Pas konsensusit të befasishëm për votimin e ligjit të SPAK, me 122 vota pro, fshihet përjashtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian nga kontrolli i veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, superstrukturës hetimore që duket se ka trazuar qarqe të caktuara politike.
Konkretisht, në variantin e miratuar, në 6 tetor në Parlament, është hequr neni 46 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, i quajtur ndryshe SPAK, duke rrëzuar komisionin me ekspertë të SHBA-BE, që do të kontrollonte Byronë.
Pavarësisht paralajmërimit të hapur të amerikanëve për bllokimin e financimit, nëse Byroja e Hetimit nuk do të ishte nën kontrollin e tyre, ligji i SPAK i miratuar me konsensus dhe i dekretuar nga Presidenti i Republikës, mban larg Perëndimin nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Ky ndryshim mund të ulë pritshmërinë për forcën goditëse të Byrosë ndaj korrupsionit në nivele të larta. Gjithashtu, nga ana tjetër, përjashtimi i rolit monitorues të ndërkombëtarëve mund të ulë edhe besueshmërinë e publikut tek struktura e re.
Ndryshimi
Neni 46, i fshirë nga ligji i miratuar i SPAK, parashikonte ngritjen e një Komisioni të Pavarur për Rishikimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky komision do të përbëhej nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Çdo mision do të caktonte përfaqësuesit, të cilët duhet të jepnin udhëzime dhe këshilla për një funksionim më të mirë dhe për zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përfaqësuesit e OPDAT në Shqipëri patën paralajmëruar se pjesë e ekspertëve të tyre do të ishin edhe ekspertë të FBI. Ky komision ishte parashikuar gjithashtu për të vëzhguar në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, vendimet për të shkarkuar punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe sigurinë e respektimit të ligjeve në fuqi. Po ashtu, ekspertë të drejtësisë penale të SHBA dhe BE, do të asistonin hetuesit e Byrosë edhe në çështje e rëndësishme hetimore. Por, tashmë ky rol është zhbërë me ligj.
Paralajmërimi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë të ekspertëve të FBI dhe të drejtësisë penale, kërkuan kontrollin e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, në të kundër do të anulonin ndihmën financiare për themelimin dhe funksionimin e strukturës. Paralajmërimi është artikuluar nga John Smibert, përfaqësues i misionit të OPDAT-it në Shqipëri, gjatë mbledhjes së komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, në datën 13 korrik. “Kjo është që ju të keni një EULEX të ri këtu, por nënkuptohet që të jenë ata ofrues të ndihmës, që ekzistojnë tashmë, dhe të caktojnë personat, të cilët do të jenë pjesë e këtij komisioni, mbase komision s‟është fjala e duhur për t‟u përdorur, por do të tjetër thjesht një komision personash, të cilët do të japin këtë këshillë e këtë transparencë. Ju, nëse doni një marrëveshje ndërkombëtare vetëm nga kjo e kaluar, e miratuar nga senati në SHBA, kjo gjë nuk ndodh. Nëse ju i doni paratë nga FBI-ja, që të jenë këtu të pranishme, dhe FBI-ja të ofrojë ndihmën e saj, atëherë hapja e këtij procesi është e nevojshme dhe pjesë e këtyre marrëveshjeve dypalëshe, janë të nënshkruara mes Departamentit të Shtetit dhe Shqipërisë”, ka deklaruar Smibert.
Konsensusi
Pas konsensusit të befasishëm për votimin e ligjit të SPAK, me 122 vota pro, fshihet përjashtimi i SHBA-BE nga kontrolli i veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, superstrukturës hetimore që duket se ka trazuar qarqe të caktuara politike.
Kërkesa
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë të ekspertëve të FBI dhe të drejtësisë penale, kërkuan kontrollin e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, në të kundër do të anulojnë ndihmën financiare për themelimin dhe funksionin e strukturës.
Varianti i SPAK sipas ndërkombëtarëve
Neni 46
Komisioni i Pavarur i Rishikimit
1. Komisioni i Pavarur i Rishikimit i Byrosë Kombëtare të Hetimit përbëhet nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Çdo mision cakton përfaqësuesit, të cilët japin udhëzime dhe këshilla ekspertësh për një funksionim më të mirë dhe për zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
2. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, vendimet për të shkarkuar punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe sigurinë respektimin e ligjeve në fuqi.
Neni 47
Mbrojtja sipas shërbimit civil për punonjësit e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
1. Punonjësit e administratës gjyqësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u nënshtrohen dispozitave përkatëse të Ligjit për Organizimin e Gjykatave, përveçse nëse parashikohet ndryshe në këtë ligj.
2. Punonjësit e administratës së prokurorisë pranë Prokurorisë së Posaçme u nënshtrohen dispozitave përkatëse të Ligjit për Nëpunësin Civil, përveçse nëse parashikohet ndryshe në këtë ligj.
Varianti i miratuar i ligjit të SPAK
Neni 43
Marrëdhëniet e Byrosë Kombëtare të Hetimit me struktura të tjera policore
1. Drejtori është i autorizuar të firmosë marrëveshje me struktura të tjera policore për të
përmirësuar efiçencën, kapacitetin operacional dhe shkëmbimin e informacionit.
2. Byroja Kombëtare e Hetimit bashkëpunon me Policinë e Shtetit, Shërbimin Informativ Shtetëror, Policinë Kufitare, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse shtetërore për të realizuar në mënyrë të plotë dhe efektive ushtrimin e funksioneve të përcaktuara në këtë ligj.
3. Byroja Kombëtare e Hetimit ka akses në informacionin që përmbajnë bazat e të dhënave, përfshirë Sistemin e Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS).
4. Byroja Kombëtare e Hetimit është institucioni që ekzekuton urdhrat për përgjim të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dhe të autorizuara nga gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ushtron detyra të tjera të parashikuara në pikat 3 dhe 6, të nenit 42, të këtij ligji, si dhe ka kapacitetet e veta për t’i kryer detyrat si më sipër.
Neni 44
Statusi i punonjësve të shërbimit civil
1. Punonjësit e administratës gjyqësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u nënshtrohen dispozitave përkatëse të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
2. Punonjësit e administratës së prokurorisë pranë Prokurorisë së Posaçme u nënshtrohen
dispozitave përkatëse të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në
Republikën e Shqipërisë”, përveçse nëse parashikohet ndryshe në këtë ligj.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)