Gaza, zgjidhja me dy shtete si e vetmja rrugë e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez, roli i Erdogan dhe bisedimet me presidentin turk edhe për çështjen e Ukrainës, projekti për një takim të të gjitha kishave të krishtera në vitin 2033 në Jeruzalem, për të festuar dy mijëvjetorin e Ringjalljes. Në bordin e fluturimit AZ që e çon drejt Bejrutit, faza e dytë e udhëtimit të nisur të enjten në Ankara, Leone XIV u afrohet gazetarëve në fund të avionit për t’iu përgjigjur disa pyetjeve të dërguarve turq, nga vendi që sapo e ka pritur.
Shenjtëri, me presidentin Erdogan keni folur për situatën në Gaza dhe në Ukrainë? Ka shpresa?
«Sigurisht që kemi folur për të dyja situatat. Selia e Shenjtë, tashmë prej disa vitesh, mbështet publikisht propozimin për zgjidhjen me dy shtete. Të gjithë e dimë se për momentin Izraeli ende nuk e pranon atë zgjidhje, por ne e shohim si të vetmen rrugë që mund të ofrojë një zgjidhje për konfliktin që ata e përjetojnë vazhdimisht. Ne jemi gjithashtu miq të Izraelit dhe përpiqemi të jemi me të dyja palët një zë, të themi, ndërmjetësues, që mund të ndihmojë në afrimin drejt një zgjidhjeje me drejtësi për të gjithë. Për këtë kemi folur edhe me presidentin Erdogan dhe ai sigurisht është dakord me këtë propozim. Turqia ka një rol të rëndësishëm që mund ta luajë në këtë.»
Dhe për Ukrainën?
«E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën. Disa muaj më parë, kur ekzistonte mundësia e dialogut mes palëve, Ukrainës dhe Rusisë, presidenti ka ndihmuar shumë në thirrjen e të dyja palëve. Ende nuk kemi parë një zgjidhje, fatkeqësisht, por sot sërish ka disa propozime konkrete për paqen, dhe shpresojmë që presidenti Erdogan, me marrëdhëniet e tij me presidentët e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të mund të ndihmojë në këtë drejtim për promovimin e dialogut, armëpushimit dhe gjetjen e një mënyre për t’i dhënë fund kësaj lufte në Ukrainë.»
Cili mund të jetë roli i Turqisë në ruajtjen e paqes botërore dhe rajonale?
«Fakti që erdha në Turqi dhe tani, natyrisht, në Liban në këtë udhëtim, kishte një temë të posaçme: të jem një mesazhier i paqes, të dua të promovoj paqen në mbarë rajonin. Turqia ka disa cilësi të rëndësishme. Është një vend ku shumica dërrmuese e popullsisë është myslimane, por megjithatë ka komunitete të shumta të krishtera, ndonëse janë një pakicë shumë e vogël, dhe prapëseprapë njerëz të feve të ndryshme arrijnë të jetojnë në paqe. Kjo është një shembull i asaj që të gjithë ne do të dëshironim të shihnim në mbarë botën. Pavarësisht ndryshimeve fetare, etnike dhe shumë të tjera, njerëzit mund të jetojnë vërtet në paqe. Edhe vetë Turqia ka kaluar në historinë e saj momente kur kjo nuk ka qenë gjithmonë e mundur, e megjithatë, duke pasur këtë përvojë dhe duke mundur të flas me presidentin Erdogan për paqen, ishte sipas mendimit tim një element i rëndësishëm dhe domethënës i vizitës sime në atë vend.»
Para se të përshëndeste gazetarët, Papa Prevost foli për projektin e një takimi të të gjithë të krishterëve në Jeruzalem:
«Pas takimit ekumenik, si të premten në Nikea, ashtu edhe dje në mëngjes në Stamboll, folëm për takime të ardhshme të mundshme. Njëri prej tyre mund të jetë në vitin 2033, dy mijë vjet pas Shëlbimit, Ringjalljes së Jezu Krishtit. Është padyshim një ngjarje që të gjithë ne të krishterët duam ta kremtojmë. Ideja është pranuar, ftesa ende nuk është bërë, por ekziston mundësia që, për shembull, në Jeruzalem në vitin 2033 të festojmë këtë ngjarje të madhe të Ringjalljes. Ka ende vite për ta përgatitur, por ishte një takim shumë i bukur sepse të krishterë të traditave të ndryshme ishin të pranishëm dhe dëshironin të merrnin pjesë në këtë rast.»/ Corriere della Sera
Komente










GJITHNJE VATIKANI KA MBAJTUR NJE QENDRIM TE DREJTE..,TE LLOGJIKSHEM...,,PAQEDASHES..DHE PERPARIMTAR.....CDO GJE QE THOTE VATIKANI KA KUPTIM DHE FJALA E TYRE ZE VEND..RESPEKTE.....
Përgjigju