Palët kërkojnë ndryshimin e Kodit
Zgjedhor, nuk preket sistemi

Palët kërkojnë ndryshimin e Kodit<br />Zgjedhor, nuk preket sistemi
TIRANE - Kodi i ri Zgjedhor, që gjeti zbatimin në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, edhe pse i miratuar me konsensusin e palëve në Parlament, duket se ka ende hapësira për përmirësime.

Fakti që zgjedhjet nuk do të certifikohen nga KQZ, por nga Kolegji Zgjedhor, për të cilin e lejon ligji, do të jetë gjëja e parë që do të rishikohet. Pikërisht mundësia që institucioni i administrimit të zgjedhjeve të mos ketë mundësi ligjore që të qëndrojë me katër anëtarë, siç është aktualisht.

Tre partitë e mëdha, PD, PS dhe LSI njëzëri shprehen për ndërhyrje në kod, ndonëse ende nuk kanë zyrtarizuar asgjë me njëri tjetrin. Por ajo që ende nuk ka gjetur një gjuhë të përbashkët, është pikërisht çështja ndryshimit apo jo të sistemit zhgjedhor, i cili nuk do të preket deri në këto momente. Partitë e vogla kanë mbështeur gjithnjë sistemin propocional. “Është ende herët të flasim për ndryshime kaq rrënjësore”, tha përfaqësuesi për çështjet ligjore në LSI, Ylli Manjani.

Nënsekretari për çështjet elektorale në PS, Koli Bele thotë se janë gati të korrigjojnë ligjin zgjedhor. “Në një kohë të dytë me qetësinë e nevojshme dhe me kujdesin e nevojshëm mund të rregullohet Kodi Zgjedhor. Në fazën e përgatitjes së këtyre zgjedhjeve procesi vuajti tensionin e shkaktuar nga qëndrimi partizan i KQZ”, tha Bele. Ndërkohë që lidhur me ndryshime të tjera në Kod, përveç sistemit, i ngarkuari i LSI-së për të ndjekur çështjet zgjedhore Ylli Manjani beson se ndryshimi real duhet të vijë nga klima më të cilën palët shkojnë në procesin e votimit.

“Para se të fillojmë të bëjmë ndërhyrjet e radhës ne duhet të fillojmë që gradualisht të përgatisim gjithë klimën politike në vend. Ajo që duhet riparë si nga ana legjislative ashtu dhe ajo ekzekutive është roli i shtetit në zgjedhje, pra sa minimalisht a maksimalisht duam ta kemi shtetin prezent. Duhet riparë dhe mundësia e risive teknologjike”, tha Manjani. Modeli i menaxhimit të zgjedhjeve nga administrata shtetërore dhe jo mbi modelin bipartizan, mund të aplikohet vetëm nëse mazhoranca ofron besueshmëri tek opozita, thonë ekspertët e së majtës.

“Polarizimi dhe kontrolli politik, pashmangshmërit sjell ngarkesa, vonesa, bllokime e akuza të ndërjellta. Do të ishte ideale që procesi të shkonte në duar të një administrate civile. Kjo kalon në rrugën e besimit të palëve”, thotë Bele. Ndërsa për demokratët ndërhyrja në Kod, megjithëse mund të jetë një akt i nevojshëm për të rritur cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme, duhet të jetë një veprim i matur.

Ata janë të mendimit se më parë duhet pritur për të parë rekomandimet përkatëse të ODIHR dhe më pas ato të komentohen dhe të shikohet nevoja për ndërhyrjen në Kod. Pak ditë më parë edhe lideri i LSI, Ilir Meta ka kërkuar ndërhyrje në Kod. Ndonëse shumica parlamentare do të përbëhet vetëm nga koalicioni i majtë, ende nuk është konfirmuar se kush do ta marrë nismën e para për të kërkuar ndryshime të Kodit Zgjedhor.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Holanda zhvendoset djathtas

Holanda zhvendoset djathtas