Paraburgimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe dhuna në protestat e fundit në Shqipëri ishin ndër çështjet që zunë vend edhe gjatë takimit të katërt të Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, të mbajtur në Elbasan.
Antonio Mazzeo,bashkëkryetar i Komitetit të Përbashkët Konsultativ mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, një strukturë që merret me rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit europian, u ndal edhe te paraburgimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke nënvizuar rëndësinë e garantimit të një procesi të drejtë dhe të respektimit të pavarësisë së gjyqësorit.
Ai iu referua edhe raportit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i cili ngre shqetësimin për praktikën e zgjatjes së paraburgimit të kryetarëve të bashkive.
"Më falni se po hyj në një dinamikë me karakter lokal, por është raporti i paraqitur pranë Këshillit të Evropës lidhur me praktikën e paraburgimit të zgjatur ndaj kryetarëve të bashkive, duke sjellë në vëmendje edhe vëzhgimet nga Komisioni i Vjenës. Më duhet të them se ne, si përfaqësues të autonomive vendore, po e ndjekim me shumë vëmendje atë që po ndodh sot lidhur me kryetarin e bashkisë së Tiranës, duke ritheksuar rëndësinë e respektimit të plotë të procesit të rregullt ligjor dhe të pavarësisë së gjyqësorit" tha ai
Një tjetër çështje që Mazzeo trajtoi ishte reforma territoriale. Sipas tij, ndryshimet në organizimin e pushtetit vendor duhet të mbështeten te funksionet dhe përgjegjësitë e bashkive dhe jo te interesat elektorale.
Zyrtari europian foli gjithashtu për protestat e dhunshme të ditëve të fundit në Shqipëri, duke theksuar se dhuna është e papranueshme.
"I ndaj plotësisht shqetësimet e shprehura në deklaratën e 19 tetorit nga kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian dhe raportuesi i përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë. Duhet të bëjmë çmos të gjithë, në çdo vend, që dhuna politike, dhuna në teresi nuk mund të jetë, një mjet i pranueshëm i shprehjes politike në një shoqëri demokratike. Liria e shprehjes dhe e drejta për të protestuar në respekt të të tjerëve, pa dhunë, duhet të garantohen dhe besoj se këto duhet të garantohen gjithmonë, sepse janë vlera dhe të drejta thelbësore të Europës. Protesta paqësore është një mjet plotësisht legjitim dhe demokratik përmes të cilit qytetarët duhet të kërkojnë të dëgjohet zëri i tyre.Për këtë arsye, unë nga këtu gjej rastin t'u bëj thirrje të gjithëve, institucioneve, por edhe protestuesve, që të veprojnë me përgjegjshmëri dhe të shmangin çdo lloj përshkallëzimi që nuk bën aspak mirë. Unë besoj se qëndrueshmëria e një demokracie nuk matet vetëm me aftësinë për të garantuar rendin publik, por edhe me aftësinë e institucioneve për të ruajtur pluralizmin politik, përfaqësimin demokratik dhe besimin e qytetarëve" tha ai.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila dënoi dhunën gjatë protestave.
"Kjo nuk duhet të ndodhë në shtetet demokratike. Kjo nuk duhet të ndodhë në vende ku ne mbrojmë demokracinë. Dhuna në rrugë dhe ankesat e qytetarëve duhet të adresohen dhe patjetër duhet të trajtohen brenda institucioneve demokratike, të cilat nga ana e tyre kanë detyrën dhe duhet të provojnë se janë të afta t'i trajtojnë këto ankesa. Pra, ka mjaft punë që të gjithë ne duhet të bëjmë, si politikanët, nëpunësit civilë dhe qytetarët në përgjithësi, që është forcimi i kapaciteteve të institucioneve demokratike për t'i trajtuar këto ankesa, në mënyrë që të mos shohim përshkallëzim të dhunës në rrugë. Gjithashtu duhet të riangazhohemi me rininë, me shoqërinë civile. Të gjithë të angazhohemi dhe të shpjegojnë rregullat e lojës në demokraci. Nuk duhet shkatërruar prona publike dhe private duke cenuar rendin dhe ligjin. Nuk eshte kjo mënyra se si mund t'i shprehim ankesat. Dua të them se ka vende për adresuar shqetësimet, përmes institucioneve. Dhe këtu bashkitë luajnë gjithashtu një rol të madh" tha ajo.
Edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, e cilësoi shqetësuese situatën e krijuar nga protestat e dhunshme, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe të protestave paqësore.
Llatja nënvizoi se në demokraci nuk ka vetëm të drejta, por edhe detyrime.
Takimi i katërt i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri u zhvillua për herë të parë në Elbasan, me fokus rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit europian.
Elbasani është qyteti i parë në Shqipëri që këtë vit iu bashkua zyrtarisht konsorciumit që zbaton Misionin e Bashkimit Europian “100 + 12 Qytetet Klimatikisht Neutrale dhe Inteligjente deri në vitin 2030”.
Gjatë takimit u theksua se integrimi europian i Shqipërisë nuk varet vetëm nga institucionet qendrore, por edhe nga bashkitë, të cilat duhet të jenë të forta, transparente dhe të afta për t'iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.









Komente
Komento