Ish-deputetja e Partisë Demorkatike, Orjola Pampuri ka dalë në një deklaratë për mediat pak orë para protestës së opozitës duke hedhur akuza ndaj qeverisë Rama si dhe duke ftuar qytetarët në tubimin e orës 20:00.
Sipas Pampurit 31% e familjeve në Shqipëri nuk sigurojnë dot bukën e përditshme, veshjet dhe nevojat bazë. Më pas sipas pretendimeve që ngre Pampuri skamja është rritur 6% në krahasim me 1 vit më parë. Papunësia, situata e keqe ekonomike, korrupsioni, krimi dhe emigracioni problemet kryesore të vendit.
Deklarata e Plotë:
Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, qytetarët e të cilit vazhdojnë të varfërohen në mënyrë të pandalshme.
Një anketim i Barometrit të Ballkanit tregon se gjendja e ekonomisë në familjet shqiptare po përkeqësohet nga viti në vit dhe se me qeverinë e Edi Ramës 1/3 e shqiptarëve nuk mund të mbyllin dot muajin. Thënë ndryshe, 31 përqind e familjeve në Shqipëri nuk sigurojnë dot bukën e përditshme, veshjet dhe nevojat bazë.
Asnjë nga vendet e tjera në rajon nuk ka këtë nivel skamjeje, e cila për Shqipërinë është gati dy herë më e lartë se mesatarja e rajonit.
Çfarë e bën edhe më të rëndë gjendjen është përkeqësimi i ekonomisë familjare dhe rritja e frikshme e numrit të familjeve që nuk përballojnë dot nevojat bazë për jetën.
Treguesi i rritjes së varfërisë dhe skamjes është simboli i qeverisë së Edi Ramës. Brenda 12 muajsh ata që nuk kanë bukë të hanë apo të sigurojnë veshje për fëmijët e tyre është rritur me 6 përqind.
Mbi 65 përqind e familjeve shqiptare nuk kanë të ardhura për të përballuar as dhe një javë pushime.
Anketa e Barometrit të Ballkanit nxjerr në pah se problemet kryesore të shoqërisë shqiptare janë papunësia, situata e keqe ekonomike, korrupsioni, krimi dhe emigracioni. Këto janë 5 fusha ku qeveria e Edi Ramës ka dështuar plotësisht.
Zhytja e shqiptarëve në varfëri nga vitit në vit, pasurimi i vet dhe i një grushti njerëzish pranë tij me projekte korruptive, me taksa të larta, me vjedhje dhe grabitje të pasurive të vendit, janë arsyeja kryesore pse 85% e shqiptarëve e refuzuan Edi Ramën në 30 Qershor.
Pas 6 vjetësh keqqeverisjeje, shqiptarët e kanë tani të qartë se Edi Rama nuk ndjen asnjë detyrim për ta, pasi pushtetin e ka blerë me krimin dhe paratë e korrupsionit.
Sot shqiptarëve u duhet një qeveri e popullit, nga populli dhe për popullin. Këtë e mundëson vetëm vota e lirë, por me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Siç dëshmoi në farsën ilegjitime dhe antikushtetuese të 30 Qershorit, Edi Rama edhe kur është vetë votues, vetë numërues, vetë çertifikues, nuk bën dot zgjedhje pa i vjedhur ato.
Është në interesin tonë më të mirë, të tregojmë se jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund betejës sonë europiane për zgjedhje të lira e të ndershme, për një qeveri që punon për mirqenien e shqiptarëve dhe punësimin e tyre.
Të jemi të gjithë bashkë në orën 20.00 në Tiranë, bashkë me familjet tona në rrugëtimin tonë plot shpresë për Shqipërinë e mundësive, për #Shqipërinë si Europa.
Lajmi kryesor: