Qeveria greke ka ndërmarrë një paketë lehtësuese për qytetarët duke përfshirë familjet, pensionistë, qiramarrësit, fermerët dhe individë me detyrime të prapambetura. Paketa mbështetëse prej 500 milionë eurosh vjen si rrjedhojë e suficitit ekonomik, është shprehur kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Ndër masat më kryesore është subvencionimi i naftës dhe plehrave kimike, mbështetja e familjeve me 150 euro për çdo fëmijë dhe i disa kategorive me një pension 300 euro.
Masat e paketës mbështetëse:
Subvencioni për naftën për rrjetin zgjatet edhe për muajin maj, me 20 cent për litër. Një masë që lehtëson, padyshim, bizneset dhe konsumatorët.
Subvencionimi i plehrave kimike me 15% të vlerës së çmimeve të tregut vijon deri në muajin gusht. Një masë që prek rreth 250,000 fermerë, si edhe subjekte juridike aktive në sektorin primar.
Mbështetje emergjente për familjet me fëmijë, në masën 150 euro për çdo fëmijë. Kjo do të jepet pa aplikim në fund të muajit qershor dhe do të përfitojnë pothuajse 1 milion familje, me më shumë se 3 milion anëtarë, pra rreth 80% e familjeve me fëmijë.
Njëkohësisht, mbështetja për pensionistët me të ardhura të ulëta, personat e pasiguruar dhe personat me aftësi të kufizuara rritet në 300 euro neto, që do të jepet çdo nëntor në mënyrë të përhershme dhe vjetore. Ndërkohë, përfituesit zgjerohen në 1.9 milion, pra 85% e pensionistëve mbi 65 vjeç.
Kufijtë e të ardhurave rriten më tej, në mënyrë që një qira në vit t’u kthehet më shumë qytetarëve. Kështu, lehtësohen edhe 70,000 familje të tjera dhe në total mbështeten mbi 1 milion qiramarrës, ose 86% e tyre.
Më lejoni, megjithatë, të ndalem veçmas tek nismat tona të guximshme për borxhin privat. Këto janë vendime që ndihmojnë miliona debitorë dhe në të njëjtën kohë çlirojnë aktivitetin financiar. Konkretisht:
Së pari, bllokimi i llogarisë bankare të një debitori mund të hiqet nëse ai ka shlyer 25% të borxhit dhe ka rregulluar detyrimet e mbetura ndaj administratës tatimore.
Së dyti, tashmë është e mundur të përfshihen në mekanizmin jashtëgjyqësor edhe borxhe nga 5,000 deri në 10,000 euro, çka u shërben rreth 300,000 personave të interesuar.
Së treti dhe më e rëndësishmja, borxhet e krijuara deri në dhjetor 2023 mund të përfshihen në një skemë me 72 këste, me kusht që të shlyhen detyrimet e reja të krijuara pas vitit 2023.
Mitsotakis bëri me dije se masat do të aplikohen së shpejti.
Komente










