Papa Leone XIV ka emëruar Atë Flavio Cavallini si Administrator Apostolik të Shqipërisë së Jugut. Imzot Gjergj Meta, presidenti i Konferencës Ipeshkvnore dhe Ipeshkvi i Rrëshenit, përshëndeti këtë emërim duke shprehur edhe edhe urimet për Atë Flavion.
Përmes një deklarate publike Imzot Gjergj Meta vë në dukje edhe kontributin e vyer të Atë Flavios teksa thekson bashkëpunimin e mirë mes njëri-tjetrit.
“Shumë i dashur Atë Flavio,
Me shumë gëzim, morëm lajmin e emërimit tënd si Administrator Apostolik i Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut. Ati i Shenjtë ka zgjedhur si udhëheqës të një realiteti misionar shumë të shtrirë gjeografikisht dhe mjaft kompleks një misionar që ka ardhur në Shqipëri qysh në fillimet e hapjes së kishave, pas periudhës së egër të regjimit komunist.
Ti ke shërbyer si Provincial i Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” e më pas edhe si famullitar në disa vende të Shqipërisë. Kontributi yt i vyer në fushën e mësimdhënies së Shkrimit të Shenjtë në Seminarin Ndërdioqezan “Nana e Këshillit të Mirë”, në Shkodër, ku janë formuar breza të tërë priftërinjsh, është i njohur për të gjithë ne. Po ashtu është e njohur edhe puna ungjillëzuese që ke bërë në të gjitha misionet ku ke qenë, me shumë kreativitet e pasion.
Si President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, të uroj mirëseardhjen në këtë Konferencë! Shpresoj shumë që së bashku me ipeshkvijtë e tjerë do të punojmë për Mbretërinë e Hyjit dhe Ungjillin në Shqipërinë tonë.
Falënderojmë Zotin dhe Atin e Shenjtë, Papa Leonin XIV, që ka menduar për ty si Bari i Administraturës Apostolike të Jugut!
Nana e Këshillit të Mirë, Pajtorja jonë dhe Shën Marku ungjilltar të qofshin gjithmonë krah në punën tënde! Të shoqërojmë me lutjen dhe afërsinë tonë”, shprehet ai.
Atë Flavio Cavallini lindi në Verona, Itali, në vitin 1957. Veshi zhgunin françeskan dhe, pas studimeve teologjike institucionale, në 1984-n, u urdhërua meshtar.
Pas dy vitesh vazhdoi studimet pranë Studium Biblicum Franciscanum në Jerusalem, duke marrë Laurea magjistralis në Teologjinë Biblike në 1988-n.
I dërguar në Shqipëri në 1993-shin, udhëhoqi për tre mandate Provincën Françeskane Shqiptare. Prej vitit 1994 ka dhënë kurse mbi Shkrimin e shenjtë në Institutin Filozofik-Teologjik të Shkodrës.
Nga viti 2015 jeton në Kuvendin Françeskan të Tiranës dhe i përkushtohet formimit biblik të laikëve dhe katekistëve. Përveç disa komentarëve biblikë, ka publikuar artikuj dhe studime mbi arkeologjinë e krishterë shqiptare dhe praninë e françeskanëve në Shqipëri. Prej fillimit të marsit të po atij viti shërben si famullitar pranë Kishës së Shën Antonit në Tiranë.
Komente







