Në të vërtetë bëhet fjalë “vetëm” për një bllok akulli prej 2,1 milionë kilometrash katrorë, i banuar nga një numër njerëzish i krahasueshëm me atë të qytetit Görlitz nw Gjermani. Megjithatë, ishulli i Groenlandës sot është në qendër të vëmendjes gjeopolitike botërore. Arsyeja është këmbëngulja e presidentit amerikan Donald Trump, i cili nuk heq dorë nga ideja për ta blerë ishullin, që formalisht i përket Mbretërisë së Danimarkës, duke e justifikuar qëndrimin e tij kryesisht me rëndësinë strategjiko-ushtarake të territorit. Kësaj i shtohet fakti se Groenlanda është e pasur me burime minerare të domosdoshme për prodhimin e gjysmë-përçuesve.
Që në vitin 2019 Trump kishte dështuar në përpjekjen për ta blerë ishullin. Por pak ditë më parë, Shtëpia e Bardhë madje ka përmendur mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake. Pikërisht kjo i shqetëson evropianët, sepse me Trump-in gjithçka duket e mundur. Sipas informacioneve të mbledhura nga Welt, brenda NATO-s tashmë po diskutohen, në nivele të larta, skenarë të ndryshëm. Sepse nëse Shtetet e Bashkuara do ta pushtonin ushtarakisht Groenlandën, një vend anëtar i NATO-s do të sulmonte një shtet tjetër të Aleancës.
Amerikanët kundër amerikanëve
Nëse Trump do të urdhëronte një operacion ushtarak, brenda NATO-s do të krijohej një situatë surreale: një admiral amerikan do të detyrohej ta mbronte Groenlandën pikërisht nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ky fakt del nga një dokument i klasifikuar “sekret” i Komandës Supreme të NATO-s, qw daton në fund të nëntorit 2025.
Dokumenti tregon se komandanti suprem i forcave të NATO-s, Alexus G. Grynkewich, ka transferuar përgjegjësinë për mbrojtjen e vendeve nordike, Finlandës, Suedisë dhe Danimarkës, me efekt nga 5 dhjetori 2025, nga Komanda Operative e Forcave të Përbashkëta (Joint Force Command, JFC) në Brunssum të Holandës, te JFC Norfolk, në Virxhinia, SHBA. Në atë kohë u fol në mënyrë mjaft të paqartë për një ristrukturim të zinxhirit të komandës.
Këto komanda operative, nën drejtimin e selisë strategjike në Mons, janë përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e operacioneve ushtarake në zonat përkatëse. Sipas burimeve të Aleancës, Finlanda, Suedia dhe Danimarka e kishin kërkuar vetë transferimin nën komandën e Norfolkut. Aty NATO përqendron kompetencat e saj detare, një aspekt kyç për këto vende që kanë marina të fuqishme ushtarake. Për më tepër, për shtetet nordike ishte e rëndësishme të forcohej lidhja e drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara.
Në dokumentin e fundit të nëntorit theksohet gjithashtu se ndryshimi i kompetencës do të përmirësonte unitetin e komandës në rajonin nordik dhe do të forconte parandalimin. Norfolk është tashmë përgjegjës për Norvegjinë dhe Arktikun.
Megjithatë, në atë kohë debati mbi Groenlandën nuk e kishte marrë ende urgjencën e sotme.
Ndryshimi sot ka pasoja shumë konkrete. Që nga janari 2024, JFC Norfolk drejtohet nga zv/admirali amerikan Douglas G. Perry, i cili është edhe komandant i Flotës së Dytë të SHBA-së, përgjegjëse për Atlantikun Verior dhe bregun lindor amerikan. Prandaj, nëse presidenti Trump do të urdhëronte një operacion ushtarak në Groenlandë, Perry, në cilësinë e tij si komandant i NATO-s, do të ishte përgjegjës për mbrojtjen e ishullit. Kështu, ai do të gjendej në konflikt të drejtpërdrejtë me komandantin e tij të përgjithshëm kombëtar.
Sipas informacioneve të Welt, brenda NATO-s po diskutohet se si do të reagonte Perry në një rast të tillë. Megjithatë, një oficer i lartë i NATO-s, që kërkon të mbetet anonim, mendon se dilema as nuk do të lindte.
“Nëse Trump do ta çonte vërtet situatën në përshkallëzim ushtarak, do të ishte fundi i NATO-s. Por nuk arrij ta imagjinoj” tha ai për Welt.
Zyrtarisht, kjo çështje nuk është aktualisht në rendin e ditës të Aleancës, por, siç raporton një ushtarak i NATO-s, bisedat informale mes kolegëve janë bërë më serioze dhe më të shqetësuara. Vetë hipoteza teorike e një pushtimi ushtarak të Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara krijon tensione mes anëtarëve të vendeve të ndryshme të NATO-s, me rrezikun e një polarizimi të hershëm të brendshëm.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara mbajnë rreth 200 ushtarë në Groenlandë, në bazën ushtarake të Pituffikit, e ndërtuar në vitin 1951. Struktura përdoret për monitorimin e lëshimeve të raketave dhe aktivitetit hapësinor. /Corriere
Komente












