Regjimi komunist bojkotoi nderimin e saj, i refuzoi qytetarëve njohjen e Nenë Terezës dhe e ndaloi atë të vizitojë Shqipërinë, madje edhe pjesëmarrjen në varrimin e nënës së saj. I dyti nderim (gjysmë)shqiptar është shkencëtari Ferid Murati (1998). Deri momentin e nderimit emri i tij ishte I panjohur në botën shqiptare, por pas marrjes së çmimit të gjithë vrapuan të marrin diçka nga madhështia e tij. U nderua nga Universiteti I Tiranës (1999), Presidenti I Shqipërisë (1999), Akademia e Shkencave (2000) dhe posta shqiptare (2000). Faqja zyrtare e Nobel pranon përkatësinë shqiptare të Nënë Terezës, kurse tek rasti i dr. Muratit nuk reflektohet asnjë e dhënë shqiptare. Në 111 vite të tjera të ekzistencës së çmimit Nobel ka pasur edhe raste të tjera të përfshirjes ose përfaqësimit të elementëve shqiptarë, por deri tani pa sukses të dukshëm. Në krye të këtij bilanci të brishtë vjen rasti i shkrimtarit Ismail Kadare, prej vitesh kandidat zyrtar për cmimin Nobel në letërsi. Kadare përfaqëson më shumë se kushdo tjetër gjithçka të çmuar në kulturën dhe artin shqiptar; ai është botuar në më shumë se 40 vende dhe përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të ndryshme. Kadare është anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës (1996); si dhe ka fituar çmime të shumta prestigjioze përfshirë çmimin Princ i Asturias (2009), dhe çmimin ndërkombëtar Man Booker (2005). Njëherësh ai gëzon dekoratat më të larta të shtetit shqiptar (Nder i Kombit) apo "Kryqi i Legjionit të Nderit" e "Oficer i Legjionit të Nderit" në Francë, etj.
Pak kohë më parë Ismail Kadare u promovua në mediat perëndimore si një prej tre kandidatëve kryesorë pretendentë për fitimin e çmimit Nobel në letërsi për vitin 2012. Qoftë edhe ky fakt e bën emrin, veprën dhe simbolikën publike të tij një arritje me vlerë historike dhe një pasuri me vlerë kombëtare. Çdo shoqëri e popull i kulturuar do ta konsideronte të tillë, dhe për shkak se bëhet fjalë për fushën e letrave dhe botimeve (me vlerë globale dhe të përjetshme) do ta shihte gati si një mit i gjallë, një biletë hyrje në qytetërim, një kartëvizitë krenarie në kombet e dijes. Kështu kanë bërë fqinjët tanë me nobelistët e tyre, kështu do të duhej të bënin edhe shqiptarët, të cilët, për më tepër, e humbën rastin më 1979 dhe nuk dihet se kur do të kenë një rast tjetër pas Kadaresë. Po ne çfarë po bëjmë, si jeni sjellë e si po sillemi? Në shoqërinë publike shqiptare duket se koha ka mbetur një shekull pas, dhe se ajo çfarë ka vlerë për botën e qytetëruar këtu shihet si demode, vendin e vlerave e zë një pirg antivlerash denigruese dhe hakmarrëse kundër suksesit të të aftit, dhe se fatkeqësisht, kriteri i vetëm vlerësues shqiptar për çdo individ mbetet kriteri ideologjik. Shihni çfarë po ndodh! Sapo komiteti i Nobel konfirmoi se Kadare është kandidat potencial për çmimin Nobel një pjesë e madhe e medias shqiptare, në vend që të promovonte vlerat që bart Kadare dhe vepra e tij, tradita jonë kulturore dhe identiteti ynë evropian, - nisën një fushatë të ethshme denigrimi, fyerjesh dhe akuzash nga më të ashprat kundër....Kadaresë.
Nga sëndukët ideologjik të diktaturës u shfaqën në media gruaja e diktatorit, hetuesit, spiunët dhe xhandarët e tij, të gjithë, veç e veç ose së bashku, për të hedhur baltë mbi Kadaren, emrin, veprën dhe identitetin e tij kulturor. Një sjellje e tillë ishte gati e kuptueshme në vitet e sistemit komunist apo fillimet e sistemit demokratik, kur ambasadat tona militante dhe provinciale adresuan në Komitetin e Nobel-it letra zyrtare kundër Kadare, por tani, në shekullin e ri, 22 vjet pas vendosjes së demokracisë, të vijojë fushata denigruese ndaj njeriut që në botë njihet e respektohet më shumë se flamuri ynë kombëtar, parlamenti, qeveria, presidenti apo shpura krijuese folklorike e Tiranës përbën një akt të turpshëm, arkaik dhe amoral. Kandidati për nobelist shfaqet në mediat e pakulturuara të Tiranës si një figurë e rëndomtë e regjimit komunist, ithtarë i diktatorit, hakmarrës ndaj kolegëve, etj, dhe të gjitha këto akuza bëhen e promovohen nga ata mëkatarë të përjetshëm, që për pushtet mohuan kombin dhe shanset e tij, që me vetëdije dhe makinë dhune krijuan dhe drejtuan modelin stalinist shqiptar, përgjegjës direkt për inkriminimin në shoqëri, kulturë, arte, jetën publike e sociale. Ky paradoks tragjik dhe fatkeq për një popull të kujton shprehjen e Konicës, se shqiptarët e kanë të vështirë të jetojnë në paqe për veten, të shohin vetveten në pasqyrë dhe të pranojnë një sistem vlerash në shoqëri.
Kadare, prej vitesh, po paguan një çmim të madh, pikërisht prej kësaj trashëgimie mjerane, këtij mallkimi historik, që nuk e lejon shoqërinë të ngjallet, nuk krijon elitë të lirë qytetare, nuk frymëzon me ide dhe nuk merr përgjegjësi për të ardhmen e vendit. Kundër Kadaresë është pushteti (sepse ai guxoi ta kritikojë arrogancën e tij zgjedhore më 2011), është politika (sepse në një vend ku gjithëkushi bëhet gjithçka pa shfletuar kurrë një libër ata kultivojnë alergji ndaj njerëzve të pavarur të fjalës dhe librit), është një pjesë e elitës lokale publike (sepse duke qenë elitë e emëruar mbetet peng i pushteteve të radhës), siç është edhe një pjesë e medias (sepse Shqipëria mbetet vendi i vetëm në Evropë pa media kulturore, dhe ku botuesit janë në shumicë ndërtues pallatesh dhe ortakë në tenderë politikë). Këtë simbolikë marrëzie gati kolektive e shprehu më së miri një deputet nga ata kamikazët e pushtetit, kur duke komentuar emrin e Kadaresë në garën presidenciale, tha se Kadare nuk duhet të merret me politikë, sepse ai na duhet të shkruajë libra. Kaq fatal dhe provincial është vizioni i pushtetit/politikës për shkrimtarin, intelektualin, krijuesin, akademikun dhe mendjen krijuese dhe të adhurueshme të Kadaresë! Në këtë mënyrë Kadare dhe ne bashkë me të, mbetemi të vetëm përballë një sistemi të vjetruar, të lodhur, të kalbur në vlera, të marrë peng dhe ende të pafuqishëm të reagojë. Ndaj askush nuk flet për të, për Nobel-in shqiptar, për librat dhe imazhin që po na dhuron në botë; nuk reagojnë as Ministria e Kulturës, as Akademia e Shkencave, as universiteti i Tiranës, as grupet e shkrimtarëve, as grupet intelektuale, dhe as shoqëria civile. Dhe nesër kur Kadare të marrë çmimin ose të jetë në kulmin jetësor po këto turma ofiqarësh dhe kameleonësh do të vrapojnë të përfitojnë sa më shumë nga madhështia dhe vepra e njeriut që sot me vetëdije e kanë braktisur.
Shqipëria ka nevoja të mëdha për zhvillim ekonomik dhe demokraci, për institucione dhe drejtësi, për zbatim ligji dhe luftë ndaj korrupsionit, por ky rast dëshmon edhe njëherë se prioriteti kryesor i saj është e mbetet nevoja për ndjesë, për reflektim, katarsis dhe paqe me vetveten, për vetëkontroll të sjelljes dhe mendimit, për një sistem të ri vlerash, për ndarje nga modelet e kaluara dhe dhënien e shenjave të shpresës, se ky vend, tej mallkimit të politikave të mbrapshta, mund dhe duhet të bëhet. Parë në këtë kontekst, e vërteta është se konfliktin e kemi me veten, jo me Kadarenë, ndaj edhe paqen duhet ta gjejmë me veten, jo me Kadarenë. Si individ ai sot nuk ka shumë nevojë për ne, kurse ne, si shoqëri, shtet dhe komb kemi shumë dhe do të kemi akoma më shumë nevojë për emrin, Nobel-in, mendimin dhe trashëgiminë e tij. Por që ta kemi duhet ta meritojmë!
(Gre.M/Shqiptarja.com)