Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Arsimit, Albana Vokshi e ka cilësuar “Paktin për Universitetin” si një shfaqje të shëmtuar të paaftësisë politike e propagandës së qeverisë Rama.Ajo argumentoi në një deklaratë për mediat se pakti nuk përmbush kërkesat e studentëve, është antiligjore, shkel autonominë e institucioneve të arsimit dhe lirinë akademike që sanksionohet në Kushtetutë.
Teksa mbështetej në një grafik të ilustruar në ekran, Vokshi u shpreh se kërkesa e parë e studentëve, për përgjysmim tarifash apo përmirësim kushtesh të konvikteve, sikurse edhe ato 7 të tjerat, nuk do të plotësohen pasi Rama dhe qeveritarët e tij e kanë mendjen të jetojnë në luks.
Pra, Rama po mashtron! Pse?! Sepse këto para të taksapaguesve shqiptarë kanë shkuar për luksin e Ramës dhe të qeveritarëve: 14.5 milionë euro shkojnë në buxhet për luks, dhe sikurse ju jeni në dijeni 105 milionë euro shkojnë për koncensione abuzive dhe të panevojshme. Vetëm për shëndetësinë, në koncensione Rama ka alokuar 33 milionë euro. Kjo është arsyeja që nuk ka para në buxhetin e vitit 2019-të për të plotësuar kërkesën e parë të studentëve.
Kërkesa nr 1 e studentëve për buxhet 5 % dhe për përgjysmim tarifash është e paplotësuar. Pika tjetër e kërkesës së parë, është përmirësimi i kushteve të konvikteve. Sot vijoi nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, mashtrimi për eshtjen e konvikteve. Veliaj edhe sot nuk hoqi dorë nga zaptimi i hapsirave të universiteteve, vetëm e vetëm për arsye të pastra fitimi dhe për arsye klienteliste
Vetëm për këto arsye, Veliaj nuk po i kthen terrenet e zaptuara, që i takojnë studentëve dhe pedagogëve dhe sot nuk dha asnjë arsye se pse nuk po i kthen hapsirat e zaptuara. Për më tepër dua këtu të cilësoj, që pavarësisht se shfrytëzohen këtohapsira prej mëse dy vitesh, asnjë qindarkë nuk shkon për përmirësimin e kushteve të konvikteve, kushtet e studimit dhe të jetesës së studentëve.
Albana Vokshi, Deputete e Partisë Demokratike
Vokshi parashtroi në fund alternativën e Partisë Demokratike, që mbështetet në shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë dhe dyfishimin e buxhetit nën synimin e tejkalimit prej 5 përqind të prodhimit të brendshëm bruto.