Panairi i librit, rritet interesi për
monografitë historike

Panairi i librit, rritet interesi për <br />monografitë historike
TIRANE - Në panairin e Librit Tirana 2012 po rritet interesi për librat historikë. Librat historikë kanë pasur këtë vit një bum shitjesh, një dukuri e rallë kjo që nuk ka ndodhur në edicionet e mëparshme. Mjaft libra historikë kanë ngjallur interesa para se të vinte dita e panairit për shkak të historisë së larmishme dhe kontradiktore të shtetit shqiptar gjatë këtij 100-vjetori.

Librat historikë janë çliruar tashmë nga rrjeti i censurës së 50 vjetëve të kaluar në diktaturë dhe dukuria e shitjes së këtyre librave tregon një etje të lexuesit për të njohur të vërtetat historike. Interes është treguar edhe për botimet e Institutit të Historisë, i cili vjen në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë më një sërë botimesh monografike, dokumentare dhe periodike.

Një nga librat më të shitur gjatë dy ditëve të Panairit rezulton të jetë edhe monografia “Kur historia ndau dy popuj fqinjë”. Shqipëria dhe Greqia, 1912-1914 e studiueses Ledia Dushku. Ajo rrok një temë interesante të historisë së shqiptarëve në shekullin e XX, atë të marrëdhënieve me fqinjin e saj jugor, Greqinë. Për realizimin e studimit, studiuesja është mbështetur mbi një bazë të shëndoshë burimore.

Kopertina e librit ledia
(Kopertina e librit “Kur historia ndau dy popuj fqinjë”)

Spikat shfrytëzimi i një literature të gjerë historiografike, e cila i ka dhënë mundësinë autores të qëmtojë shumë fakte historike dhe të trajtojë e analizojë çështje të tilla si: marrëdhëniet e Ismail Qemalit, Esat Toptanit, Vilhelm Vidit me Greqinë; përpjekjet e kësaj të fundit për të aneksuar territoret e Shqipërisë së Jugut; ndikimin e politikës së Fuqive të Mëdha në përvijimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke etj.

Studimi është shkruar me një gjuhë të qartë, me një stil të rrjedhshëm dhe lexohet me endje. Kjo është një meritë e veçantë e autores që tregon për një punë të mirë dhe pjekuri shkencore të saj. Monografia e dr. Ledia Dushkut Kur historia ndan dy popuj fqinj Shqipëria dhe Greqia 1912-1914 ndonëse trajton një periudhë e tematikë jo pak të njohur e trajtuar nga historiografia deri më sot, na vjen si një befasi e këndshme me plot risi, detaje, argumente, analiza logjike e elegancë në paraqitje. Znj. Ledia ka guxuar dhe ja ka dalë me sukses të na ofrojë një monografi me parametra cilësore, e cila është sprova, që e fut në radhën e studiuesve të kolauduar, skrupuloze e me kërkesa ndaj vetes.

Monografia tjetër ku lexuesi ka pasur interes ka “Minoritetet në Shqipëri midis integrimit dhe identitetit (1939-1949)” e studiueses Sonila Boçi trajton një çështje, e cila përcillet me një ndjeshmëri të lartë nga opinioni publik vendas dhe i huaj.

Kopertina e librit sonila
(Kopertina e librit “Minoritetet në Shqipëri midis integrimit dhe identitetit 1939-1949")

Libri prek marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët dhe se si instrumentalizohen minoritetet për qëllimet afatgjata të shteteve-amë; shkallën e nivelin e të drejtave e lirive të minoriteteve kombëtare; raporteve midis nacionalizmit dhe komunizmit në Shqipëri etj. Studimi bazohet mbi një bazë burimore solide dhe mjaft autentike. Ai përmban një analizë të qartë të problematikës së minoriteteve, i cili është bërë në mënyrë të balancuar dhe me objektivitet e profil të spikatur shkencor.

Po ashtu monografia e studiuesit Edmond Malaj e titulluar “Hebrenjtë në trojet shqiptare. Me përqendrim në historinë dhe kulturën hebraike” ka qenë sërish një ndër librat më të tërhequr. Libri paraqet Judaizmin me një tërësi aspektesh të tij. Studimi jep të dhëna historike dhe social-kulturore për komunitetin hebraik, jo vetëm në trojet shqiptare, po edhe në Perandorinë Osmane dhe në Ballkan. Si e tillë, monografia është një kontribut në fushën e Judaistikës, pasi merret me historinë dhe kulturën e popullit hebre, por përveç kësaj është edhe një kontribut në fushën e Albanologjisë, pasi trajton një aspekt të veçantë të historisë së trojeve shqiptare, pra me historinë e hebrenjve ndër shekuj dhe me marrëdhëniet e tyre me shqiptarët.

Jo pak interes është treguar edhe serinë prej 5 vëllimesh e dokumenteve diplomatike austro-hungareze e titulluar “Shqipëria në Dokumentet austro-hungareze (1912)”. Dy vëllime të tjera me dokumente, njëri franceze dhe tjetri britanike i ka sjell për lexuesin shqiptar, studiuesi nga Kosova Muhamet Shatri. Vëllimi i parë titullohet Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, Vëllimi II. Kjo përmbledhje është vazhdim i vëllimit të botuar më 2006, nga Instituti i Historisë së Kosovës dhe jep një tablo më e plotë të dokumenteve franceze për ngjarjet në Shqipëri dhe rreth saj. Këta libra kanë nisur të shiten, sepse trajtohet çështja shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Lexohet tregojnë më shumë interes për at libra historikë që kanë një sërë dokumentesh të zbuluara rishtazi.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi