Pamje spektakolare! Bora zbardh luginën e Valbonës, vizitorë të shumtë edhe nga Kosova: Problem energjia për bizneset, të zhvillohet zona (VIDEO)

Lugina e Valbonës edhe këtë dimër vijon të tërheqë vizitorë të shumtë nga vendi dhe Kosova.

Ata thonë se Valbona është e bukur jo vetëm në verë, por edhe në dimër.

Por problematik mbetet furnizimi i rregullt me energji elektrike, e sipas ekspertes së turizmit Brunilda Licaj, pengon ardhjen e turistëve.

Lugina e Valbonës është shumë e vizituar jo vetëm nga te huajt, por edhe nga mjaft turistë vendorë të etur për aventura dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore të zonës.

“Unë jam nga Tirana, por meqë ishim për punë në Tropojë, frekuentuam edhe Valbonën. Mrekullia e Valbonës duhet të shoqërohet me elementë dhe kushte të tjera, që të gjitha shërbimet të jenë të hapura. Themi për pjesën e energjisë elektrike që kanë probleme bizneset në zonën e Valbonës apo elementë të tjerë që kanë nevojë banorët dhe i kanë ngritur si shqetësime, me qëllim që t’i japin zhvillim zonës. Bën përshtypje natyra, ambienti, sjellja, banorët e zonës së Valbonës, mikpritja e tyre, gjithçka. Por kanë nevojë për mbështetje. Vij herë pas here këtej”, thotë qytetarja nga Tirana.

Këto janë edhe pamjet mahnitëse nga kjo zonë e zbardhur tërësisht dhe ku temperaturat janë shumë të ulëta. Por kjo nuk i pengon të apasionuarit për të eksploruar dhe bërë ‘aventura’ të vogla.

“Shumë gjëra na tërheqin këtu. Vendi, natyra, ajri i pastër. Verës vij më shpesh, por këtë herë kemi ardh edhe gjatë dimrit. Natyrë fenomenale, perfektë. Unë vij prej Fushë-Kosovës, afër Prishtinës dhe më tërheq Valbona. Kemi ardhur në mëngjes dhe kthehemi në mbrëmje. Në verë vijmë për shkak të natyrës dhe ajrit, kurse në dimër për shkak të borës, se atje borë nuk ka, madje as në Bajram Currë s’kishte borë. Këto na tërheqin më shumë”, shprehet një qytetar kosovar.

“Vij nga Tirana, Është bukur në verë dhe në dimër. Vijmë me makinë, por motorin e kam për adrenalinë. Tani vij prej Tropojës. Vendi është miqësor këtu dhe mikpritës dhe ajri i pastër. Kalojm fundjavë të bukur me familje, shoqni. Ka edhe nga vende të tjera, Gjermania, Anglia dhe të tjera”, shprehet një tjetër i ri, që ka zgjedhur të udhëtojë me motor, pavarësisht temperaturave të ulëta.

Por, në këtë stinë në Luginën e Valbonës, mund të ushtrosh edhe turizmin e vëzhgimit të kafshëve të egra të zonës, që lëvizin në fushën e bardhë të borës.

A.Q/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Emërohen 48 shefat e Komisariateve në 12 drejtoritë e qarqeve! Lista me EMRAT dhe qytetet

Emërohen 48 shefat e Komisariateve në 12 drejtoritë e qarqeve! Lista me EMRAT dhe qytetet