Eklipsi total i Diellit këtë të mërkurë, i cili po konsiderohet si një nga ngjarjet astronomike më spektakolare të vitit, është parë edhe në Shqipëri.

Report Tv ka siguruar pamjet kur Hëna ka mbuluar pjesërisht diellin, një fenomen që zgjati disa minuta dhe që mund ta shihje lehtësisht në vendin tonë.

Në Tiranë fenomeni nisi rreth orës 19:31 dhe arriti kulmin në orën 19:41, kur rreth 19% e ‘diskut’ të Diellit u mbulua nga Hëna. Eklipsi i Diellit në Tiranë përfundoi rreth orës 19:44, pak para perëndimit të Diellit.

Ndërkohë nëpër botë, mijëra njerëz kanë planifikuan udhëtime drejt Spanjës, Islandës dhe Grenlandës për të ndjekur nga afër fenomenin. Miliona njerëz në Europë dhe pjesë të tjera të hemisferës veriore 'u mbërthyen' me sytë nga qielli për të ndjekur eklipsin diellor.

Në Spanjë, Islandë, Grenlandë dhe një pjesë të Portugalisë, Hëna mbuloi plotësisht Diellin për disa minuta, ndërsa në shumë vende të tjera të Europës fenomeni u pa si eklips i pjesshëm.

Pamjet nga qytete të ndryshme tregojnë sheshe, plazhe dhe pika panoramike të mbushura me njerëz që ndjekin fenomenin me syze mbrojtëse të posaçme. Në Spanjë, autoritetet kishin përgatitur qindra zona vëzhgimi për shkak të interesit të jashtëzakonshëm të publikut.

Ajo që e bën një eklips total kaq të veçantë janë disa fenomene që mund të shihen vetëm përgjatë brezit ku Hëna mbulon plotësisht Diellin. Një prej tyre është i ashtuquajturi "Efekti i Unazës me Diamant". Vetëm disa sekonda para ose menjëherë pas eklipsit total, një rreze e vetme drite kalon mes relievit të Hënës, ndërsa atmosfera e jashtme e Diellit krijon një unazë të ndritshme. Pamja të jep përshtypjen e një diamanti të vendosur mbi një unazë dhe konsiderohet një nga momentet më të fotografuara të çdo eklipsi.

Një tjetër fenomen janë "Rruazat e Baily-t", pika të vogla drite që shfaqen përgjatë skajit të Hënës, pasi rrezet e Diellit kalojnë mes maleve dhe luginave të saj. Edhe ky spektakël zgjat vetëm pak sekonda. Kulmi i eklipsit total është shfaqja e koronës diellore, atmosfera e jashtme e Diellit, e cila normalisht nuk shihet për shkak të shkëlqimit të fortë të tij.

Kur Dielli mbulohet plotësisht nga Hëna, korona bëhet e dukshme si një aureolë e bardhë rreth diskut të errët të Hënës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:30
Kamera e Report TV kap momentin e rrallë, transformimi magjik i qiellit mbi Fier nga eklipsi diellor

 

Qielli mbi Fier mori nuanca të kuqërremta gjatë eklipsit të pjesshëm të Diellit që ndodhi këtë të mërkurë, fenomen që u ndoq edhe nga shumë qytetarë në Shqipëri. Pamjet e siguruara nga korrespondentët e Report TV tregojnë momentin kur hëna 'zë' një cep të diellit teksa ai perëndon dhe më pas qyteti i dorëzohet një tisi të lehtë të errësirës.

Ora 20:07
Spektakël në qiell, eklipsi diellor mahnit miliona njerëz në mbarë botën (VIDEO)

Miliona njerëz në Europë dhe pjesë të tjera të hemisferës veriore ngritën sytë nga qielli këtë të mërkurë për të ndjekur eklipsin diellor, një nga fenomenet astronomike më të veçanta të viteve të fundit. Në Spanjë, Islandë, Grenlandë dhe një pjesë të Portugalisë, Hëna mbuloi plotësisht Diellin për disa minuta, ndërsa në shumë vende të tjera të Europës fenomeni u pa si eklips i pjesshëm.

Pamjet nga qytete të ndryshme tregojnë sheshe, plazhe dhe pika panoramike të mbushura me njerëz që ndjekin fenomenin me syze mbrojtëse të posaçme. Në Spanjë, autoritetet kishin përgatitur qindra zona vëzhgimi për shkak të interesit të jashtëzakonshëm të publikut.

Ky është eklipsi i parë i plotë diellor i dukshëm nga pjesë të Europës kontinentale pas shumë vitesh. Rruga e eklipsit kalon mbi Grenlandë, Islandë, Spanjën veriore dhe një cep të Portugalisë, ndërsa në pjesën më të madhe të Europës, Afrikës Veriore dhe Amerikës së Veriut fenomeni shihet pjesërisht.