Papa Klementi XI, ati i shenjtë me gjak shqiptari

Më 23 korrik të vitit të largët 1649 lindi në Urbino të Italisë Gjon Françesk Albani.

Ashtu u thirr ai në pagëzim nga prindërit dhe klerikët arbëreshë, por vite më vonë në pragun e shekullit të 18-të, ai do të bëhej Papa Klementi XI, kreu i Kishës Katolike të Romës dhe sundimtari i Shteteve Papnore.

Këtë detyrë të lartë e mbajti nga 23 Nëntori 1700 deri në vdekjen e tij në 1721.

Papa Klementi XI ishte papa i 243-të, që la gjurmë të thella në historinë e Italisë e të Vatikanit.

Ishte Papa që ngriti ura miqësie dhe paqeje mes popujve të Europës e Ballkanit, ura që u rezistuan shekujve.

Kjo figurë e ndritur botërore është përkujtuar me rastin e 300-vjetorit të ndarjes nga jeta.

Aureola e Papa Klementit  të XI u shfaq e plotë përmes një konference shkencore juilare të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me Nunciaturën Apostolike në Shqipëri. 

Arqipeshkvi Luigi Bonazzi, Nunc Apostolik, me pak fjalë të zgjedhura e të thëna me gjithë zemër shpalosi para botës akademike portretin e Papa Klementit XI.

“Pikësëpari duhet të përgëzoj Akademinë e Shkencave për këtë iniciativë të lavdërueshme për të përkujtuar papën me origjinë shqiptare Klementi XI në 300-vjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë.  Kjo jo vetëm se çdo vend ka nevojë të kujtojë e të mbajë mend historinë e vet, por edhe për faktin se pikërisht ky vit përkon edhe me 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe selisë së Shenjtë. Dhe pikërisht përkujtimi i figurës së Papa Klementit dëshmon faktin se marrëdhëniet Shqipëri-Seli e Shenjtë janë të vazhdueshmë ndër shekuj në forma të ndryshme. Interesi i Selisë së Shenjtë për të mirën e popullit arbëror ka qenë dhe është i vazhdueshëm. Prania e Selisë së Shenjtë është shprehur qoftë nëpëmjet të dërguarëve të saj të ndryshëm, qoftë nëpërmjet delegatëve të saj apostolikë, e në këto 30 vite, në mënyrë akoma më intensive nëpërmjet nunsëve apostolikë.

Sigurisht që Papa Klementi XI rridhte nga një familje me origjinë shqiptare, do të ndikonte në mënyrë edhe më intensive raportet e tij me bashkëkombasit, e siç dihet qe ai shtytësi dhe mbështetësi i Kuvendit të Arbërit. Ky Kuvend pati një rëndësi historike në Shqipëri edhe për faktin që nxiti përdorimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Një nga iniciativat e tij që do të konkretizohet vite më pas nga një tjetër papë, Klementi XII është ngritja e kolegjit Ursini në kolegjin arbëresh San Benedetto Uliano, siç do të kujtojë edhe një tjetër papë, Papa Pali VI. Klementi XI mburrej me origjinën dhe prejadhjen e tij të moçme shqiptare. Edhe Papa Gjon Pali II para vizitës së tij historike në Shqipëri e pëmend disa herë këtë figurë pape me origjinë shqiptare, duke teksuar se kujdesi i tij për tokat arbërore shpreh pikërisht këtë lidhje të ngushtë mes Selisë së Shenjtë dhe trojeve shqiptare, lidhje këto që ishin të vazhdueshme dhe gjithmonë në të mirën e popullit shqiptar”, tha Arqipeshkvi Luigi Bonazzi, Nunc Apostolik.

Në historinë shqiptare, si dhe në fusha të tjera studimore albanologjike, emri i Papa Klementit XI- Albani, përmendet si një Papë me "gjak shqiptar, si Papa që ka thirrur Kuvendin e Arbërit me 1703 dhe se ka pasur plot merita te tjera për çështjen shqiptare.

Për Dom Nikë Ukgjinin përfaqësues i kishës katolike në Shqipëri, emri i Papa Klementit XI lidhet edhe me Mërqinë – kishën e Kuvendit të Arbrit, e cila ka një vlerë të pazakontë në të kaluarën dhe sot.

Papa Klementi XI ka mbetur e do të mbetet një papë në panteonin e ndritur të historisë shqiptare e asaj botërore 

Kështu na e përshkruan atë akademik Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Papa Albani ka lënë gjurmë edhe në kujtesën kolektive, në kulturën humane dhe civilizimin  e shoqërisë shqiptare.

Për studiuesin arbëresh prof. Francesco Altimari, roli i Papa Klementit XI ka qenë i pazvëndësueshëm për kohën për zgjimin e kulturës dhe të identitetit në botën shqiptare.

Në një nga librat më të çmuar për historinë tonë kombëtare "Illyricum Sacrum", ilirët e shenjtë flitet sesi Papa Klementi XI dha kontribute të mëdha për mbledhjen e përpunimin e historisë së Shqipërisë

Gjon Francesco Albani i Urbinos, që kur ishte prift mblidhte lëndë për historinë kishtare ilire.

Rrënjosja e kulturës qytetare në Arbëri ishte më shumë se një mision për Papa Klementin XI.

Papa Klementi XI - Albani, u interesua shumë për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të vet.

Familja Albani e ka prejardhjen nga familja fisnike e Mikel Laçit, nga Laçi i Kurbinit.

Nga kjo familje rrodhën, përveç Klementit XI, kardinalë të shquar, kontë, diplomatë të mëdhenj dhe burra shteti të nivelit të lartë:

Papa Klementi XI- Albani, konsiderohet Pape “i madh”, që ka lënë gjurmë të thella në Kishën Katolike dhe në jetën politike europiane, prandaj dhe trupi i tij i shenjtëruar gjendet sot, sipas radhës, ne anën e djathtë në pjesën lart të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, kurse portretet dhe bustet e tij janë të shumta, si ne Romë ashtu edhe ne Urbino, në vendin e lindjes, e në vende të tjera.

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fluksi i emigrantëve për Vitin e Ri/ Hoxha inspekton Kakavijën: Greqia mori masa për lehtësim kalimi

Fluksi i emigrantëve për Vitin e Ri/ Hoxha inspekton Kakavijën: Greqia mori masa për lehtësim kalimi