Maqedonia e Veriut po e mbyll vitin 2021 me një paqëndrueshmëri politike, e cila bazuar në rrjedhën e zhvillimeve do të përcillet edhe në vitin 2022.
Mungesa e stabilitetit politik nisi që në muajt e parë të vitit 2021 me akuzat e opozitës që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja se Qeveria është e paaftë që të përballet me pandeminë e koronavirusit, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve dhe viktimave me COVID-19.
Paralelisht për pandeminë vazhduan edhe qëndrimet e kundërta mes dy blloqeve politike lidhur me kontestin me Bullgarinë dhe integrimin evropian, nëse do të arrihej të hiqej vetoja bullgare dhe vendi të mund të niste bisedimet e anëtarësimit me BE-në.
Dështimi për të marrë datën në samitin evropian në qershor dhe bisedimet pa sukses për heqjen e vetos nga Bullgaria, e cila, gjithashtu, përballej me paqëndrueshmëri politike për shkak të zgjedhjeve, bëri që të rriteshin kërkesat e opozitës për dorëheqjen e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Për shkak të shumicës së brishtë, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut thuajse dështoi në miratimin e shumë ligjeve, ndërkohë që vendin e prisnin zgjedhjet lokale në vjeshtë.
Krahas përplasjeve për integrimin, partitë në pushtet dhe ato në opozitë kishin përplasje edhe për çështje tjera, si për luftën kundër korrupsionit, krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia, mbylljen e shumë bizneseve, por edhe shpërthimin në spitalin modular në Tetovë, më 8 shtator, ku vdiqën 14 persona që po trajtoheshin nga COVID-19.
Zgjedhjet lokale më 17 dhe 31 tetor, ndryshuan skenën politike në vend. Fitorja e thellë e VMRO DPMNE-së, bëri që Zoran Zaev të paralajmërojë dorëheqjen, si nga posti i kryeministrit, ashtu edhe nga drejtimi i Lidhjes Social Demokrate.
Dorëheqja e tij u aprovua nga Kuvendi, më 23 dhjetor, pasi Zaev periudhën dy mujore e shfrytëzoi për të konsoliduar shumicën parlamentare, pas largimit të lëvizjes Besa nga Qeveria, por dhe për të zgjedhur pasardhësin e tij në krye të LSDM-së.
Gjatë kësaj periudhe, Zaevi i mbijetoi edhe mocionit të mosbesimit të Qeverisë, më 11 nëntor, që ishte iniciuar nga VMRO DPMNE-ja dhe Aleanca për Shqiptarët.
Qeveria e re që do të zgjidhet nga mesi i muajit janar, do të drejtohet nga Dimitar Kovacevski, kryetar i ri i LSDM-së. Ai do të drejtojë qeverinë e re në kohën kur Maqedonia e Veriut edhe në vitin 2022 hyn me po të njëjtat sfida, mungesën e stabilitetit politik, por edhe problemet e pazgjidhura me Bullgarinë, bllokimin e integrimit evropian, por edhe krizën e rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe krizën energjetike.
“Sfida kryesore e Qeverisë së re do të jetë që të ruajë së pari shumicën parlamentare pasi çdo lëvizje në drejtim të largimi të ndonjë partie nga Qeveria do të nënkuptonte edhe fundin e saj. Në këtë në radhë të parë do të ndikojë kontesti me Bullgarinë pasi ka shumë paqartësi nëse dhe si do të zgjidhet, por edhe për faktin se disa parti janë pjesë e Qeverisë pikërisht për t’i dhënë shtytje procesin integrues dhe çdo dështim do të nënkuptonte pasoja në qëndrueshmërinë e Qeverisë”, thotë Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike.
Sipas tij, një sfidë e madhe për Qeverinë do të jetë edhe gjyqësori, pas rasteve të fundit me ish-kreun e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, pastaj dështimet në luftën kundër korrupsionit.
Çdo dështim apo përkeqësim i gjendjes në këto fusha, sipas tij, do të rrënojë edhe më shumë stabilitetin politik në vend.
Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë se viti 2022 nuk do të dallojë shumë nga viti 2021 dhe në këto rrethana, sipas tij, zgjedhjet e parakohshme do të jenë të pashmangshme.
“Kemi një Qeveri, e cila ka shumicën në numra, por që i kontestohet legjitimiteti në kuptimin se LSDM-ja ka një kryesi të re, ka një kryetar të ri, i cili ka mungesë të legjitimitetit në radhë të parë brenda partisë së tij, por edhe mungesë të autoritetit për të menaxhuar me koalicionin qeverisës që përbëhet nga shumë parti politike.
Kjo nuk garanton se në Maqedoninë e Veriut do të kemi një stabilitet politik kur bëhet fjalë për një qeveri legjitime dhe politike, andaj gjasat që të kemi zgjedhje të parakohshme gjatë vitit 2022 janë të mëdha.
Pres që më së voni ato të mbahen dikur në muajin shtator apo tetor. Ato do të imponohen si rezultat i mosfunksionimit të Kuvendit dhe më pas të Qeverisë”, vlerëson Neziri.
Ai thotë se këto zhvillime do të ndodhin në një moment shumë të vështirë për Maqedoninë e Veriut, kur të kihet parasysh se edhe pandemia, kriza ekonomike do të shkaktojnë problem shtesë, të cilat më së shumti do t’i ndiejnë qytetarët, me çka edhe do të rritet pakënaqësia dhe mosbesimi në institucione./REL