e bizneseve të cilat duhet të operojnë, mendoj se është qartësuar marrja e lejes në polici për punonjësit e tyre dhe të vazhdojnë të operojnë sipas orareve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave, që kanë dalë ditët e fundit.

Një person ka dyqan kozmetike, i cili nuk është parashikuar në listën e dyqaneve që duhet të mbyllen, por faktikisht është i mbyllur sepse nuk ka xhiro. Personi nuk përfiton nga paketa sociale e qeverisë. Si ky rast mund të ketë edhe shumë të tjera. Si do të veprohet?
Për momentin është menduar mbështetja e atyre bizneseve që janë mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale. Jemi të ndërgjegjshëm që ka edhe biznese të tjera që janë në vështirësi. Këto biznese do të deklarojnë aktivitetin që kanë pasur gjatë kësaj periudhe. Për momentin nuk ka një vendim apo një vendimmarrje për mbështetjen e atyre bizneseve, që për shkak të situatës u është ngadalësuar aktiviteti.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Neri: 29/03/2020 17:04

    Po 70% deri 80 % muajin Shkurt mer per baze se Marsi akoma njk ka mbaruar

    Përgjigju
  • Ilir: 29/03/2020 16:39

    Punonjesit ne te zeze duhet te vdesin? Kane familje, femije edhe ata! Ketu ne Itali nuk kane perjashtuar asnje kategori. Mendojeni me mire, ata njerez do detyrohen te sigurojne buken e femijeve me cdo menyre, edhe duke vjedhur e grabitur ku te munden. Po I shtyni drejt asaj rruge.

    Përgjigju
  • lani: 29/03/2020 16:27

    PO I kujt eshte fakti qe ata jane ne te zeze,,,a eshte pergjegjsi e shtetit te penalizoje bizneset qe marrin ne pune ne te zeze….

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU