Papa Françesku dhe domosdoshmëria që “bukuria e komunikimit të mos korruptohet”

Papa Françesku dhe domosdoshmëria që “bukuria e komunikimit të mos korruptohet”

Papa Françesku në takimin e Jubileut të Komunikimit

Në kohën e banketeve, ekzagjerimeve, të shpalosjes së pushtetit dhe të luksit nëpër rrjete sociale, kur edhe gazetarë dhe komunikues mediatikë nuk shqetësohen fare se çfarë komunikojnë dhe si e komunikojnë, dhe sidomos kujt ja komunikojnë. Kur njëri pas tjetrit shtohen dhe vihen në garë salltanete jashtë çdo logjike të njerëzve të fjalës dhe të së vërtetës, pikat e referimit dhe personalitete që dinë vlerën e vërtetë të fjalës dhe të imazhit, sa vijnë dhe rrallohen. Kë të dëgjojmë? Kë të ndjekim si shembull? Cilat janë modelet e gazetarisë së të tashmes dhe të së ardhmes? Ata që punojnë si gazetarë e jetojnë si sheikë? Diçka nuk shkon. Llogaritë dhe logjika nuk del sido që ta rrotullosh e çfarëdo të mbledhësh e zbresësh në matematikë. Dhe sot, duket se çdo gjë mbyllet me një selfie portretesh të rregulluara me botoks dhe trupash që dobësohen e shëndoshen në bazë të takimeve kirurgjikale. Ku është e vërteta dhe kush përpiqet për të? Dhe mbi të gjitha... “Zoti im, unë them gjithnjë gjëra të vërteta! -  citon Papa Françesku. - “Po ti je i vërtetë? Jo vetëm gjërat që ti thua, por brenda teje, a je i vërtetë?

Edhe këtë herë, për të patur një dritë mbi argumentin i drejtohemi fesë, besimit, si i vetmi realitet që duket realisht i shqetësuar për ta marrë në konsideratë gjendjen e krijuar.

Në këtë vit të Jubileut të Kishës Katolike, këto ditë u celebrua Jubileu i Komunikimit dhe i Fjalës. Papa Françesku, në shembullin e Papa Gjon Palit të II, i cili në vitin 2000 organizoi këtë Jubile, mblodhi në Vatikan gazetarë, fotoreporterë, prezantues të televizioneve, të cilët përditë u komunikojnë miliona njerëzve Fjalën.

Edhe pse në Kishën Katolike Jubileu i komunikimit do të thotë përcjellja e fjalës së Zotit, në kohët moderne, Papa e lidh atë me komunikimin e fjalës së vërtetë dhe konstruktive.

Në sallën “Paolo VI” në Vatikan Papa Françesku e nisi bisedën e tij me operatorët e mass-medias me një shaka: “Më kanë dhënë 9 faqe fjalim për të lexuar! Është një torturë!”.  Dhe nis fjalën e tij të lirë. Sipas Papa Françeskut “të komunikosh, është hyjnore… Të komunikosh është si të dalësh pak nga vetja dhe t’i flasësh tjetrit. Dhe komunikimi nuk është vetëm dalje nga vetja, por edhe takim me tjetrin. Të dish të komunikosh, është një maturi e madhe…”, tha. “Puna juaj është një punë që ndërton, ndërton shoqërinë, ndërton kishën, i çon përpara të gjithë, me kusht që të thuhet e vërteta. “Zoti im, unë them gjithnjë gjëra të vërteta!” citon Papa. “Po ti je i vërtetë? Jo vetëm gjërat që ti thua, por brenda teje, a je i vërtetë? Është një sprovë e madhe”.

Në fjalimin prej 9 faqesh shkruhej: “Në këtë Jubile ju bëj edhe një tjetër apel juve që jeni të pranishëm në sallë dhe komunikuesve të gjithë botës: Tregoni dhe histori shprese, histori që ushqejnë jetën. “Storytelling” i juaj të jetë dhe “hopetelling”. Kur tregoni të keqen – shkruhet në fjalim, - t’I lini hapsirë mundësisë për të ngjitur atë që është çarë, dinamizmit të së mirës që mund të riparojë atë që është thyer. Mbillni pyetje, sepse të tregosh shpresën do të thotë të shohësh thërrimet e të mirës të fshehura edhe aty ku gjithçka duket e humbur, do të thotë të shpresosh edhe kundër çdo shprese. Në fund të fundit të përhapësh shpresë do të thotë të vësh re sythat kur dalin atëherë kur Toka është akoma e mbuluar nga hiri. Të tregosh shpresën do të thotë të kesh edhe një vështrim që transformon gjërat, i bën ato që do të duhej të ishin. Do të thotë të bësh të ecin gjërat drejt fatit të tyre”.

“…Ajo e gazetarëve më shumë se një profesion, është një prirje, një mision. Ju komunikues keni një rol thelbësor për shoqërinë e sotme kur tregoni faktet dhe si i tregoni. E dimë, gjuha, sjellja, tonet, mund të jenë thelbësorë për të bërë dallimin mes një komunikimi që rindez shpresën, që krijon ura, që hap porta, dhe një komunikimi që në të kundërtën rrit ndasitë, polarizimet, thjeshtëzon realitetin”. Papa Françesku shoti se “përgjegjësia juaj është e veçantë. Detyra juaj është e çmuar. Mjetet tuaja të punës janë fjalët dhe pamjet. Por para tyre, vjen studimi dhe reflektimi, aftësia për të parë dhe dëgjuar; për të vënë veten në anën e atyre që janë të margjinalizuar, atyre që nuk duken e as dëgjohen dhe gjithashtu për të ringjallur - në zemrat e atyre që ju lexojnë, ju dëgjojnë, ju shikojnë - ndjenjën e së mirës dhe së keqes dhe një nostalgji për të mirat që thua dhe që, duke thënë, dëshmon”.

Së fundi, Papa, në fjalimin e palexuar, shkruan: "Ne kemi nevojë për alfabatezim mediatik, për të edukuar veten me të menduarit kritik, me durimin e aftësisë dalluese të nevojshme për dijen; dhe për të nxitur rritjen personale dhe pjesëmarrjen aktive të secilit në të ardhmen e komuniteteve të tyre, ne kemi nevojë për sipërmarrës të guximshëm, inxhinierë të guximshëm kompjuterikë, në mënyrë që bukuria e komunikimit të mos jetë e korruptuar”.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Janar, 13:37

    A duhet të votojnë emigrantët që kanë vetëm dokumente identifikimi të huaja?



×

Lajmi i fundit

27 Janar, Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit

27 Janar, Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit