“Paqe në Mesdhe përmes kulturës”, hap siparin e Festivalit të Filmit në Otranto

Festivali i Filmit  në Otranto hapi siparin të premten, datë 12 shtator me ëorkshop-in "Paqe në Mesdhe përmes kulturës" nëpërmjet një debati mes gazetarëve, artistëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të kulturës.

Pjesëmarrës në këtë debat, ishin Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, këshilltarja për Mesdheun, Turizmin dhe Kulturën ne Rajonin e Pulias, Silvia Godelli, drejtori i QKF-së, Ilir Butka, ambasadorja e Palestinës në Itali, Mai al Kaila, presidentja e Apulia Film Commission,  Antonella Gaeta dhe gazetarja e TG1-RAI, Marilu Lucrezia. Në debatin mes gazetareve dhe institucioneve Godelli u shpreh se "Shqipëria tashmë i përket gjeneratës së re, asaj të kulturës integruese evropiane".

Ministrja Kumbaro në natën e parë të festivalit tha se "Adriatiku sot është deti që bashkon eksperiencat tona mes dy brigjeve. Jemi këtu  për një kulturë jo vetëm shqiptare, jo vetëm italiane, por për një frymë kulturore të përbashkët, duke ruajtur diversitetin dhe identitetin kulturor".

Në  natën e parë të  festivalit Otranto Film Fund Festival  u nënshkrua  protokolli i bashkëpunimit mes Qendrës Kombëtare të Kinematografisë-Shqipëri, përfaqësuar nga drejtori, Ilir Butka dhe Apulia Film Commission, përfaqësuar nga presidentja, Antonella Gaeta.

Ky protokoll bashkëpunimi u nënshkrua me pjesëmarrjen e ministres së kulturës, Mirela Kumbaro dhe këshilltares për Mesdheun, kulturën dhe turizmin në rajonin e Pulias, Silvia Godelli.

Protokolli i bashkëpunimit mes dy institucioneve do të ndihmojë për bashkëpunime dhe shkëmbim të eksperiencave në sektorin audivizual  dhe njohurive mbi zhvillimin e kapaciteteve, që është një nga fushat e ekspertizës së Apulia Film Commission; mbështjetje për projektet e bashkëprodhimit të filmave me metrazh të gjatë, dokumentarë, filma me metrazh të shkurtër, të cilët trajtojnë histori dhe dëshmi të lidhjeve midis Shqipërisë dhe Pulias, ideim i përbashkët i programeve ndër-kufitare, duke iu referuar edhe programeve të  nismave komunitare, pjesëmarrje e të rinjve shqiptarë në akitivitetet e trajnimit dhe praktikave të promovuara nga Apulia Film Commission, si dhe lehtësimin e pjesëmarrjes në aktivitete laboratorike, workshop-e  dhe shkëmbime eksperiencash.

Një vend të veçantë në këtë marrëveshje do t'i kushtohet bashkëpunimit mes sistemit puliez të festivaleve të filmit dhe festivaleve shqiptarë, me qëllim nxitjen e promovimit të prodhimeve kinematografike të mbështetura nga Apulia Film Commission dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë të Republikës së Shqipërisë.

"Sot jemi këtu, për një Shqipëri më të bukur, jo vetëm evropiane, por për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve, për një Shqipëri të njerëzve mendjehapur dhe gjithëpërfshirës, për Shqipërinë si një hapësirë ku çdokush, - si shumëkush në Evropë,-  mund dhe duhet të jetojë, fitojë, përparojë, falë vullentit, punës dhe talentit të vet, por edhe ku do të gjejë mbështetjen e shtetit dhe solidaritetin njerëzor pa ndarje e pa paragjykim. Kjo është Shqipëria e brezit tjetër dhe ky është mesazhi që duam të përcjellim!"-shtoi  Kumbaro në fjalën e saj.

Ministrja Kumbaro u prit nga Kryetari i Bashkisë së Otrantos, Luciano Cariddi dhe nënkryetarja Puzzovio në një ceremoni nderi, organizuar nga autoritetet ushtarake lokalë në kështjellën e Otrantos./ATSH/

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”