Pankarat në protestat kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, ka marrë një vëmendje të shtuar. Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot duke publikuar disa prej tyre në llogarinë e tij në facebook me një shkrim me nota ironie për ideatorët.

“Me keqardhje”, Rama thotë se nuk i poston dot këtu pankartat me përmbajtje më pikante për të mos përhapur keqkuptime. Me këtë ai i referohet protestuesve që artikulojnë se projekti në Zvërnec do të dëmtojë biodiversitetin e zonës së mbrojtur, duke i cilësuar si “rreziqe imagjinare” për një plan që do të transformojë Shqipërinë.

“RROFTË MEMEMANIA

Që të merremi vesh se mos krijohet bindja e gabuar që mua s’më pëlqen asgjë nga ky revolucioni imagjinar i flamingove

Aq sa më ngjallin keqardhje me përzierje rropullish fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve, për të cilat sinqerisht u përcjell përgëzime e falenderime autorëve, ndërkohë që më vjen keq vërtetë, që disa të preferuara të tjera nuk i postoj këtu dot se janë shumë të nxehta dhe kot melazëm na krijohen keqkuptime të reja, a thua s’na mjaftojnë këto që kemi për rreziqet imagjinare nga një projekt që do transformojë më tej Shqipërinë”, shkruan Rama.

Prej tetë ditësh, qytetarët u mblodhën në protestë para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec. Kauza për të mbrojtur natyrën dhe zonën e mbrojtur të Nartës ishte arsyeja që i revoltoi për të dalë në shesh, por protestuesit prej tetë ditësh tashmë po shpalosin një sërë ankesash, nga emigrimi te gjendja e arsimit, shëndetësisë, drejtësia dhe çështja e pronave. Protesta janë zhvilluar gjithashtu dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.