Papa Leone XIV ka përsëritur thirrjen për t’i dhënë fund dhunës së Izraelit ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.

“Përsëris thirrjen time për t’i dhënë fund dhunës së përsëritur kundër popullsisë civile palestineze në Bregun Perëndimor”, tha Papa.

Apeli i Atit të Shenjtë vjen në një moment kur janë shtuar sulmet nga kolonët ekstremistë dhe po vazhdon rrethimi në fshatin Qusra të këtij territori.

Papa iu drejtua komunitetit ndërkombëtar “për të siguruar përparim drejt një zgjidhjeje me dy shtete, për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Vatikani ka mbështetur prej kohësh idenë e krijimit të një shteti palestinez në të ardhmen, i cili është njohur nga më shumë se 150 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së dhe që përfshin Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, të cilin Izraeli e ka aneksuar dhe e konsideron kryeqytetin e tij.

Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka mbikëqyrur ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, për të cilin ministri i Financave, Bezalel Smotrich, thotë se synon të varrosë idenë e krijimit të një shteti të tillë.

Dhuna e kolonëve është përshkallëzuar vitet e fundit, me sulme që ndodhin pothuajse çdo ditë, ndonjëherë edhe me pasoja vdekjeprurëse, në të gjithë Bregun Perëndimor, ndërsa vetëm pak të dyshuar janë arrestuar ose akuzuar. Kritikët e akuzojnë qeverinë se i toleron, madje edhe i nxit, këto sulme. Për më tepër, trupat e IDF-së janë akuzuar se qëndrojnë pasivë dhe lejojnë dhunën, ose edhe se në disa raste e ndihmojnë atë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Izraeli ka vrarë më shumë se 1,200 palestinezë në Gaza dhe ka plagosur më shumë se 4,100 të tjerë që nga arritja e marrëveshjes për armëpushim më 10 tetor 2025.