TIRANË, 6 Mars /ATSH-Gjergji Mima/ -Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi sot pë rmediat se, "Ilir Meta prej 4 ditësh publikisht i akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, i thelloi dyshimet ndaj tij sot kur menjëherë pasi u pyet në Prokurori, e mbajti frymën në zyrën e Ministrit të Brendshëm, para se Tahiri të nisej vetë në Prokurori për tu pyetur".
Sipas Palokës, "i akuzuari për organizimin e dy vrasjeve, i doli përpara të akuzuarit tjetër, Tahirit, si fshehës i ngjarjes, pak përpara se ky i fundit të shkonte për të dëshmuar".
"Ilir Meta dhe Saimir Tahiri janë personazhet kyç në këtë histori, njëri i akuzuar si porositës i vrasjeve, e tjetri si negociator mes palëve dhe vrasësit të dyshuar, dhe sigurisht kanë nevojë të konsultohen për skenarin e tyre", tha Paloka, duke shtuar se, "ata kanë bashkëpunuar ngushtë deri më tani në të gjitha përpjekjet e bëra për manipulim e rrjedhje informacioni në media, me qëllim krijimin e alibisë dhe çorientimin e opinionit publik, që të mos merret vesh e vërteta".
Sipas tij, "që ky hetim të jetë i plotë dhe i besueshëm ka vetëm një rrugëdalje. Ilir Meta duhet të japë dorëheqjen nga posti që mban e ti hapë rrugën drejtësisë".
./f.n/











