ROME- Mbi 653 milionë euro pritet t’i kushtojë Italisë marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët e paligjshëm, më një qendër pritjeje në Shëngjin e një tjetër akomodimi në Gjadër. Përmes një shkrimi të thelluar 'Corriere della Sera', gazeta më e madhe në Itali, ka marrë në analizë të gjitha zërat e shpenzimeve, ndërsa evidenton edhe problemat që mund të hasen në zbatimin e marrëveshjes.
Mes ndërtimit, menaxhimit dhe pajisjeve komunikuese, të dy strukturat do të kushtojnë gati 69 milionë euro, përfshirë investimet në Portin e Shëngjinit, qendrën e Gjadrit dhe menaxhimi i strukturave dhe mjetet e komunikimit. 25 milionë të tjera nevojiten për institucionin survejancës. Shqipërisë do t’i jepen 94 milionë euro për mbikëqyrjen e jashtme.
Për udhëtimet, dietat ditore, ushqimin dhe akomodimin e forcave të Karabinierëve, Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s, kostot shtesë janë 260 milionë e 200 mijë euro. Për 5 komisionet e reja territoriale që do të duhet të shprehin mendimin e tyre për të drejtën e azilit: 17 milionë e 970 mijë euro. Për 152 të punësuar të rinj përfshirë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtësisë, magjistratë, gjyqtarë dhe drejtues shëndetësorë mbi 42 milionë euro. Për marrjen me qira të ambienteve në Romë për video dëgjime dhe shpenzimet operative rreth 3 milionë euro.
Për të ndërtuar dhe pajisur 20 salla gjyqi për seancat në Shqipëri dhe për lidhje komunikuese nga Italia për mbrojtësit 8 milionë e 730 mijë. Shpenzimet e udhëtimit për avokatë dhe përkthyes 29 milionë e 160 mijë. Protokolli i bashkëpunimit thekson se në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar. Domethënë i kthejnë në Itali dhe kostoja e qirasë së anijeve, automjeteve dhe pajisjeve është 104 milionë të tjera. Nëse mblidhen të gjitha kostot totale për pesë vjet shkojnë 653.5 milionë euro.
Janë disa probleme sipas medias italiane që mund të vënë në rrezik zbatimin e marrëveshjes. Të gjitha janë në pritje të një vendimi të Gjykatës së Bashkimit Evropian e cila mund të mos i quajë të ligjshëm procedurat përshpejtuara të shqyrtimit të azilkërkimit dhe mbrojtjen ndërkombëtare të azilkërkuesve, që mund të shmangen vetëm nëse ka një pagesë 5000 euro nga aplikanti. Ndërsa nga ana tjetër protokolli parashikon shqyrtimin e 3 mijë kërkesave në muaj, ndërkohë që deportimi i atyre që nuk figurojnë përfitues duhet bërë nga territori italian. E gjithë kjo sjell vonesa dhe nuk dihet sa do të jetë i zbatueshëm. Nga territori italian në vitin 2023 nga 150 mijë të ardhur, janë dërguar në shtëpi vetëm 4,753.
Marrëveshjes u firmos në Romë më 6 nëntor 2023 nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.Pas ratifikimit në të dy parlamentet pritet të fillojë puna, ndërsa fundi i pranverës është parashikuar të jetë koha kur do të mbërrijnë emigrantët e parë në territorin shqiptar.
Shenim: Shkrimi i "Corriere della Sera' ka për autorë: Milena Gabanelli e Simona Ravizza