Pandemia COVID-19, Sejko: Do të sjellë rritje të papunësisë dhe përkeqësimin e situatës financiare të biznesit

Pandemia COVID-19, Sejko: Do të sjellë rritje të papunësisë dhe përkeqësimin e situatës financiare të biznesit

Gent Sejko, Guvernatori i BSH

Tërmeti i 26 nëntorit, ka ulur ekonominë e vendit me 2.2%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ka deklaruar në Komisionin e Ekonomisë, se viti 2019, ka qenë tepër sfidues për shkak të efekteve negative të fatkeqësisë natyrore.

"Viti 2019 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare. Mjedisi i huaj ekonomik u shfaq i pafavorshëm, i karakterizuar nga ngadalësimi i ritmeve të rritjes ekonomike, nga inflacioni i ulët, si dhe nga pasiguri të shtuara, si pasojë e forcimit të masave proteksioniste në tregjet botërore. Nga ana tjetër, ekonomia shqiptare vijoi të përfitojë nga rritja e konsumit privat, si dhe nga zgjerimi i eksportit të shërbimeve, kryesisht si pasojë e vijimit të trendit pozitiv të turizmit. Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend u ndikua negativisht nga rënia e fortë e prodhimit të energjisë elektrike, nga përfundimi gradual i investimeve në projektet madhore energjetike, si dhe nga tërmeti i muajit nëntor, i cili shkaktoi dëme dhe humbje të konsiderueshme ekonomike. Për rrjedhojë, rritja ekonomike e vitit 2019 rezultoi në nivelin 2.2%, në rënie kundrejt nivelit 4.1% të shënuar në vitin paraardhës", tha Sejko.

Edhe pse ka prezantuar raportin e 2019, Sejko u përqendrua edhe tek pandemia. Guvernatori e ka konsideruar realitet të ri ekonomik situatën që do të vij pas COVID-19. Guvernatori thotë se masat e marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë ndikuan në rënien e konsumit, investimeve dhe eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Sipas tij në një moment të dytë pritet një rënie e nivelit të punësimit dhe rritje e papunësisë në vend, duke shkaktuar rënien e të ardhurave familjare dhe përkeqësimin e situatës financiare të biznesit, çka mund të sjellë dhe rritje të nivelit të kredive me probleme në sektorin bankar.

"Ekonomia shqiptare pritet të shënojë rënie gjatë vitit 2020, rënie e cila do të shoqërohet me reduktim të punësimit e rritje të papunësisë, me rënie të të ardhurave për familjet, si dhe me përkeqësim të situatës financiare të bizneseve dhe shtim të kredive me probleme në sektorin bankar. Kjo goditje erdhi në një moment delikat për ekonominë shqiptare, e cila pësoi dëme dhe humbje ekonomike të vlerësuara në 7.5% të PBB-së nga tërmeti i datës 26 nëntor të vitit të kaluar", u shpreh Sejko.

Sejko ka prezantuar në Komision raportin vjetor për vitin e kaluar, ku tha se numri i bankave u reduktua nga 16 që ishin në vitin 2018, në 12 për shkak të ristrukturimit bankar, po ashtu në vitin e kaluar treguesi i kredive me probleme sipas Sejkos ka pësuar rënie të ndjeshme, nga 25% në vitin 2014 në 8.4% në fund të vitit 2019.

 Një tjetër arritje në vitin e kaluar është edhe futja në qarkullim pjesërisht e serisë së re të kartëmonedhave, ku Sejko deklaroi se brenda këtij viti do të hidhen në qarkullim prerjet 1000 dhe 10000 Lekë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi