Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ka zhvilluar një takim me fermerë të zonës së Goriçanit në Berat. Takimi është organizuar në një pikë grumbullimi e cila eksporton prodhime bujqësore shqiptare, kryesisht në vendet e Ballkanit, në vendet e Evropës lindore si dhe në vendet e BE-së.
 
Fermerët e kësaj zone që bashkojnë mallin në pikën e grumbullimit të financuar nga USAID, prezantuan përpara ministrit Panariti mallin e tyre që është gati për t’u transportuar drejt Maqedonisë, mall i cili pasi certifikohet në vendin tonë, i nënshtrohet edhe analizave në destinacion.
 
Ministri Panariti deklaroi se “Prodhimi bujqësor i kësaj zone, kryesisht domatja, është një prodhim shumë e pastër dhe bio dhe për këtë arsye i ka rezistuar tregjeve ndërkombëtare. Madje, duhet punuar në atë mënyrë që prodhimet tona të arrijnë sa më shpejt në këto tregje, duke e dominuar atë jo vetëm me cilësinë e tyre, duke ruajtur parametrat që kërkojnë sot këto tregje."
 
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, tha se domatja jonë lëviz në të gjitha tregjet rajonale në Serbi, Slloveni dhe në tregjet e BE-së. “Ne do të inkurajojmë dhe nxisim fermerët për të zgjeruar sipërfaqet e kultivuara me domate."
 
“Kemi diskutuar se si mundet ta përshpejtojmë ciklin e lëvizjes së këtij produkteve dhe për këtë arsye kontaktova dhe me drejtoreshën e doganave në mënyrë që malli të lëvizë me shpejtësi në dogana” tha ministri duke theksuar se “Për këto shqetësime do të kontaktoj me ambasadorin e Maqedonisë në Tiranë por edhe me homologun tim maqedonas që të ndërpriten këto vonesa, me qëllimin e vetëm që prodhimet tona të shkojnë në destinacion brenda afateve kohore.”
 
Ministri Panariti deklaroi se produktet shqiptare janë produkte të pastra shumë cilësore dhe më vlera ushqimore dhe pa ndotje. “Deri më tani nuk kemi asnjë ankesë nga të gjitha vendet ku ne eksportojmë për këtë cilësi.”- u shpreh ministri i Bujqësisë.
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)